1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Identitet i dyfishte, por jo shtetesi e dyfishte

Dafne Antahopulos14 Prill 2005

Turqit me shtetesi dyfishte sipas ligjit hyjne tek te huajt - Shili kërkon nga Turqia listat e personave me dyshtetësi

https://p.dw.com/p/Ar46
Ne Gjermani jetojne 2,2 milione turq, Pamje nga dita e turqve ne Berlin (Mai 2002)
Ne Gjermani jetojne 2,2 milione turq, Pamje nga dita e turqve ne Berlin (Mai 2002)Fotografi: AP

Nga ana juridike është më se e qartë: Kush merr nënshtetësinë gjermane, humbet automatikisht shtetësinë e mëparshme. Ky ligj ka hyrë në fuqi nga janari i vitit 2000. Deri atëherë ekzistonte mundësia e përdorimit të të dy pashaportave. Profesor Ulrih Battis, ekspert për të drejtën e shtetësisë në universitetin Humboldt të Berlinit, tregon se përse u shtrëngua ligji i nënshtetësisë:

"Ekziston një parim bazë në të drejtën ndërkombëtare, sipas të cilit shtetet kane interes qe qytetaret e tyre te kene vetem nje shtetesi. Kjo, për të patur konkurrencë, për shembull sa i përket burrave që duhet të kryejnë shërbimin ushtarak. Në këtë pikë duhet te kete qartesi edhe per shkak te lojalitetit."

Për çdo rregull ka një përjashtim. Shtetasit e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian mund ta mbajnë shtetësinë e tyre të mëparshme. Edhe fëmijët nga martesat e përziera, gjermanët e ardhur me vonesë dhe disa përjashtime të tjera mund të marrin dy pasaporta. Por keto raste jane te veçanta.

Të huajt që marrin nënshtetësinë e dinë fare mirë këtë. Kur bën kërkesë për nënshtetësi në Gjermani, atyre u bëhet e qartë, që do ta humbasin nënshtetësinë e vjetër, thotë Batis. Vendi i tyre duhet të miratojë heqjen e nënshtetësisë, e anasjelltas: Kush merr një nënshtetësi tjetër duhet të dorëzojë atë gjermane. Turqit këtë nuk e kanë bërë. Pasi kanë marrë gjermanen, ata kanë bërë kërkesën fshehurazi për nënshtetësinë turke. Battis sqaron:

"Kjo natyrisht që ndodh në rrugë jolegale. Duhet pasur parasysh, që shumë prej turqve që jetojnë në Gjermani, kane në Turqi pasuri e tokë, blejnë, shesin, hapin biznese e marrin kredi. Per kete u nevojitet shtetesia."

Në të gjithë Gjermaninë mendohet të ketë disa mijëra persona me shtetësi gjermano turke. Këto të dhëna kanë ardhur nga Ankaraja. Ministri gjerman i punëve të brendshme, Oto Shili, kërkon nga Turqia tani listën me të gjithë turqit e rishtetëzuar. Në këtë mënyrë mund të shihet se kush e ka humbur shtetësinë gjermane, ka thënë Shili të takimin e së hënës (11.04.) me homologun e vet, Abdullkadir Aksu, në Berlin.

"Për këtë ekziston një marrëveshje shumëlaterale, CESIS. Eshtë propozuar që aty te hyje edhe Turqia. Por nevojitet kohë. Ajo me pas do te duhet tö ratifikohet e te kaloje neper procedurat e te drejtes juridike. Prandaj është mirë që të kemi një marrëveshje bilaterale."

Ministri turk i punëve të brendshme, Aksu, nuk ka reaguar ende ndaj kërkesës së Shilit. Në qoftë se Turqia nuk do t’i dorëzojë listat organet gjermane i kanë duart e lidhura, thotë Batis:

"Në të drejtën ndërkombëtare ekziston parimi i këshillimit dhe kooperimit reciproik. Por këtu kemi të bëjmë me "ligje të buta". Kjo do të thotë, që zbatimi i ligjeve nuk mund të detyrohet me vendim gjyqësor."

Ata që e kanë prej kohësh nënshtetësinë e dyfishtë, kanë qenë të pafatö. Köta tani do të trajtohen si të huaj, dhe do të duhet të kërkojnë nga e para të drejtën e qendrimit. Krahas ecejakeve lart e poshtë nëpër zyra, ndoshta do t’u duhet t’u japin edhe një herë një provim gjuhësor. Teorikisht mund ta rifitonin përsëri nënshtetësinë gjermane, thotë Battis:

"Nuk përjashtohet mundësia që keta të marrin përsëri nënshtetësinë gjermane, nëqoftëse nënshkuajnë që do të heqin dore nga ajo turke. Por duhet ta kenë parasysh, që lojëra të tilla si macja me miun, që njëherë ta heqin e më vonë ta marrin përsëri nënshtetësinë turke, organet gjermane nuk kanë për t'i pranuar më."

Në qoftë se organet gjermane do ta marrin vesh këtë.