1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ibrahimi: Mjetet e Fondit Pensional Invalidor të Kosovës vazhdojnë të mbeten në Serbi

29 Gusht 2009

Drejtori i Adminstratës Pensionale të Kosovës, Basri ibrahim flet në mikrofonin e Deutsche Welles për skemën pensionale të Kosovës

https://p.dw.com/p/JLHn
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Sindikata e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës e Kosovës, me 31 dhjetor të vitit 1998, gjithsej numëronte 91 635 kontributdhënës, të cilët kishin deponuar kontributet për sigurim pensional invalidor. Pas marrjes së autonomisë së Kosovës kontributet që kapnin shumën prej 2 miliardë eurosh, me ligjet e Serbisë u bartën në këtë republikë. Nga fundi i vitit '98, Serbia ndaloi dhënien e pensioneve për shqiptarët e Kosovës. Megjithatë një numër i atyre shqiptarëve të Kosovës të cilët pensionet e tyre para luftës i kishin pranuar përmes xhirollogarisë bankare e jo direkt nga arka e pensioneve kanë vazhduar ta gëzojnë edhe më tej këtë të drejtë. Për të mësuar më shumë lidhur me këtë çështje ne në mikrofonin e DW-së ftuam Basri Ibrahimin, drejtor i Adminstratës Pensionale të Kosovës. Ibrahimi:

Basri Ibrahimi: "Fillimisht unë do të kthehem pak në historikun e fillimit të aplikimit për pensionet në Kosovë. Deri në vitin 2002 nuk ka patur asnjë lloj të pensionit pasi që dihet se pas luftës Serbia e përvetësoi Fondin Pensional Invalidor dhe nuk kishte asnjë mjet për pagimin e të gjithë atyre që kishin kontribuar në këtë fond. Në vitin 2001 UNMIK-u nxorri një rregullore me të cilën u vendosën bazat e para për të lejuar dhënien e pensioneve në Kosovë. Këto lloj pensionesh janë të ndryshme të cilat nuk varen nga kontributet e punëtorëve e as të punëdhënësve por është kategori buxhetore e cila vlen për të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët i plotësojnë kriteret e caktuara që janë shumë të thjeshta: pra aplikuesi duhet të ketë 65 vjet dhe të jetë banor i Kosovës çka dëshmohet dikur me kartën e identitetit të UNMIK-ut e tani me atë të Republikës së Kosovës. Nëse shihen shifrat e përgjithshme, totali i këtyre pensioneve është 141 260 persona ndërsa prej tyre serbë janë 28 958 persona që do të thotë 20 % nga shuma e përgjithshme e atyre që përfitojnë pensionet bazike apo siç i quajmë ne pensionet e pleqërisë. Sa i përket pyetjes suaj ne nuk kemi informacione dhe në Kosovë zyrtarisht banorët e Kosovës nuk marrin pensione nga Fondi Pensional Invalidor i Serbisë".

DW: Po serbët të cilët kanë vazhduar të marrin pensionet nga fondi i Serbisë a e marrin edhe pensionin e ashtuquajtur themelor, nga buxheti i Kosovës ?

Basri Ibrahimi: "Parimisht të gjithë ata që marrin pensionin në Serbi nuk do të ishte dashur të marrin edhe në Kosovë sepse kriter themelor për të gëzuar të drejtën e pensionit në Kosovë është të jesh banor i Kosovës dhe të banosh në Kosovë por mund të ketë raste të tilla që ata të marrin edhe pensione në Serbi. Megjithatë ne nuk kemi asnjë informacion sepse bashkëpunimi i Administratës Pensionale të Kosovës me Fondin Pensional Invalidor të Serbisë nuk ekziston fare d.m.th. ne nuk kemi asnjë informacion dhe nuk e dimë se a marrim apo jo. Zyrtarisht ne nuk kemi asnjë informatë për këtë çështje".

DW: Zoti Ibrahimi ku janë aktualisht kontributet e paguara deri në vitet e 90-ta të punëtorëve kosovarë?

Basri Ibrahimi: "Për fatin e keq ato kontribute të paguara janë sot në Serbi dhe ne nuk kemi mundësi që të disponojmë ato mjete dhe t'i kompensojmë ata që kanë dhënë kontributet e tyre me vite të tëra. Ka patur të atillë që kanë punuar edhe me nga 30-40 vite dhe sot ato mjete janë në Serbi dhe nuk mund të shfrytëzohen për atë çfarë janë paguar. Qeveria e Kosovës dhe shteti i Kosovës është munduar që ata njerëz sado pak t'i kompensoj dhe me një vendim të qeverisë të vitit 2007 të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë kontribuar dhe arrijnë të dëshmojnë se kanë 15 vjet pune atëherë i marrin edhe nga 35 euro shtesë. Mirpo edhe kjo është kategori buxhetore dhe nuk varet nga kontributet e paguara por nga buxheti i Kosovës. Aktualisht në këtë skemë pensionale janë rreth 29 000 persona".

DW: Klasa politike kosovare pati premtuar para shpalljes së pavarësisë se pas pavarësimit të vendit do të mirret shumë seriozisht me këtë çështje. Çfarë është bërë deri tani në këtë drejtim?

Basri Ibrahimi: "Edhe pse kjo është një çështje politike e cila nuk i takon sferës sime ku unë punoj si drejtor i Administratës Pensionale të Kosovës mund të them, me aq sa unë kam njohuri, se janë bërë përpjekje nga institucionet e Kosovës por edhe nga faktori ndërkombëtar që të bisedoi me Serbinë dhe t'i kthej ato mjete mirpo për fatin e keq sikur në të gjitha sferat e tjera ku Serbia mban qëndrim negativ dhe nuk dëshiron që ta pranoj realitetin e krijuar në Kosovë ajo nuk dëshiron të bisedoj as për këtë çështje. Në këtë mënyrë ato mjete vazhdojnë të mbeten ende në Serbi dhe nuk u kthehen pronarëve të vërtetë, punëtorëve të Kosovës".

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi