1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hiqet barrikada mbi Lumin Ibër, rikthehet barrikada

Bekim Shehu18 Qershor 2014

Barrikada mbi Lumin Ibër që ndan qytetin e Mitrovicës në dy pjesë, ishte vendosur aty nga serbët lokalë në korrik të vitit 2011.

https://p.dw.com/p/1CLd1
Fotografi: DW

Grupe qytetarësh serbë nga veriu i Mitrovicës, larguan në orët e hershme të mëngjesit barrikadën mbi Urën kryesore të Lumit Ibër në qytetin e Mitrovicës. Ky aksion u vëzhgua nga afër nga pjesëtarë italianë të forcave paqeruajtëse dhe policisë së Kosovës. Mirëpo, vetëm disa orë më vonë, grupe serbesh serish vendosen një barrikadë tjetër. Ata sollën, vazo betoni të mbjellura lule dhe pisha. Mediat lokale serbe shkruajnë se vendosja e barrikadës së re është bërë me vendim të kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, dhe do të quhet “Parku i Paqes”.

Barrikada mbi Lumin Ibër është vendosur nga banorët lokalë serb të veriut në korrik të vitit 2011, të cilët kundërshtonin vendosjen e autoritetit të Prishtinës zyrtare në veri të vendit. Në këtë kohë u vra një pjesëtar i policisë së Kosovës, sikundër që veriu u përfshi në trazira duke kundërshtuar funksionalizimin e institucioneve të Kosovës në veri të udhëhequra nga Prishtina zyrtare. Prishtina dhe Beogradi, me 19 prill të vitit të shkuar nënshkruan një marrëveshje për përmirësimin e raporteve dhe u zotuan për zbatimin e të gjitha pikave të saj. Një ndër pikat e marrëveshjes është edhe qarkullimi i lirë në veri të Kosovës.

Kosovo Mitrovica Ibar Brücke
Fotografi: DW

Kryeministri në detyrë Hashim Thaçi, e përshëndeti heqjen e barrikadës mbi Lumin Ibër duke thënë se “Barrikadat qofshin ato fizike apo mentale nuk kanë vend në Kosovën demokratike dhe janë të papranueshme për vlerat civilizuese të shoqërisë sonë”.

“Ky veprim i arsyeshëm dhe i pritur i qytetarëve që jetojnë atje, dëshmon qartë pjekurinë dhe gatishmërinë për të jetuar në paqe, të lirë dhe pa barrikada. Heqja e barrikadës së fundit, është edhe një dëshmi tjetër e zbatimit me sukses të marrëveshjes së 19 prillit 2013, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura”, thotë kryeministri i Kosovës në detyrë, Hashim Thaçi. Sipas tij, “vetëm duke e zhvilluar Kosovën dhe duke përqafuar vlerat perëndimore, vendi siguron të ardhmen në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.

Në nëntor të vitit të shkuar për herë të parë në veri të Kosovës u mbajtën zgjedhjet lokale, sikundër që në fillim të këtij muaji në këtë pjesë u mbajtën edhe zgjedhjet e përgjithshme. Përfaqësuesit e komunitetit serb në të gjithë Kosovën udhëheqin me 10 komuna, ndërsa, pas zgjedhjeve të përgjithshme të tetë qershorit, ata pritet të përfaqësohen me 10 deputet në kuvendin e Republikës së Kosovës.