1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Helmut Kohl shkruan edhe njëherë histori

Ines Pohl
1 Korrik 2017

Me ceremoninë e parë të përmortshme në historinë europiane që u zhvillua në Strasburg, Bashkimi Europian përulet para veprës së Helmut Kohlit. Kjo ceremoni është një moment historik, komenton Ines Pohl.

https://p.dw.com/p/2fl8W
Trauerfeierlichkeiten für Altkanzler Kohl
Fotografi: Reuters/F. Lenoir

Që në të gjallë të tij, Helmut Kohl kishte një ndjesi të shkëlqyer për të nuhatur momentin e duhur. Ishin instinkti e vendosmëria e tij, ato që i dhanë fund ndarjes së Gjermanisë dhe hapën rrugën për Bashkimin Europian, siç e njohim ne sot. Ai e dalloi shansin historik, e kapi si të tillë dhe nuk u dorëzua. Pa marrë parasysh edhe humbjet, pa harruar këtu edhe ato në planin personal.

Me këto qëndrime Helmut Kohl nuk ka bërë vetëm miq. Por me to ai krijoi fundamentin për shtëpinë e Europës - që sot nuk është në gjendje të mirë. Nacionalizmat e rilindur i kanë vënë pikëpyetje BE-së. Britanikët vendosën ndërkohë për largimin nga Europa, SHBA nën Donald Trump janë çdo gjë, por jo një partner i besueshëm.

Flamuri europian si simbol

Në mesin e këtyre pasigurive zhvillohet ceremonia e përmortshme për Helmut Kohl. Në sallën plenare të Parlamentit Europian kanë ardhur krerë qeverish e shtetesh nga e gjithë bota për t'i dhënë lamtumirën në një ceremoni shtetërore europiane njërit prej Baballarëve të Bashkimit Europian. E përfaqësuar është edhe familja mbretërore spanjolle, e shumë bashkëudhëtarë politikë të Helmut Kohl. Nga Lindja, Jugu, Veriu dhe Perëndimi. Në mesin e sallës - arkivoli me trupin e Helmut Kohlit - sipas dëshirës së tij i mbuluar jo nga flamuri gjerman, por ai europian.

Prekëse ishin edhe fjalët e presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. Donald Tusk, presidenti i Këshillit të BE-së dhe të tjerë vlerësuan më shumë meritat teknokrate të Kohlit. Në fund edhe kancelarja Merkel e falënderoi në një fjalim personal Helmut Kohlin për atë që ajo sot jeton në një Europë të lirë.

Pohl Ines Kommentarbild App
Kryeredaktorja e Deutsche Welles, Ines Pohl

Bill Clinton kujton më të rëndësishmen

E megjithatë është Bill Clinton, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, ai që na e solli atë që ndodhi ato momente në Strasburg. Pra, që Helmut Kohl shkruajti edhe njëherë histori: Pikërisht në këtë ditë! Në këtë fazë kaq të rrezikshme për veprën e Kohlit dhe Europën e bashkuar.

Bill Clinton foli për përkohshmërinë e jetës, për trashëgiminë që lemë pas dhe përgjegjësinë. E pikërisht këto momente në sallë mbi arkivolin me trupin e Helmut Kohlit u shfaq sërish shpirti europian, - shpirti i Bashkimit Europian - pritshmëria që mbi bazën e respektit të formësohet uniteti, ai që nuk e lejon kurrë më luftën në truallin europian. Theresa May, kryeministrja britainke, që duhet të udhëheqë Brexitin papritur nuk është më aq e rrezikshme, ajo kthehet në një person ekzotik që nuk ka ç'kërkon aty.

Kështu Helmut Kohl u ringjall edhe njëherë në Strasburg - Lamtumira u kthye në një akt të vetëkonfirmimit europian, brenda të cilit ndjehet fryma e ndryshimit. Një forcë për të cilën Europa tani ka nevojë. Një moment historik, i cili do t'i kishte pëlqyer edhe vetë Helmut Kohlit.