1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Histoire/Geschichte: Evropa dhe bota që prej L II Botërore 1945" libri i parë gjermano-francez i historisë

9 Maj 2006

Një libër i përbashkët franko-gjerman për shkollat u prezantua javën e kaluar nga ministri francez i arsimit në Peronne- vend, ku në Luftën e Parë Botërore u zhvillua një betejë e famshme. Por pikërisht mospërfillja e demonëve të historisë është synimi kryesor i librit.

https://p.dw.com/p/ArBB
Fotografi: AP

Një gur themeli arsimor, "Histoire/Geschichte: Evropa dhe bota që prej Luftës së Dytë Botërore 1945" është një libër për gjimnaze, që trajton historinë e pasluftës të të dyja vendeve, ndërsa dy libra të tjerë për historinë para vitit 1945 janë duke u përgatitur aktualisht.

Vendimi për t'u përqëndruar në këto vite ishte një lëvizje e guximshme, duke pasur parasysh se interpretimet nacionale të luftës së dytë botërore dhe të viteve më pas janë shumë të ndryshme, nga njeri vend në tjetrin.

Por autorët gjermanë dhe francezë e pranuan këtë sfidë, duke prodhuar librin e parë të historisë në botë, të bashkëshkruar nga dy vende.

"Mësimi i madh është se asgjë nuk është e shkruar në gur," tha ministri francez i arsimit, Gilles de Robien. "Antagonizmat që ne menduam se qenë gdhendur në gur nuk janë të përjetshme, dhe është e mundur që të shkruhen faqe të reja në librat e njerëzve."

Një përplasje e perspektivave dhe axhendave politike mund të dukej e pashmangshme. Por cuditërisht, gazeta franceze Figaro e citoi bashkëdrejtorin e projektit, Gijom le Kintrek, me fjalët se cështja kryesore e përplasjeve ishte në fakt paraqitja e SHBA.

Gjermania është akuzuar se është anti-amerikane. "Francezëve iu duk qëndrimi i gjermanëve pro-amerikan, kurse gjermanëve këndvështrimi ynë iu duk anti-amerikan," thotë le Kintrek.

Dallimet në stilet e arsimit rezultuan gjithashtu problematike, pasi autorët konstatuan se mësuesit gjermanë i nxisin studentët të debatojnë, kurse homologët e tyre francezë kanë tendencë për të qenë më të ngurtë dhe më autoritarë.

Ideja për këtë projekt lindi tri vjet më parë, në Parlamentin Evropian të Rinisë në Strasburg, ku pjesëmarrësit teenage-r ranë dakord për nevojën që të theksohet më shumë ajo që e bashkon Evropën, më tepër se ajo që e ndan atë.

Propozimi u mirëprit si nga presidenti francez Zhak Shirak, ashtu edhe nga kancelari i atëhershëm Gerhard Shrëder, dy mbrojtës të boshtit franko-gjerman. Për librin u dha dritë e gjelbër vetëm një vit më vonë.

"Nuk ishte e lehtë, për shkak të kompleksitetit të sistemeve shkollore gjermane dhe franceze", tha një zëdhënës nga ambasada gjermane në Paris. "Por të dy udhëheqësit me të vërtetë vunë gjithë peshën e tyre në mbështetje të këtij projekti."

Pas dy vjetësh në prodhim, botimi francez përfundoi i pari, kurse versioni gjerman do të dalë nga shtypi në 10 korrik, ndërsa futja në mësimin në klasa është planifikuar për në vjeshtë 2007.

Teksti, i konceptuar për të nxitur lidhjet dhe një sens identiteti evropian do të përdoret nga studentët gjermanë dhe francezë në tri vitet e fundit të shkollës.

Megjithëse synimi është të theksohet miqësia franko-gjermane, teksti nuk u druhet aspekteve më me trazira të historisë së pasluftës- dhe as bie në centrizëm franko-gjerman.

Nëse rezulton me sukses, "Histoire/Geschichte" mund të jetë i pari midis shumë projekteve të ngjashme. Nëse Franca dhe Gjermania mund ta bëjnë këtë, vende të tjera mund të pasojnë me iniciativa të këtij lloji.