1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hiroshima & Programi bërthamor i Iranit & Shpëtimi i nëndetëses ruse

VFB8 Gusht 2005

Shtypi i ditës duke iu referuar 60 vejtorit të hedhjes për herë të parë të bombës atomike në Hiroshima i kushton vëmendje edhe bisedimeve të BE-së me Iranin për programrin bërthamor. Komentohet gjithashtu edhe shpëtimi i nëndetëses ruse, që rrezikonte të mbytej.

https://p.dw.com/p/AruL
Nxirret nga thellësia nëndetësja ruse
Nxirret nga thellësia nëndetësja ruseFotografi: AP

"Hamburger Abendblatt" për Hiroshimën shkruan: "Zjarri i parë atomik i ferrit fshiu nga faqja e dheut qytetin japonez të Hiroshimës duke asgjësuar jetën e 200.000 njerëzve. Pikërisht në këto ditë, kur përkujtojmë katastrofën e 60 vjetëve më parë, të habit fakti, se sa i shpenguar opinioni botëror pranon garën e re të armatimit bërthamor. Vendosmëria që tregojnë mullahët iranianë për të poseduar bombën, nuk mund të jetë dredhi, për t´i rritur vlerën bisedimeve me BE-në për dorëheqjen nga programi bërthamor. Me sa duket Teherani e ka seriozisht", vëren "Hamburger Abendblatt".

"Märkische Oderzeitung" komenton me tone të ngjashme: "60 vjet pas hedhjes së bombës atomike në Hiroshima dhe Nagasaki kjo ngjarje po fiton domethënie të re. Ndërsa në televizion shfaqen pamjet e tmerrshme të vitit 1945 dhe politikanët në pushtet bëjnë thirrje për arësye, përpara syve tanë luhet drama diplomatike, që mund të çojë drejt një lufte. Një "bombë atomike islamike", aq më keq në dorë të një diktature fetare, do t´i çorodiste raportet në Lindjen e Mesme, ku ajo bën pjesë. Pasoja do të ishte një garë e re armatimesh, me rrezik edhe për Evropën. Një luftë me Iranin pas asaj në Irak do të ishte e dyta në Lindjen e Mesme vetëm brenda pak vjetësh, gjë që do ta destabilizonte rajonin në tërësi. Nëse presidenti Ahmedinexhad dhe të tjerë përfaqësues të vijës së fortë në Teheran mendojnë, se SHBA ose Izraeli, pikërisht për këtë arësye nuk do ta ndërmarrin një hap të tillë, ata gabohen rëndë", parashikon "Märkische Oderzeitung".

"Süddeutsche Zeitung" heq një paralele me Irakun: "Ashtu si dikur qeveria në Bagdat edhe ajo në Teheran përbetohet, se nuk do të ndërtojë bombën atomike. Ashtu si përpara luftës në Irak inspektorët e Agjencisisë Ndërkombëtare Bërthamore ndodhen në vend. Ashtu si edhe atëherë pati përpjekje për retushimin e pjesëve të programit bërthamor. E ashtu si edhe në Irak nuk ka dëshmi që të provojnë, se vërtetë Irani është në gjendje të ndërtojë bombën atomike. Edhe kësaj radhe bota do të grindet e indinjuar për përgjigjen që duhet t´i jepet këtij vendi. Amerikanët do të kërkojnë atë që kërkojnë prej kohësh: sanksionet. Çështja është, se në ç´volum dhe sa kohë do të jenë ato të justifikuara, gjë që shumë shpejt mund të mbjellë në Perëndim dhe në botë përçarje. E kjo do të ndodhë më së voni kur një ditë të shtrohet çështja e ndërhyrjes ushtarake. Ka të ngjarë që kjo ditë do të vijë, në rast se nuk gjendet një zgjidhje paqësore", konkludon "Süddeutsche Zeitung".

Sa i përket shpëtimit të nëndetëses ruse gazeta "Nordbayerischer Kurier" vëren: "E megjithatë duket se janë nxjerrë mësime prej tragjedisë së mëparshme të nëndetëses Kursrk. Krenaria e kotë këtë radhë u kapërcye për fat të mirë në kohën e duhur duke pranuar ndihmën ndërkombëtare. Rusët nuk humbasin gjë në këtë mes, sepse atyre u është kërkuar të ndërhynë për të kapërcyer avaritë e anijeve kozmike të SHBA. Kësaj radhe lëvdatat për merita shkojnë në adresë të britanikëve. Morali i historisë është: globalizimi nuk prek vetëm tregjet e kapitalit. Bota po bashkohet. Sa keq që një gjë e tillë ndjehet vetëm në raste fatkeqësish dhe katastrofash", tërheq vëmendjen "Nordbayerischer Kurier".

"Manheimer Morgen" komenton: "Kjo avari sërish hedh dritë në gjendjen e mjerueshme të frocave të armatosura ruse. Por prej kohësh dihet që këtë Putini përpiqet ta mbulojë me pretendimet e Moskës për superfuqi me armët bërthamore. Ndaj është interesate pyetja, se ç´litarë, kavo apo rrjeta ka shkëputur roboti britanik në thellësinë 200 metra? Të dhënat zyrtare për impiante sonike apo rrjeta peshkimi nuk janë bindëse. Ato më shumë dëshmojnë për reagimet e njohura të gjeneralëve që ende s´kanë mësuar gjë. Ndaj të qetëson fakti që këtë radhë ata mundën të frenohen. Aq më shumë tani që faktikisht bëhej fjalë për një mision spiunazhi", analizon "Manheimer Morgen".