1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hetimi ndërkombëtar i çështjes " Fazlliç" cënon pavarësinë e Prokurorisë

Ani Ruci15 Tetor 2008

Sipas juristit Gent Ibrahimi, Drejtor i Institutit për Studime Ligjore e Publike hetimi ndërkombëtar i kërkuar nga kryeministri Sali Berisha nuk mbështetet nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe nuk ka vlerë proçeduriale.

https://p.dw.com/p/FZfL
Kryeministri i Shqipërisë, Sali BerishaFotografi: AP

DW: A është e mbështetur me ligj në Kushtetutë, kërkesa e kryeministrit Berisha për një hetim ndërkombëtar të asaj që njihet si "çështja Fazlliç"?

Genti Ibrahimi: Nëse do të përpiqem të kuptoj thelbin racional të kësaj kërkese do ta shihja atë të paktën në rrafshin kushtetues, ligjor po emocionalisht kam qëndrim negativ ndaj një kërkese të tillë. Në rrafshin ligjor mendoj që pushtetet dhe institucionet publike që i ushtrojnë ato kanë vetëm një burim dhe ky është Kushtetuta dhe mënyra sesi ajo zbatohet dhe interpretohet në ligje të veçanta. Pra, ka institucione që krijohen me Kushtetutë, dhe i marrin prej saj kompetencat bazë, ka institucione të tjera që krijohen me ligj të cilat marrin kompetencat e tyre. Në mënyrë kushtetuese dhe ligjore. Shkurt, funksioni publik e ka origjinën në Kushtetutë, në ligj. Ndjekja penale është një funksion publik që, në këtë rast e ka origjinën në Kushtetutë bashkë me organin e akuzës që është Prokuroria. Askush nuk mund të krijojë institucione paralele të akuzës penale, e cila është një institucion që nuk mund të ketë veçse një burim, atë kushtetues dhe ligjor.

DW: Ka edhe forma të tjera hetimi jashtë Prokurorisë, psh edhe Parlamenti heton...

Genti Ibrahimi: Po, por kjo përbën përjashtim. Hetimi parlamentar ndodh vetëm në rrethana kur ekziston pamundësia e organit origjinal të akuzës për të zhvilluar një hetim të pavarur. Cilët faktorë do ta bënin të pamundur këtë? Një presion shumë i madh politik ose përmasat politike, sociale, ekonomike të çështjes që hetohet. Psh. rasti i skemave piramidale, kur ishte fare e natyrshme të mendohej se institucioni i Prokurorisë ishte i dëmtuar rëndë si institucionet e tjera publike në Shqipëri nga trazirat e pranverës 1997. Po kështu nga përmasat e gjera të pasojave të skemave piramidale prokuroria mund të ishte disi ne disavantazh për ta hetuar atë në mënyrë të plotë dhe efikase. Prandaj, përligjet ndërhyrja e Parlamentit, që ka targin, le të them, të përfaqësimit të drejtpërdrejtë të popullit për ta lehtësuar hetimin e mëvonshëm nga ana e Prokurisë.Vetëm një rrethanë shoqërore e përmasave të tilla mund të justifikojë anashkalimin e përkohshëm të funksionit të hetimit nga Prokuroria. Pavarësisht nga rëndësia e hetimit parlamentar, vlera e tij proceduriale në rastin konkret ndaj Fazlliç dhe në përgjithësi ndaj çdo hetimi është zero Aq më e vogël, nëse mund të ketë një vlerë më të vogël se zero, do të jetë vlera e një hetimi ndërtkombëtar.

DW: Pse?

Genti Ibrahimi: Sepse hetimi parlamentar bëhet nga nje institucion kushtetues, i njohur nga ligjet e këtij vendi, dimë sesi Parlamenti funksionon nga pikëpamja proceduriale, dimë edhe se çfarë ndodh me produktet e këtij hetimi, por nuk dimë asgjë për hetimin ndërkombëtar. Jo se jemi të paditur, por sepse hetimi ndërkombëtar është një institucion që nuk ekziston në ligjet e Shqipërisë. Nuk dimë sesi do të kryhet ky hetim nga pikëpamja proceduriale dhe as se çfarë do të bëhet me konkluzionet e tij. Prandaj, kërkesa për të hetuar çështjen Fazlliç nga një grup hetuesisdh ndërkombëtarë është, të paktën, absurde.

DW: A e prek pavarësinë e Prokurorisë kërkesa për një hetim ndërkombëtar të çështjes në fjalë? Prokuroria e Tiranës ka nisur javën e kaluar hetimet për bizneset e Fazlliç-it dhe lidhjet e tij me pushtetarët aktualë.

Genti Ibrahimi: Po. Hetimi ndërkombëtar e cënon pavarësinë e Prokurorisë. Organi i akuzës është i pavarur kur arrin të kryejë detyrën, pra hetimin e pa ndikuar nga faktorë të jashtëm si qeveria, nga aktorë privatë apo hetues ndërkombëtarë. Po të përmbledh gjithë sa thashë deri tani, do të theksoja që hetimi ndërkombëtar nuk ka bazë ligjore dhe as vlerë proceduriale konkrete për rastin në fjalë. Në cilindoi përfundim spektakolar të arrijë ky hetim ndërkombëtar , ai nuk do të ketë asnjë vlerë veçse atë të ushqimit për mediat.

DW: A njihen raste të njëjta, kur vende me demokraci të zhvilluar, me shtet të së drejtës të konsoliduar, vende ku respektohet me rreptësi pavarësia e institucioneve kërkojnë hetim ndërkombëtar për një çështje X apo Y?

Genti Ibrahimi: Të mendoj se nga ka ardhur ideja e hetimit ndërkombëtar është një kërkim i vështirë sepse me sa i njoh sistemet e vendeve të tjera në to nuk eKziston kjo praktikë. Ndofta frymëzimi i kryeministrit Berisha ka ardhur nga modeli amerikan, që nuk është tamam kështu si në këtë rast. Gjithsesi është një model që mundëson caktimin e një prokurori të pavarur, sa herë që hetohet Presidenti. Kjo është krejt e përligjur në rastin e një Republike Presidenciale si SHBA, ku gjithë organi i akuzës varet, nga pikëpamja e hierarkisë, nga Presidenti. Me fjalë të tjera, Prokurorisë, Departamentit Amerikan të Shtetit po t´i takonte të hetonin për bosin e tyre, direkt. Dhe kjo është arsyeja pse në SHBA është gjetur kjo klauzolë e caktimit të një Prokurori të pavarur sa herë që objekt i akuzës është vetë Presidenti. Por kjo nuk ka lidhje me realitetin e Shqipërisë.