1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hoffmann: Gjermania nuk pranon azilantë të varfërisë

Ani Ruci7 Shkurt 2015

Ambasadori gjerman Hoffmann në Tiranë vizitoi komunitetet e romëve në Bregun e Lumit të Tiranës dhe në Selitë. 20% e atyre që nga Shqipëria kërkojnë për shkaqe ekonomike azil në Gjermani janë romë.

https://p.dw.com/p/1EXT0
Roma Kinder in Tirana
Ambasadori gjerman Hellmut Hoffmann bisedon me romët në TiranëFotografi: DW

Komuniteti rom i Tiranës, prej rreth 15 mijë vetësh, ndodhet në një situatë tejet të vështirë në këto ditë të ftohta shkurti. Barakat e tyre në breg të lumit janë nën pushtetin e baltës dhe llucës nga rreshjet e pandërprera të shiut, që kanë vështirësuar edhe mbledhjen e kanaçeve në kazana plehrash, me shitjen e të cilave mbajnë frymën gjallë. Por ka edhe më keq. Rreth 70 familje rome, në zonën e Selitës, jetojnë me frikën e mbetjes nën qiell të hapur.B anesat e tyre të ngritura me dhe pa leje, do të shemben ngaqë ndodhen në territorin ku do të ndërtohet Unaza e Madhe e Tiranës. Situata e vështirë e komunitetit rom ka zënë vend edhe në Raport Progresin e Komisionit Europian 2014, për Shqipërinë. ” Politikat për përfshirjen e romëve në shoqëri mbeten jo të përshtatshme. Kushtet e jetëses, mundësitë për arsimim, punësim, shërbime sociale dhe shëndetësore për romët duhen përmirësuar”sugjeon BE. Ambasadori gjerman , Hellmut Hoffmann vizitoi komunitetet e romëve në Bregun e Lumit të Tiranës dhe në Selitë.

Arsimimi i brezit të ri të komunitetit rom – rrruga e madhe e ndryshimit

Pikërisht tek Bregu i Lumit të Tiranës, në Paskuqan, ku komuniteti rom ka ngritur barakat e veta po realizohet një program zhvillimi gjermano-shqiptar. Është Caritas- Gjermani që përmes Caritas –Shqipëri sjellin përmes këtij program shpresën e ndryshimit tek ky komunitet.I njohur si “Programi për Rininë dhe fëmijët” ai synon të përmirësojë jetën e familjeve rome dhe të kontribojë që fëmijët dhe të rinjtë romë të bëhen qytetarë aktivë në komunitetin e tyre. Një qëndër e quajtur ”Dritarja e Dijes” mbledh çdo ditë fëmijë, rini, djem e vajza, nga komuniteti rom i Bregut të Lumit për t' u arsimuar në këtë qendër, për t'u marrë me punë krijuese, pikturuar, realizuar objekte artistike. Ata vizitohen periodikisht nga mjekja në dhomen e posaçme të vizitave dhe marrin prej saj edukimin shëndetësor. Kur krejt pa ndrojtje përshëndesin ambasadorin gjerman Hoffman në anglisht dhe i thonë “Thank you” për praninë e tij mes tyre kuptohet sesa shumë duan të mësojnë.

Roma Kinder in Tirana
Shpresa e fëmijëve romë - arsimimiFotografi: DW

“Vlerësoj vërtet gjithë sa bëhet në këtë qendër të mbështetur nga Caritas- Gjermani përmes Caritas –Shqipëri. Këtu po bëhet një punë e madhe, shumë e mirë për të ndihmuar fëmijët romë, djem dhe vajza të arsimohen. Arsimimi është rruga e madhe, kryesore për përmirësimin e situatës së gjithë komunitetit rom. Ndryshimi fillon me hapa të vogla” thotë për DW ambasadori Hoffmann.

Mbjellim farën e ndryshimit

Ai u thotë fëmijëve, që e rrethojnë me kureshtje, se duhet të mësojnë çdo ditë, të kenë vullnet për të patur një të ardhme më të mirë se ajo e prindërve të tyre. Mjafton të hedhësh shikimn tek barakat në bregub e lumit , përballë qëndrës , që të kuptosh në ç' varfëri të skajshme jetojnë familjet rome dhe këta fëmijë, me sy të ndritshëm nga shpresa, kur kthehen nga mësimi në banesat e tyre prej plastrmasi dhe kallamishtesh.

Menaxherja e programit nga Caritas – Shqipëri, Enkelejda Qama thotë pwë DW se" prindërit e këtyre fëmijëve ndodh që nuk kanë mundesi të hanë asgjë gjatë gjithë ditës. E vetmja mundësi për të mbajtur frymën gjallë është shitja e kanoçeve dhe mbetjeve të tjera të riciklueshme. Programi ynë ka dimensionin të spikatur njerëzor Fëmijët romë kanë dëshirë të madhe të mësojnë. Problemi i tyre, më i madh është ai ekonomik, kanë nevoja bazike, nuk arrijnë të përqëndrohen në mësim sepse janë të kequshqyer, shpesh gjysmën e sanduicit e fusin në xhep t' ia japin motrës a vëllait më të vogël në shtëpi. Barakat e tyre janë përmbytur nga shiu, rrobat për të ardhur nëshkollë i kanë marrë nga ndihmat.

Qama shpjegon qëllimin e programit: "Deri në vitin 2017 duam t'u sigurojmë fëmijëve dhe të rinjve romë të këtij komuniteti shkollimin dhe t'u japim shanse më të mira për të ardhmen e tyre, t'i motivojmë për angazhim qytetar në komunitetin e tyre. Rezultatet nuk janë të menjëhershme, por ne po mbjellim farën e ndryshimit,” thotë Enkelejda Qamo.

Zgjidhje që pranohen nga familjet e prekura rome, të mos krijohen probleme për Gjermaninë

Kur mbrijmë nga Bregu i Lumit në Selitë na presin vajza dhe djem të rinj, aktivistë romë, që kanë kryer studimet universitare, që flasin anglisht dhe ndihen të integruar në shoqëri. Vëmendja tërhiqet nga banesa të shembura apo gjysëm të shembura ngsa buldozerë. Një grup i madh romësh pret të takojë ambasadorin Hoffmann. Rreth 70 banesa të komunitetit rom të Selitës, të ndërtuara me leje dhe pa leje do të shemben për interesin publik: ato ndodhen në territorin ku do të ndërtohet Unazae Madhe e Tiranës. Ajo që shteti i ofron është aplikimi në Bashkinë e Tiranës për banesa sociale. Por kjo nuk është e mundur në kushtet kur romët nuk janë të regjistruar në gjendjen civile të Bashkisë dhe për pasojë janë qytetarë inegzistentë të Shqipërisë. Kjo alternativë për kushtet reale të romëve thjesht nuk funksionon. Ata nuk përballojnë as marrjen me qera të banesave të lira: të ardhurat e tyre vijnë nga puna informale, shitja e mbetjeve te riciklueshme dhe janë sa të pamjaftueshme aq edhe të paqëndrueshme.

Grupi i burrave dhe grave rome nguten kush e kush më pare t'i paraqesin ambasadorit Hoffmann situatën ku ndodhen. "Duam të na kompensojnë me para për shembjen e banesave tona. Duam paratë, banesën e gjejmë vetë.Në rast të kundërt do të shkojmë të kërkojmë azil në Gjermani“, thotë një mesoburrë, që pasohet në kor nga gjithë grupi. “Mos u largoni për në Gjermani, se do të ktheheni në Shqipëri” u përgjigjet ambasadori Hoffmann.

Roma Kinder in Tirana
Enkeljda Qama flet mbi gjendjen e romëve në TiranëFotografi: DW

Ai thotë për DW se “Reagimet e romëve të Selitës tregojnë se ata janë ekstremisht të zemeruar dhe fatkeqë pasi ajo që u është ofruar deri tani nuk funksionon për ta . Duhet ofruar një alternativë e arsyeshme, nuk mund të shkohet tek njerëzit me buldozerë, të shemben banesat e tyre dhe krijohen probleme për një palë të tretë si është rasti ynë. Shpresoj që secili të luajë rolin që ka për të luajtur që ta zgjidhë këtë situatë në mënyrë produktive, njerëzit ta pranojnë, sepse të ofrosh një zgjidhje të cilën ata thjesht nuk e përballojnë nuk ka kuptim” thotë për DW ambasadori Hoffmann.

Duke analizuar situatën ai shton se “kjo që po ndodh është pasojë e zhvillimit kaotik që ka pasur Shqipëria në dekadat e fundit, shumë nga këto banesa janë shtuar si këpurdhat pas shiut dhe nuk kanë “bekimin” e të qënit legale. Unaza e Madhe e Tiranës duhet të ndërtohet, trafiku po rritet nga dita në ditë. Për banesat që duhet të shemben nuk duhet marrë në konsideratë vetëm fakti nëse janë legale apo ilegale pasi shteti ka një përgjegjësi të caktuar shoqërore për njerëzit” .

Gjermania nuk pranon azilantë ekonomikë cilado qoftë përkatësia e tyre etnike.

Shifra të përafërta tregojnë se rreth 20% e atyre që kanë kërkuar azil në Gjermani nga Shqipëria i përkasin komunitetit rom. “Nuk kemi shifra të sakta sepse ngurrojmë të shikojmë etnicitetin e azilkërkuesve, është një aspekt që nuk dëshërojmë ta prekim. Këtu, në Selitë, familjet rome sapo më thanë që nëse nuk gjendet zgjidhje për strehimin e tyre do të shkojmë në Gjermani. Unë vetëm mund t'u them që të mos e bëjnë këtë sepse do të kthehen. Ne nuk mund të pranojmë emigrantë të varfërisë, thjesht për arësye ekonomike, thjesht sepse nuk gjejnë punë në vendet e tyre, kjo nuk eshtë e mundur” thotë për DW Ambasadori Hoffmann.

Ai thekson se “ nuk është e lehtë për të ndryshuar këtë situatë. Kjo ka të bëjë shumë me traditat kulturore të romëve, që e bën të vështirë për ata të përshtaten me jetën moderne që ne jemi mësuar të kemi. Por vetë romët duhet të ndryshojnë, duhet të organizohen, të jenë aktivistë dhe nuk duhet të presin nga të tjerët që t'i ndihmojnë . Duhet të jenë proaktivë vetë ata, të mos presin vetëm nga qeveria dhe donatorët. Kështu kanë bërë progres minoritetet: kanë marrë fatin në duart e tyre. Nuk kam iluzione, kjo është jashtëzakonisht e vështirë, nuk ka zgjidhje të lehta, ndërkohë që ka një standart minimal që duhet respektuar”, thekson Ambasadori Hoffmann.