1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Imazhi për islamizmin në Gjermani - Qëndrimi publik ndaj frikës prej islamizmit

Henriette Wrege6 Nëntor 2007

Qysh pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, 11 marsit 2004 në Madrid dhe 7 korrikut 2005 në Londër po përforcohet frika e shoqërive perëndimore ndaj islamizmit.

https://p.dw.com/p/C0w8
Dita e Xhamive të hapura, Xhamia Sehitlik, 10 shtator 2007
Dita e Xhamive të hapura, Xhamia Sehitlik, Berlin 10 shtator 2007Fotografi: picture-alliance/dpa

Drejtori i Institutit për të Drejtat e Njeriut në Gjermani ka publikuar një broshurë, në të cilën analizohen shkaqet për frikën e gjermanëve ndaj islamizmit dhe propozohen strategjitë për shmangien e kësaj dukurie. Në Gjermani kjo frikë shprehet ndër të tjera edhe përmes rezistencës kundër ndërtimit të xhamive, frikës që një tjetër fe përveç asaj të krishterë po del në pah. Këtij orientimi i përkasin edhe deklaratat e ish- kryeministrit të Bavarisë Shtojber (Stoiber), që minaretë nuk duhet të ngrihen më lart se kambanoret e kishave.

Para fillimit të muajit të Ramazanit një vajzë turke bisedon me dy gjermane. 500 myslimanë dhe jomyslimanë mblidhen çdo mbrëmje të hanënë çadrën e ngritur në Kennedyplatz
Para fillimit të muajit të Ramazanit një vajzë turke bisedon me dy gjermane. 500 myslimanë dhe jomyslimanë mblidhen çdo mbrëmje të hanënë çadrën e ngritur në KennedyplatzFotografi: picture-alliance/dpa

Liria fetare:bindjet fetare mund të shfaqen dukshëm

Liria fetare është një e drejtë e ankoruar në kushtetutën gjermane, thotë Heiner Bielefeld, drejtor i Institutit Gjerman për të Drejtat e Njeriut në Berlin. Kjo e drejtë presupozon, që bindjet fetare dhe jeta të mund të shfaqen në mënyrë të dukshme. E njëjta gjë vlen jo vetëm për besimin kristian, por edhe për të gjitha fetë e tjera. Njëkohësisht ai shpreh mirëkuptim për ata njerëz në radhët e popullsisë gjermane, që i trëmben islamizmit. Por ai bën thirrje në përgjithësi për krijimin e një kulture liberale dhe të hapur diskutimi. "Nuk është fjala aspak që të fshehim frikën, që të mos hapemi dhe as të mos e shprehim pakënaqësinë. Të gjitha këto duhet të diskutohen hapur. Por e rëndësishme është që edhe të prekurit, edhe myslimanët në këtë rast të pranohen me shumëllojshmërinë e tyre dhe ky është një parim i korrektesës. Çdo njeri i veçantë duhet të vlerësohet seriozisht si individ, dhe nuk duhet thënë epo ata kështu janë."

Rezerva ndaj islamizmit në çdo fushë

Heiner Bielefeld konstaton, se ka rezerva ndaj islamizmit në të gjitha kampet politike dhe në shtresa të ndryshme të shoqërisë gjermane. Këto rezerva nisin qysh nga frika për identitetin kulturor, për të vazhduar me shqetësimin për sigurinë e brendshme e deri tek synimi për të ruajtur arritjet emancipuese, shkruan ai. Por jo vetëm në mesin e gjermanëve ka karakterizime përgjithësuese dhe stigmatizim kundrejt islamizmit, kjo ndodh madje edhe nga ana e vet myslimanëve.

Kopertina e librit të Faruk Seni dhe Hayrettin Aydin - Islamizmi në Gjermani
Kopertina e librit të Faruk Senit dhe Hayrettin Aydinit - Islamizmi në Gjermani

Mediet fajtore?

Nëse të gjithë gjermanët nënvleftësohen si njerëz që hanë mish derri dhe të pafe, kjo nuk tregon respekt të pakicës myslimane ndaj shumicës kristiane shekullariste, thotë juristja Zymryt Gylbay, anëtare e Konferencës gjermane për Islamizmin. Ku i sheh ajo shkaqet për frikën që kanë gjermanët? "Një përgjigje e thjeshtë do të ishte: mediet janë fajtore. Mediet preferojnë të trajtojnë tema, që ngjallin frikën. Islamizmi të ngjall frikë. Vetëm termi islamizim është mjaft interesant. Përpara dy ose tri vjetësh asnjë njeri nuk e zinte në gojë këtë fjalë, ndërsa sot e gjithë bota flet për këtë. Unë e kuptoj, që njerëzit kanë frikë, por nuk e kuptoj se përse këto njerëz nuk hedhin edhe hapin e dytë pasi kanë konstatuar, se kanë frikë, që të zbulojnë se nga çfarë kanë frikë. Sepse nuk ka islamizëm, islamizmin ata nuk e takojnë në rrugë, islamizmi nuk u shtrëngon duart njerëzve dhe islamizmi nuk blen në supermarket, por ka njerëz për të cilët mund të krijosh një imazh."

Zymryt Gylbay jeton qysh prej 30 vjetësh në Gjermani. Kur ajo përpara dhjetë vjetësh u emërua profesore në shkollën e lartë profesionale në Anhalt, ishte vetëm 28 vjeç dhe kësisoj profesorja më e re në Germani. Në debatin për integrimin dhe migracionin historia e saj tregohet vazhdimisht dhe nxirret në pah prej medieve gjermane: Vajza turke nga lagja e punëtorëve të Berlinit, Veding ka bërë karrierë. Kështu edhe ministria e brendshme u interesua për të dhe ministri i brendëshëm Shojble (Schäuble) e angazhoi atë në Konferencën gjermane për Islamizmin.

Një e re mban shami koke me ngjyrat e flamurit gjerman. Nën moton "Mjaft me pseudolirinë e fesë" disa vajza dhe gra protestojnë para Katedrales së Këlnit kundër ndalimit të shamisë së kokës, 2004
Një e re mban shami koke me ngjyrat e flamurit gjerman. Nën moton "Mjaft me pseudolirinë e fesë" disa vajza dhe gra protestojnë para Katedrales së Këlnit kundër ndalimit të shamisë së kokës, 2004Fotografi: dpa

Kushtetuta cakton rendin e vlerave

Gylbay: "Në qëndrimin mes myslimanëve dhe kristianëve nuk duhet të ketë ndonjë vendim për ndonjë rend vlerash, sepse ne kemi një rend vlerash dhe kjo është kushtetuta. Kushdo, që jeton në territorin e Republikës Federale të Gjermanisë duhet të veprojë brenda kuadrit të kushtetutës. Kjo nuk do të thotë, se islamizmi është më antidemokratik dhe se kristianët janë më demokratë apo të tilla krahasime të ngjashme. Kjo do të thotë vetëm një gjë: unë mund të kërkoj aq të drejta sa është e gatshme të më japë kjo demokraci. Një demokraci, në të cilën gjithkush do të verë në jetë njëqind për qind të drejtat individuale nuk është më demokraci dhe nuk mund të funksionojë. Kjo nga ana tjetër nuk do të thotë as që demokracia është armiqësore ndaj islamizmit, apo që njerëzit këtu janë armiqësorë kundrejt islamizmit, por kjo do të thotë, që ka një vendim me shumicë për një lloj bashkëjetese."

Gjermania shoqëri multikulturore

Kjo duhet të ruhet, thekson Zymryt Gylbay. Ajo angazhohet, sepse ajo dëshiron t´ia shpërblejë shoqërisë gjermane. Tek e fundit shoqëria gjermane i dha asaj mundësinë që të mbarojë gjimnazin dhe të studiojë. Prindërit e saj në vitet 70-të erdhën në Berlin si punëtorë të huaj, Gastarbeiter. Për të mbajtur familjen me gjashtë pjesëtarë ata punonin në një fabrikë. "Kush nuk mëson gjë duhet të ngrejë thasë", thoshte gjithnjë nëna e saj. E pra ajo mësoi diçka dhe u etablua. Kësaj ajo ia arriti në një kohë që në Gjermani injorohej shprehja vend emigracioni. Në këtë drejtim sot ka ndryshim rrënjësor, thotë mbrojtësi i të drejtave të njeriut Heiner Beielefeld: "Për një kohë të gjatë në Gjermani trumbetohej me të madhe që nuk jemi vend emigracioni, kjo përbënte refuzim të realitetit. Tashmë kanë kaluar ato kohë. Në fund të viteve 90-të u krijua një konsensus: se ne jemi shoqëri emigracioni, apo që ne na pëlqen ose jo termi, jemi shoqëri multikulturore. Këto konseguenca ne ende nuk i kemi përpunuar krejtësisht."

Diskriminimi duhet shprehur hapur- Jo çdo kritikë është paragjykim

Ai thekson, se imazhi i tij i përgjithshëm për këto zhvillime nuk është aq negativ. Takimi i nivelit të lartë për islamizmin vitin e shkuar, sipas Heiner Bielefelit përbën një pikëkthese. Këtë e përforcon edhe fakti që për herë të parë një ministër i brendëshëm gjerman deklaroi: "Në vend jetojnë tre milionë myslimanë dhe ata janë një komponente e qëndrueshme e shoqërisë sonë." Pjesëtarëve të këtij minoriteti nuk duhet t´u hiqen shanset qysh në fillim, që ata të dëgjohen si partnerë në diskutimin publik, thotë Heiner Bielefeld: "Fjala është për një bashkëjetesë pa diskriminim në këtë shoqëri. Mohimi i diskriminimit është një pretendim për të gjithë shoqërinë. Shteti duhet të japë për këtë kontributin e vet të veçantë. Ndonëse jo çdo vlerësim kritik duhet të cilësohet si paragjykim. Por ne tani po përjetojmë një polarizim në diskutim, në të cilin ka shumë paragjykime, shumë klishe dhe të prekurit nuk dëgjohen fare, sepse shkohet me mendjen, që dimë gjithcka se çfarë thonë dhe çfarë mendojnë ata. Këtë unë e konsideroj si një zhvillim negativ dhe që nuk përputhet me pretendimin tonë njerëzor për të formësuar këtu bashkëjetesën tonë. Të punojmë në këtë drejtim është detyra e të gjithëve." Thotë Heiner Bielefeld, drejtor i Insitutit gjerman për të Drejtat e Njeriut në Berlin.