1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Humbje të ndjeshme për Unionin pas epokës Merkel

26 Shtator 2021

Rezultat zgjedhor i ngushtë ashtu siç parashikohej, megjithatë SPD sipas llogaritjeve të para(19:59) kryeson lehtë. Shenjat janë për ndryshim pushteti në Gjermani, por gjithçka tani varet nga Të Gjelbrit dhe liberalët.

https://p.dw.com/p/40tbz
Bundestagswahl 2021 | Wahlparty der SPD
Olaf Scholz entuziazmon socialdemokratëtFotografi: Britta Pedersen/dpa/picture alliance

CDU si e paralizuar. Entuziazëm tek qendra e Partisë Socialdemokrate, SPD. Këto zgjedhje në Gjermani po japin shenjat e ndryshimit të pushtetit. CDU-ja pësoi humbje të ndjeshme, dhe shënoi rezultatin më të dobët të të gjitha kohërave në federatë. Sipas llogaritjeve të para - aktualizim i orës 19:59 - Infratest dimap/ARD -  CDU/CSU arrin në 24,5%, rreth 8,2 pikë më pak se në vitin 2017, kurse SPD-ja 25,5%, rreth 4,4% pikë më shumë. Të Gjelbrit renditen të tretët me 13,8% para FDP-së me 11,7%, partia populiste e djathtë, AfD arrin 10.9%. Të Majtët pësuan humbje të ndjeshme dhe arritën vetëm kufirin 5%.

Me këtë rezultat (parapak) rritet pesha e Të Gjelbërve dhe liberalëve, roli i tyre është përcaktues në një koalicion të ri. Por vetëm muajt e ardhshëm do të tregojnë, se cilat parti do të krijojnë qeverinë e re në Gjermani. Në vitin 2017 kjo fazë zgjati gati një gjysmë viti.

Bundestagswahl 2021 | Wahlparty der CDU
Armin Laschet pretendon postin e kancelarit megjithë humbjet e CDU-sëFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Pokeri politik fillon

Pak minuta pas mbylljes së qendrave të votimit filloi pokeri politik. Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Paul Ziemiak, dukshëm i tronditur pas prognozave të patra, foli disa herë për "humbje të hidhura", që duhen analizuar. Në të njëjtën kohë ai u shpreh për një "koalicion të së ardhmes me Unionin, FDP-në dhe Të Gjelbrit". Ky koalicion thirret koalicioni Xhamajka në Gjermani, duke iu referuar flamurit të shtetit të Karaibeve. "Duhet të bëjmë atë që është e mirë për vendin tonë", tha Ziemiak.

Mes selisë së CDU-së, Konrad Adenauar Haus dhe selisë së SPD-së, Willy-Brandt-Haus ka një distancë prej 3,5 kilometrash, por e diela zgjedhore e zmadhoi shumë këtë distancë. Ai është "shumë krenar" për partinë e tij, tha ministri aktual i Punës, Hubertus Heil në një vlerësim të parë. CDU ka humbur, SPD shtoi votat. Kurse Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil shikon shprehimisht dhënien e mandatit nga votuesit për krijimin e qeverisë së re.

Bundestagswahl 2021 | Wahlparty der Grünen
Kandidatja e Të Gjelbërve priste më shumë, megjithatë Të Gjelbrit priten të jenë përcaktues në koalicionin e ardhshëmFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Tendenca

Me këtë konfirmohen në tendencë rezultatet e sondazheve, që të linin të kuptoje një ndryshim pushteti. Para gati një muaji, SPD për herë të parë në një sondazh të Forsas-s parakaloi CDU-në në preferencën e votuesve. Për një kohë madje kjo diferencë arriti 4 pikë. Prej 19 vitesh ishte Unioni që kryesonte sondazhet. Votimet e së dielës konfirmuan, se rezultati doli shumë më i ngushtë, se e mendonte SPD-ja. Por Unioni megjithatë është humbësi i së dielës.

Pjesëmarrja në votime sipas të dhënave ka qenë rreth 76%. Kjo i përgjigjet po asaj pjesëmarrjeje si në zgjedhjet e vitit 2017, 76,2%. E pazakontë ishte se në Berlin u votua edhe pas orës 18:00, sepse para qendrave të votimit ishin krijuar radhë të gjata votuesish, ose edhe sepse mungonin fletëvotime.

Laschet me pretendim për qeverisje

I pari nga të tre kandidatët për kancelar që doli para kamerave ishte Armin Laschet. Ai foli për një situatë të pazakontë, për herë të parë vendi duhet të drejtohet nga një koalicion me tre parti. Laschet formuloi pretendimin për postin e kancelarit. Ai theksoi qartë aspektet e ekonomisë dhe mbrojtjes së klimës. Laschet ishte ulur që në orën 17:00 në katin e fundit të Konrad Adenauer Haus së bashku me kancelaren Merkelpër të pritur rezultatet. Ditët e ardhshme do të jenë shumë intensive tek kristiandemokratët, pavarësisht çështjes së koalicionit.

Bundestagswahl 2021 | Wahlparty der FDP
Liberalët të lumtur për rezultatin dy shifrorFotografi: Sebastian Kahnert/dpa ZB/picture alliance

Pas Laschetit doli para kamerave, kandidati i socialdemokratëve, Olaf Scholz, i pritur me entuziazëm. Ai iu referua shtimit të votave të partisë së tij, dhe humbjeve tek Unioni. Scholz theksoi, se me këtë rezultat mandati për qeverinë i përket SPD-së. Kështu ka shumë shenja për një garë të fortë mes Unionit dhe SPD-së, se kush do të bëjë për vete Të Gjelbrit dhe liberalët.

Për herë të parë parlamenti i ri, Bundestagu, sipas deklaratave në ditën e zgjedhjeve, do të mblidhet në datën më të vonë të mundshme më 26 tetor. Por që të martën do të takohen disa grupe parlamentare për seancat e para, ku zgjidhen krerët e grupeve parlamentare. Tek Unioni priten përplasje, e mund të shtrohet edhe çështja e ndryshimeve në drejtim.

Zgjedhjet përfunduan, shenjat janë për ndryshim pushtetipor shumë çështje mbeten të hapura.

 

Strack Christoph Kommentarbild App
Christoph Strack Gazetar, autor dhe korrespondent i lartë që shkruan për çështjet fetare.@Strack_C