1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Identifikohen nxitësit e grindjes me banorët e një lagjeje të Shkupit

17 Gusht 2009

Policia maqedonase po grumbullon të gjitha informacionet për të hequr çdo dyshim në zbardhjen e grindjes mes tifozëve të Vardarit dhe banorëve të lagjes Nerez të Shkupit

https://p.dw.com/p/JD39
Arrestohen nxitësit e grindjes së fundit mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Ne foto: pamje nga qendra e Shkupit
Arrestohen nxitësit e grindjes së fundit mes maqedonasve dhe shqiptarëveFotografi: DW

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka konfirmuar se në incidentin e djeshëm midis një grupi tifozësh të ekipit të futbollit, Vardar nga Shkupi dhe banorëve të lagjes Nerez janë plagosur 7 qytetarë, ndërsa janë dëmtuar mbi 10 automjete private. Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska thotë se tetë persona të përfshirë në incident janë identifikuar dhe për ta është ngritur aktpadi penale.

“Policia me këtë identifikim të shpejtë dëshiron të dërgojë tek të gjithë qytetarët mesazhin se dhuna nuk do të tolerohet, pa marrë parasysh se nga vjen ajo. Çdo dhunë do të sanksionohet dhe çdo i përfshrë në të do të marrë dënimin e merituar”, thotë ministrja Jankullovska.

Ajo nuk ka dashur të komentojë se kush ka qënë iniciatori i incidentit të djeshëm, me arsyetimin se policia po grumbullon të gjitha informacionet për të hequr çdo dyshim në zbardhjen e këtij rasti. Mediat kanë kritikuar policinë për incidentin, meqë sipas tyre ka munguar ndërhyrja e shpejtë dhe menaxhimi i sukseshëm i situatës së krijuar. Këtyre akuzave, Jankullovska i përgjigjet:

“Nëse vlerësojmë se ndonjë pjesëtar i policisë nuk e ka kryer obligimin ashtu siç duhet në parandalimin e këtij incidenti ndaj tyre do të ndërmerren masa disiplinore”, vlerëson Jankullovska.

Reagime pati edhe nga partitë shqiptare. Xhevat Ademi, deputet i BDI-së, ka kërkuar që ideatorët dhe skenaristët dashakqinj që dëshirojnë zhvendosjen e vëmendjes së opinionit të dënohen në afat sa më të shpejtë. Për deputetin e Demokracise së Re, Besim Dogani, incidenti në Nerez është rast pa precedent dhe si i tillë i patolerueshëm.


Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi