1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

041209 UN Klima Kopenhagen 2050

7 Dhjetor 2009

Viti 2050 është pika e referencës në bisedimet për klimën. Deri atëherë në mbarë botën duhet të pakësohen me rreth 80 përqind emisionet e gazrave që shkaktojnë efektin serë në raport me emisionet e vitit 1990.

https://p.dw.com/p/KrgD
A mund të arrihet objektivi i uljes me 2 gradë të ngrohjes së tokës?
A mund të arrihet objektivi i uljes me 2 gradë të ngrohjes së tokës?Fotografi: AP

“Viti 2050 më jep shkas për shqetësim. Ky është viti, që ne e marrim si pikë referimi për të gjitha problemet, që do të trashëgojnë brezat e ardhshëm. Në 2050-ën ajri është më i pastër, nuk ka më gazra të efektit serë, janë rritur pemë të reja, nëpër detra ka përsëri peshq. Por në analizë të thellë me vetveten unë e di që kjo nuk do të ndodhë."

Charles Hopkins është profesor në katedrën e UNESCO-s në Universitetin York në Toronto të Kanadasë. Mandati i profesurës së tij është: konceptet e kualifikimit për një zhvillim të qëndrueshëm. Ai është optimist, kur mendon për vitin 2050. Studiuesit e klimës janë të një mendimi, se në vitin 2050 të gjitha gazrat e ashtuquajtura antropogene të efektit serë të prodhuara prej nesh duhet të reduktohen thuajse në kuotën zero, në qoftëse ne duam të parandalojmë katastrofën klimaterike. Por nismat e studiuesve dhe ofertat e qeverive bien ndesh midis tyre. Për këtë do të debatohet në samitin e klimës në Kopenhagë.

Nismat e studiuesve bien ndesh me ofertat e qeverive

Në Kopenhagë duhet të merren vendime bazë dhe me largpamësi, thekson Dirk Messner, drejtor i Instituti gjerman për Politikën e Zhvillimit, ai është njëkohësisht edhe anëtar i Bordit të Konsulencës për Shkencën të qeverisë federale. Sipas tij në rast se nuk ndodh kështu pas 40 vjetësh ne do të gjendemi përballë faktesh të kryera: „Rezultati do të ishte, që një ndryshim i rrezikshëm i klimës do të shkaktonte një ngrohje deri në katër gradë. Kjo do të intensifikonte jashtëzakonisht rreziqet për sigurinë globale në të gjitha sferat: në bujqësi, ushqim, migracion, dhe pasojat ekonomike të ndryshimit të klimës. Ne do të gjendeshim në një botë të pasigurtë. Të gjithë ekspertët, të cilët trajtojnë këtë tematikë, tërheqin vëmendjen, se kostot për të përballuar këto probleme do të jenë shumë më të larta nga kostot që do të duhej të përballonim tani, nëse duam të evitojmë ndryshimin e klimës."

Shpërthim kullash për reduktimin e dioksidit të karbonit në Xinxiang.
Shpërthim i kullave ftohëse për reduktimin e dioksidit të karbonit në Xinxiang.Fotografi: picture-alliance / dpa

Ne mund ta vemë nën kontroll ndryshimin e klimës

Dirk Messner është bashkëautor i një raporti për emisionet globale të gazrave të efektit serë. Si shkencëtar ai është i ambjentuar me të menduarit në perspektivë afatgjatë. Ndaj atij nuk i vjen mirë që ne tani ta lemë të na ikë shansi nga dora. Ne mund ta vemë nën kontroll ndryshimin e klimës, thekson ai, por koha nuk pret: „Nëse ne na del nga duart problemi i klimës dhe gjendemi në rrugën drejt shoqërisë me kuotën e ngrohjes globale prej katër gradësh, sepse emetojmë shumë graza të efektit serë, atëherë nuk mund ta rikuperojmë më këtë ndryshim dhe pasojat do të vazhdojnë për shumë mijëvjeçarë.“

Mund të ndryshojnë shumë gjëra në shoqëri

Në aspektin teknik është e mundur që deri në vitin 2050 të ketë një ekonomi neutrale sa i përket dioksidit të karbonit. Për këtë të gjithë janë në unanimitet. Natyrisht ne duhet të ndryshojmë shumë gjëra. Por ndryshimet tashmë kanë nisur argumenton Yvo de Boer, drejtues i Sekretariatit të OKB-së për klimën: “Mjafton të shohim teknologjitë që zhvillohen sot, ne mund të transportojmë thuajse pa emisione të dioksidit të karbonit – nëse duam të paguajmë. Ne mund të prodhojmë me një ekonomi moderne agrare më shumë ushqime se sot. Ne mund t' i ndërtojmë shtëpitë tona me energji më eficinte. Ne duhet të pyesim veten, nëse vërtetë na duhet të shkojmë çdo ditë në një ndërtesë me zyra që të mund të punojmë me efikasitet tetë orë. Unë mendoj, se mund të ndryshojnë shumë gjëra në shoqërinë tonë.“

Vendimtare është që këto teknologji të jenë të prekshme për të gjithë, që ato të arrijnë vendet si në Jug edhe në Veri. Pikërisht në këtë drejtim duhet të sjellin një kthesë bisedimet për klimën në samitin e Kopenhagës: Barra e teknologjive të reja duhet të përpjestohet drejtë. Koha nuk pret.

Autor : Helle Jeppesen / Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi : Aida Cama