1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hetime për shkak të përgjimit ndaj Merkelit

Bernd Gräßler/Auron Dodi5 Qershor 2014

Prokurori i Përgjithshëm Range vë në shënjestër bashkëpunëtorë të NSA-së, që ka gjasa të kenë përgjuar celularin e Merkelit. Për grabitjen e të dhënave të miliona qytetarëve nuk do të nisin hetime. Hë për hë, të paktën.

https://p.dw.com/p/1CCTp
Prokurori i Përgjithshëm Harald Range
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ka "fakte të prekshme", të cilat e argumentojnë dyshimin për një përgjim të telefonit celular të kancelares Angela Merkel nga "bashkëpunëtorë të panjohur të shërbimeve informative të SHBA", bëri të ditur Prokurori i Përgjithshëm Harald Range. Prandaj ai ka nisur nga ky shkak një procedurë hetimore për dyshimin fillestar të veprimtarisë së agjentëve të fshehtë. Janë organizuar marrje në pyetje të dëshmitarëve dhe informacione nga autoritetet.

Para deklaratës së tij zyrtare Range e pati informuar Komisionin Juridik të Bundestagut në Berlin për rezultatin e verifikimeve të tij disa mujore në lidhje me aferën e përgjimit, të nxjerrë fillimisht në dritë nga ish-bashkëpunëtori i NSA-së, Edward Snowden. Përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare të Bundestagut e përshëndetën vendimin e Prokurorit më të lartë gjerman. Në të vërtetë as politikanët gjermanë nuk e besojnë se agjentët e NSA-së do të dalin një ditë para gjyqit në Gjermani. Shpresohet para së gjithash për sqarim dhe për një efekt frikësues për të ardhmen. Politikania e Gjelbër Renate Künast, e cila e drejton Komisionin Juridik të Bundestagut, theksoi se është e rëndësishme që publikut t'i tregohet "që ne nuk jemi të pambrojtur". Të drejtat e qytetarëve duhen mbrojtur edhe përballë shërbimeve të fshehta të huaja.

"Vendim i pavarur"

Ditët e kaluara mediet patën njoftuar se Range kishte në plan të hiqte fare dorë nga procedura hetimore për aferën e përgjimit të NSA-së. Para së gjithash politikanë opozitarë të Gjelbër dhe të të majtëve dyshonin këtu për ndikimin e qeverisë gjermane, e cila nuk dëshironte të dëmtonte raportin me SHBA. Si përgjigje politikanë unionistë e akuzuan opozitën se po i bën presion Prokurorit të Përgjithshëm.

Range vetë deklaroi para Komisionit Juridik të Parlamentit se ai ka vendosur në mënyrë të pavarur për këtë çështje, bënë të ditur qarqe të pjesëmarrësve.