1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

180410 Krakau Trauerfeier

19 Prill 2010

Në një meshë të përmortshme, polakët dhe miq të huaj të ftuar i dhanë lamtumirën Lech Kaczynskit. Më e rëndësishmja nga ana politike ishte prania e presidentit rus, Medvedjev.

https://p.dw.com/p/MzzP
Ushtarët polakë mbajnë arkivolin e presidentit Lech Kaczynski. Krakov 18 prill, 2010.
Fotografi: AP

Kur 800 miqtë e ftuar në kishën e Shën Mërisë në Krakov nisën të këndojnë një këngë patriotike ringjalljeje, jashtë, në Tregun Historik të qytetit rreth 50 mijë vetë në zi tundën flamujtë kombëtarë bardh e kuq dhe flamurë ku ishte shkruar emri i sindikatës Solidarnost. Në disa ekrane gjigande në qytet, rreth 100.000 vetë e ndoqën ceremoninë e përmortshme. Ata patën ardhur nga i gjithë vendi, për t'i bërë nderimet e fundit çiftit presidencial:

Vëllai i presidentit Kaczynski, Jaroslaw, vajza e presidentit Maria me bashkëshortin dhe vajzën e tyre të vogël Eva, në krye të procesionit drejt kodrës Wawel në Krakov. 18.04.2010.
Vëllai i presidentit Kaczynski, Jaroslaw, vajza e presidentit Maria me bashkëshortin dhe vajzën e tyre të vogël Eva, në krye të procesionit drejt kodrës Wawel në Krakov. 18.04.2010.Fotografi: picture-alliance/dpa

"Ky është mësim historie për mua dhe fëmijët e mi. Kjo është një ngjarje e thellë, por shpresoj që të mos përjetojmë më asnjëherë një gjë të tillë."

"Unë kam përshtypjen se po marr pjesë në një ngjarje të madhe, historike."

"Unë kam ardhur për t'u ndarë nga presidenti. Unë isha 11 vjeç, kur prita këtu për arkivolin e Marshall Pidulskit. Tani jam 86 vjeç dhe po ndahem nga presidenti ynë. Nuk ma pati marrë mendja se do ta përjetoja edhe njëherë një gjë të tillë."

Për shkak të bllokimit të qarkullimit ajror në të gjithë Evropën, në ceremoni arritën të shkojnë vetëm pak kryetarë shtetesh dhe qeverish.

Presidenti gjerman Köhler, bashkëshortja e tij Eva Luise Köhler dhe ministri i Jashtëm Westerwelle, shkruajnë në librin e ngushëllimeve pas ceremonisë mortore në katedralen e Wawelit.
Presidenti gjerman Köhler, bashkëshortja e tij Eva Luise Köhler dhe ministri i Jashtëm Westerwelle, shkruajnë në librin e ngushëllimeve pas ceremonisë mortore në katedralen e Wawelit.Fotografi: AP

Presidenti federal i Gjermanisë, Köhler, ministri i Jashtëm Westerwelle dhe anëtarët e tjerë të delegacionit gjerman patën shkuar me një helikopter. Nga Moska në Krakov kishte ardhur presidenti Dmitri Medwedew, në delegacionin e madh të tij bënte pjesë edhe ministri i Jashtëm, Sergei Lawrow.

Trëndafilë të kuq nga presidenti rus Medwedew.
Trëndafilë të kuq nga presidenti rus Medwedew.Fotografi: picture-alliance/dpa

Para kishës ai vendosi një buqetë me trëndafila të kuq dhe ndezi një qiri. Medwedew-i tundi kokën me aprovim, kur kardinali Stanislaw Dziwis tha gjatë meshës, se tragjedia e Smolenskut ishte bërë shkas edhe për diçka të mirë:

"Ndjenja e simpatisë dhe ndihma që përjetuam këto ditë nga vëllezërit tanë rusë, rigjallëron shpresat për një afrim dhe pajtim të dy popujve tanë sllavë. Këto fjalë unë ia drejtoj zotit President të Rusisë."

Pas meshës së përmortshme, pjesëtarë të familjes, politikanë dhe klerikë i shoqëruan arkivolet me trupat e çiftit presidencial në kishën Wawel. Në një kriptë, varrezë në katedralen e kështjellës, do të prehen Lech Kaczynski dhe e shoqja, brenda një sarkofagu të bardhë prej alabastre. Në muajt e mëpasëm, në varrezë do të vendoset edhe një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë viktimave të rrëzimit të avionit.

Autor: Ludger Kazmierczak / Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani