1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hetime të vështira

Sabine Matthay4 Janar 2008

Përpjekje për të sqaruar rrethanat e vrasjes së Butos - Hetuesit e Scotland Yardit, që mbërriten këtë të premte në Pakistan i pret një detyrë e vështirë.

https://p.dw.com/p/CkNQ
02.01. 2008: Musharafi njofton në TV kërkesën për Scotland Yard-in
02.01. 2008: Musharafi njofton në TV kërkesën për Scotland Yard-inFotografi: AP/Pakistan Press Information Department

Rrethanat e atentatit kundër Benazir Butos janë të diskutueshme, dimensioni politik i atentatit është shpërthyes.

Dalja e fundit e presidentit Pervez Musharaf para gazetarëve të huaj në Islamabad e theksoi këtë.

"Nëse ushtria dhe shërbimi sekret do të përdornin për vete ata njerëz, që ata i luftojnë, atëherë kjo do të ishte qesharake."

Që qeveria e tij të jetë e përfshirë në vrasjen e udhëheqëses së opozitës, Musharafi e përjashtoi kategorikisht. Pandërprerë ai bënte fajtorë për vrasjen ekstremistët islamikë, duke pohuar se Benazir Buto i kishte injoruar paralajmërimet e autoriteteve.

Por pakistanezët janë skeptikë. Ata shpresojnë tani te britanikët.

"Hetuesve të huaj u besojmë, tanëve jo." thotë ky burrë. Dhe vëzhguesi politik Tallat Massoud shton:

"Qeveria nuk ka kredibilitet. Askush nuk i beson më asaj."

Presidenti Musharaf e ka humbur mbështetjen e shumicës, sepse e ka përdorur luftën kundër ekstremistëve islamikë si pretekst për të luftuar kundërshtaret me prirje demokratike.

Qëndrimi i autoriteteve në rastin Buto shtoi mosbesimin në vend. Shpjegimet zyrtare të kryerjes së vrasjes binin në kundërshtim me rrëfimet e dëshmitarëve. Shpejt u krijua dyshimi, se autoritetet kishin diçka për të fshehur. Në një fjalim televiziv Musharafi mori turr përpara. Ai tha se zhvillimet e reja duhen trajtuar profesionalisht, prandaj ai ka sjellë në Pakistan hetuesit e Scotland Yardit.

Por ekipi britanik është i vogël, specialistët e antiterrorit vetëm do t´i mbështesin kolegët e tyre pakistanezë dhe nuk do të marrin në asnjë mënyrë drejtimin e hetimeve. Bashkëshorti i ve i Butos, Asif Zadari reagoi kështu:

"Tani u kujtuat për Scotland Yardin? Përse jo më parë?"

Asif Zardari (majtas), bashkëshort i Benazir Butos dhe Bilaual Zardari (qendër), i biri i Butos
Asif Zardari (majtas), bashkëshort i Benazir Butos dhe Bilaual Zardari (qendër), i biri i ButosFotografi: AP

Zadari këmbëngul që OKB-ja të hetojë rrethanat e vrasjes së gruas së tij. Për atë është e qartë se Benaziri është vrarë. Bashkëshorti i saj mbështetet tek rrëfimet e dëshmitarëve dhe tek filmimet në vendin e ngjarjes. Autoritetet pakistaneze nga ana e tyre flasin për thyerje të kafkës nga forca e një sulmi kamikaz. Pa autopsi kjo nuk do të mund të sqarohet, por atë e refuzon Asif Zardari. Përkrahësit e Butos besojnë, se shërbimi i fshehtë pakistanez ISI e ka vrarë politikanen me popullaritet, sepse ajo donte të publikonte dëshmitë për falsifikimin e zgjedhjeve.