1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

160609 Habermas 80

Philipp Bilsky/Vilma Filaj-Ballvora20 Qershor 2009

Ai i ka dhënë tonin debatit publik në RFGj si askush tjetër - Jürgen Habermas konsiderohet një ndër filozofët e shkëlqyer të Gjermanisë. Ai ka lexues në mbarë botën. Me 18 qershor filozofi feston 80 vjetorin e lindjes

https://p.dw.com/p/ISn4
Jürgen HabermasFotografi: dpa

Të ftuar janë shumë personalitet, kur Jürgen Habermas në tetor 2001 merr "Çmimin e Paqes të Rrjetit gjerman të Tregtimit të Librit" në kishën historike të Shën Palit në Frankfurt. Krahas ish-presidentit të atëhershëm Johannes Rau, qëndrojnë edhe ish-kancelari Gerhard Schrëder dhe ish-ministri i Jashtëm Joschka Fischer. Filozofi, i cili qysh nga fëmijëria vuan nga një vështirësi në të folur, në fjalën e tij të falenderimit trajton, në mënyrën siç e njeh publiku atë, tema të mprehta të kohës, siç është edhe globalizimi.

Çmimi është vetëm njëri prej çmimeve, që ka marrë Habermas gjatë jetës së tij. Por ky çmim është një ndër më të rëndësishmit.

Juergen Habermas
Filozofi Jürgen Habermas pas marrjes së çmimit në Frankfurt, tetor 2001Fotografi: AP

Habermas konsiderohet si filozofi më i rëndësishëm bashkëkohor i Gjermanisë. Një titull, që ai e mban me plot të drejtë, mendon Stefan Müller-Doohm, sociolog dhe autor:

„Habermas është një njeri, që pranon thuajse çdo rrymë mendimi, i verifikon ato dhe përpiqet t' i përvetësojë e t' i çojë edhe më tej ato. Ky është një tipar gjenial i tij: të qenit i hapur për të thithur dhe për t' i evoluuar mendimet. “

Habermas lindi në vitin 1929 në Dyseldorf. Pas studimeve ndër të tjera në filozofi, histori dhe psikologji ai iu drejtua shpejt së ashtuquajturës "shkolla e Frankfurtit" [një grup me influencë i shkencëtarëve socialkritikë]. Menjëherë ai bëri emër teksa në vitin 1962 me tezën e tij të profesurës „Transformimi strukturor i publikut". Në këtë studim ai trajton një çështje, që do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës: Si funksionon publiku, ose më mirë si duhet të funksionojë:

Deutschland Philosophie Jürgen Habermas und Alexander Mitscherlich Frankfurter Schule
Juergen Habermas dhe Aleksander Mitscherlich në Frankfurt mbi Main1976Fotografi: ullstein bild - Meller Marcovicz

„Ai niset nga mendimi, se publiku - edhe publiku i përçuar nga media - është një kusht thelbësor dhe një premisë për demokracinë.“

Si vepra kryesore e Habermas-it konsiderohen dy volumet e „Teorisë së veprimit komunikativ". Një temë kryesore: "diskursi teorik" - shkëmbimi i argumentave. Eshtë shumë e vështirë të përmbledhësh në një fjali mbi 1000 faqet e kësaj vepre. Müller-Doohm përpiqet megjithatë ta bëjë këtë:

„Unë do të thoja, se teza kryesore është përpjekja për të paraqitur se ku konsiston arsyeja. Habermas-i përpiqet të tregojë se arsyeja konsiston në vënien e arsyes në përdorim. Mjeti i përdorimit të arsyes janë argumentat e mira. Pra: do të thotë që ne mund t' i besojmë logjikës së argumentit më të mirë."

Krahas karrierës së tij si akademik Habermas vazhdimisht merr pjesë aktive në diskutimin publik. Më i njohur mbetet edhe sot e kësaj dite kontributi i tij për të ashtuquajturën „Grindja e historianëve" në vitin 1968 – një debat mbi domethënien e së kaluarës gjermane.

„Pozicioni i tij ishte, që nacionalsocializmi nuk duhet të minimizohet si i padëmshëm. Sipas tij duhet që të përballemi me historinë gjermane dhe nuk duhet pranuar asnjë relativizim.“

Grindja e historianëve është vetëm një shembull nga shumë të tjerë. Habermas-i merr pjesë në debatet për bioetikën, për gjenetikën, për luftën e Gjirit Persik, por edhe për dominancën kërcënuese të tregjeve. Edhe me 80 vjeç Habermas vazhdon të konsiderohet si një shkrues i palodhur. E siç beson së paku Müller-Doohm angazhimi i tij nuk duket se ka fund:

„Unë kam përshtypjen, se nga Habermas-i ende mund të presim të reja.“