1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hombach: WAZ si grup mediatik nuk imponon objektiva përmbajtësore apo politike

Fabian Schmidt9 Korrik 2008

Sipas drejtuesit të WAZ-it Bodo Hombach, Vizion Plus në Shqipëri ka dhënë prova "për paanshmërinë dhe profesionalizmin në tregun vendas mediatik, dy elementët thelbësorë këta për arritjen e marrëveshjes.

https://p.dw.com/p/EZ0o

Javën e shkuar në Tiranë u finalizua bashkimi i grupimit mediatik shqiptar Vizion Plus me kompaninë gjermane e njohur në nivel ndërkombëtar "WAZ Medien Gruppe". Koncerni WAZ ka mëse dy vjet që është i interesuar për tregun mediatik në Shqipëri.

Bodo Hombach
Bodo Hombach, drejtuesi i WAZ-itFotografi: picture-alliance/dpa

DW: Cila ishte sfida më e madhe në përzgjedhjen e partnerit dhe të pozicionit të tij?

Hombach: Në fillim ne u interesuam në fushën e biznesit tonë tradicional, që janë mediet e printuara. Në këtë fushë në Shqipëri na u duk mjaft e vështirë: Ka një sërë titujsh që qarkullojnë me tirazh të ulët. Ka edhe një sërë vështirësish në shpërndarjen dhe një pjesë e gazetave, ndodhen nën pronësi, kështu nuk ishin të përshtatshme për të qenë partnerët tanë. Disa gazeta të tjera kanë pikëpamje të theksuara politike, si të thuash ato janë gazeta partiake. Ne nuk e pranojmë këtë. Më pas filluam të kërkojmë në tregun e radios, televizionit dhe veprimtarive on-line për të krijuar një paketë me ndërthurje-mediale. Si rrjedhojë u krijua mundësia që të kalojmë në tregun e televizonit. Ne besojmë, se tani kemi gjetur një partner, i cili është ideal për konceptin tonë: Ai i kushton rëndësi gazetarisë kualitative, argëtimit të mirë dhe neutralitetit politik, duke pasur njëkohësisht qëllimin që të rritet edhe më shumë. Ky është pra Vizion +. Ky stacion ka pajisje profesionale dhe një ekip të ri të angazhuar. Ne besojmë, se me këtë kemi gjetur një akses të mirë në Shqipëri.

DW: Koncerni WAZ për herë të parë tani po shtrihet edhe në tregun e televizionit në vendet e Evropës Juglindore. Ç´përvojë keni pasur në vendet e tjera të këtij rajoni?

Hombach: Edhe në vendet e tjera tani ne jemi duke u interesuar për tregun e televizionit. Ky mund të jetë vetëm fillimi. Por televizioni nuk është krejt i ri për ne. Ne në Gjermani kemi pjesë në televizionin NRW(landi i Renanies Veriore.)Kufijtë mes on-line, televizionit dhe mediave të printuara po shkrihen shumë shpejt midis tyre. Ndaj ne padyshim do të perfeksionojmë kompetencën edhe në këtë fushë.

WAZ Mediengruppe in Essen
WAZ me seli në Esen, GjermaniFotografi: dpa

DW: Në të kaluarën gazetarët nga rajoni e shihnin WAZ-in si një ndërmarrje të madhe mediatike, ndonjëherë edhe me mosbesim duke pasur frikë, se ky koncern nga Gjermania mund të fitonte shumë influencë ndaj përmbajtjes. Më vonë ky opinion ndryshoi dhe WAZ u kritikua, që nuk ndërhynte sa duhet për të vendosur standardet e veta. Si ia dilni ju që të ndryshojë ky opinion?


Hombach: Përshtypja, sipas së cilës, ne si grup shkojmë në vende të ndryshme, për të ndjekur atje një qëllim politik, ka qenë e nxitur. Kjo pasi është bërë pak propagandë, sepse konkurrenca kishte interes të zgjonte të tilla frikëra, për të dobësuar mundësitë tona. Por shumë shpejt u konstatua, se këto përshtypje ishin të pabaza dhe se WAZ si grup mediatik nuk imponon objektiva përmbajtësore apo politike, përkundrazi puna u besohet partnerëve vendas, që janë të angazhuar për gazetarinë cilësore. Kritika e dytë është më serioze dhe më ka prekur më shumë mua. Në Gjermani është e mundur, që kryeredaktorëve t´u thuhet: ´është përgjegjësia juaj se çfarë ndodh me përmbajtjen në medien tuaj, si komentohet dhe si sigurohen cilësia gazetareske, korrektesa dhe objektiviteti.` Ky ka qenë fillimisht parimi ynë edhe në Evropën Juglindore. Por ne na u desh ta modifikojmë disi atë. Ne na u desh fillimisht që të binim dakord me gazetarët e atjeshëm për standarde të përbashkëta. Në këtë drejtim na ka ndihmuar shumë Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve.

DW: WAZ si investues i huaj mund t´i mbrojë gazetarët prej influencës, por a nuk ka rrezik për t´u dobësuar prej presionit politik, prej varësisë pasi investimi duhet parashikuar afatgjatë në një treg të dobët reklame?

Hombach: E kundërta e kësaj është e drejtë: Ne nuk jemi të involvuar në struktura politike apo lidhje tarafi dhe nuk kemi asnjë lloj varësie. Pjesërisht ne nuk i njohim strukturat. Strukturat nuk kanë mundësi të na influencojnë ne direkt apo indirekt. Ne kemi një distancë të madhe dhe kjo është e rëndësishme. Ne kemi edhe interesa identike me vendet, ku investojmë.

Zentrum, Tirana, Albanien
Fotografi: DW

Ne duam, që ato të jenë të sukseshëm dhe të zhvillohen. Me zhvillimin e këtyre vendeve zhvillohemi edhe ne. Ne kemi pra një interes jetik për raporte të qëndrueshme dhe për zhvillim ekonomik. Ne kemi edhe interes, që këto suksese të bëhen të njohura në BE dhe ne ia transmetojmë ato BE-së. Unë besoj, se kjo është pozitive për të dyja palët pjesëmarrëse. Nuk është sekret të them, që zoti Solana gjatë krizës në Maqedoni më shkruajti mua dhe m'u lut që të aktivizohemi edhe në tregun mediatik shqiptar në Maqedoni, për të kontribuar që krahas zërit të partive të ketë edhe një zë të ekuilibruar. Ndaj ne jemi të gëzuar, që partneri ynë i ri ka tani synim që t´i ofrojë produktet e veta nga Shqipëria edhe në Maqedoni dhe në Kosovë. Unë do t´ia prezantojë projektin tonë zotit Solana dhe do të përpiqem për marrjen e liçencës edhe në Kosovë.