1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

I helmuar nga shërbimi sekret rus?

Silke Engel24 Nëntor 2006

Vdes në Londër ish-spiuni Litvinenko

https://p.dw.com/p/Ar9j
Ish agjenti rus Litvinenko pak përpara vdekjes

Aleksandër Litvinenko ka vdekur. Ish agjenti i shërbimit sekret rus vdiq të enjten (23.11) në mbrëmje, ndoshta nga pasojat e një helmimi. Kritiku i Putinit i cili jetonte në mërgim në Britaninë e Madhe përpara vdekjes kishte shprehur dyshimin se shërbimi sekret rus e kishte helmuar në fillim të këtij muaji.

Mjekët provuan gjithçka për t'i shpëtuar jetën, u tha në Londër. Shërbimi informativ britanik, Scotland Yard, do të hapë tani hetimet për sqarimin e shkaqeve të vërteta të vdekjes. Familja mban zi për ish-agjentin. Litvinenko ka qenë i vetëdijshëm deri në fund dhe ka vdekur me dinjitet, ka deklaruar miku i tij Alexander Goldfarb. Ashtu si dhe vetë Livinenko ai beson në helmimin e qëllimshëm. "Jemi të tronditur dhe të indinjuar nga ky krim i tmerrshëm" ka thënë Goldfarb.

Toksikologët vazhdojnë ndërkohë hetimet për të zbuluar se me çfarë substancash është helmuar Litvinenko dhe kush ka qenë shkaku i vërtetë i vdekjes. Në fund gjendja e tij ishte përkeqësuar në mënyrë dramatike, Litvinenkos i ranë flokët dhe në momentin e shtrimit në repartin e terapisë intensive kishte humbur vetëdijen. Informacionet sipas të cilave organizimi i tij ishte i rënduar edhe me rrezatim radioaktiv nuk janë konfirmuar deri tani.

Scotland Yard po përpiqet të sqarojë sfondin e rastit misterioz. Ka qenë helmi vërtet i fshehur në ushqimin e konsumuar nga ish-agjenti në një restorant në Londër në fillim të muajit nëntor? Dhe para së gjithash kush fshihet pas atentatit? Litvinenko dhe miqtë e tij dyshojnë se është fjala për shërbimin sekret rus. Ish-spiuni konsiderohet si një nga kritikët e ashpër të presidentit rus Vladimir Putin. Në vitin 2000 ai braktisi Rusinë bashkë me gruan dhe fëmijën për të kërkuar strehim në Britaninë e Madhe, ku mori azil politik. Në shumë publikime ish spiuni ka kritikuar ashpër kurrupsionin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Çeçeni. Sipas Litvinenkos shërbimi sekret rus ka luajtur një rol vendimtar në Çeçeni.

Nëse rezulton se Moska vërtet është e përzier në këtë krim do të bëhej fjalë për një incident të llojit të luftës së ftohtë. Vdekja e Litvinenkos ka errësuar takimin e nivelit të lartë mes BE-së dhe Rusisë që po mbahet në kryeqytetin finlandez Helsinki. Në vend që të flasë për temën e samitit, përmirësimin e marëdhënieve mes BE-së dhe Rusisë, presidentit rus Vladimir Putin do t'i duhet me siguri të përballet me pyetjet e gazetarëve mbi vdekjen e ish-agjentit.