1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Imigrantët e papunë mund të përjashtohen nga ndihma sociale

Barbara Wesel12 Nëntor 2014

Gjermania edhe në të ardhmen mund t'u refuzojë ndihmën sociale imigrantëve të papunë nga vende të tjera të BE-së. Kështu Gjykata Evropiane konfirmoi ligjin gjerman.

https://p.dw.com/p/1DlZe
Fotografi: picture-alliance/Horst Galusch

Rrallë ngrenë kaq shumë pluhur proceset para Gjykatës Evropiane në Luksemburg, si në rastin Dano. Padia e rumunes së papunë për të përfituar ndihmë sociale në Gjermani u bë simbol i konfliktit rreth rrezikut të mundshëm për arkat sociale nga një migracion masiv për shkak të varfërisë në vende më të pasura të BE-së. Rasti i Elisabeta Danos dhe djalit të saj Florian është shembull për këtë: ajo jeton që prej vitit 2010 tek motra e saj në Leipzig dhe nuk ka punuar asnjëherë as në Rumani dhe as në Gjermani. Autoritet e ndihmës sociale i akorduan asaj ndihmën e parashikuar për fëmijën dhe përkohësisht edhe një pjesë të shpenzimeve të jetesës. Më pas ajo bëri kërkesë për ndihmën për të papunët Hartz IV, por pa sukses. Ajo paditi autoritetin dhe gjykata e çështjeve sociale në Leipzig e çoi çështjen në Luksemburg për shkak të rëndësisë së saj.

Vendim i qartë

Vendimi i shqiptuar sot nga gjykatësit është tani i qartë: rregullat evropiane u lejojnë vendeve pranuese të imigrantëve të refuzojnë ndihmën sociale në kushte të caktuara. Në rast të një qendrimi prej tre deri pesë muajsh, si në rastin Dano, personat që nuk janë në marrëdhënie pune duhet të disponojnë vetë mjete të mjaftueshme për jetese. Nëse kjo nuk ndodh, vendet mund të refuzojnë të paguajnë ndihmë sociale, kur dikush ka ardhur në atë vend vetëm me qëllim përfitimi nga ndihma sociale e vendit pranues. Megjithatë gjykatësit e instancës evropiane shtuan se çdo rast duhet të shqyrtohet në veçanti. Vendimi nuk duhet të përdoret për t'u refuzuar në përgjithësi imigrantëve të papunë ndihmën sociale.

Sfondi i këtij rasti janë konfliktet e interesave dhe çështjet e interpretimit ligjor mes Komisionit të BE-së dhe vendeve anëtare të BE-së, në këtë rast Gjermanisë. Çështja u bë delikate qëkurse në fillim të vitit hyri në fuqi liria e lëvizjes edhe për qytetarë nga Rumania dhe Bullgaria. Në të njëjtën kohhë Komisioni ishte prononcuar edhe në procesin për çështjen Dano: ai kërkonte që Gjermania të lehtësonte aksesin tek ndihma për të papunët Hartz IV, gjë që u komentua me indinjatë nga politikanë të Partisë Kristian Sociale gjermane (CSU). Në shkurt qeveria gjermane ngriti një grup pune i cili duhej të merrej me rregulla të tjera për të penguar të ashtuquajturin abuzim me ndihmën sociale. Në diskutim ishte edhe pyetja e ngritur nga CSU se si mund t'u refuzohet disa imigrantëve pretendimi për ndihmë financiare për fëmijët. Tani gjykata evropiane i ka dhënë politikës gjermane të paktën një udhëzues me të cilin mund të vazhdohet diskutimi.

Reagime pozitive

"Jam i gëzuar, është një vendim i mirë", thotë politikani për çështje sociale i CDU në Parlamentin Evropiane Thomas Mann. Gjykata ka dërguar një mesazh të qartë me efekt sinjalizues, thotë Mann dhe për të është veçanërisht e rëndësishme që tani ka argumenta kundër populistëve të AfD. Ata nuk mund të përhapin polemikën e tyre të lirë se në Evropë nuk ka rregulla dhe as mbrojtje nga abuzimi me sistemet sociale. Edhe homologia e tij socialdemokrate Jutta Steinruck e përshëndet vendimin e gjykatësve. "Ky vendim konfirmon praktikën ligjore gjermane dhe krijon para së gjithash siguri ligjore për komunat."

Roma in Deutschland Berlin
Fotografi: imago/Olaf Wagner

Sfondi është që deri tani gjykatat gjermane në raste të ngjashme jepnin vendime shumë të ndryshme. Në Landin e Rinit Verior Vestfalisë p.sh. kanë fituar proceset disa paditës dhe komunat është dashur të paguajnë. Veç kësaj deputetja thekson se vërtet duhen eliminuar boshllëqet që mundësojnë abuzimin me lirinë e lëvizjes, por imigracioni në përgjithësi është pozitiv për Gjermaninë. Veç kësaj nuk duhet të krijohet një shoqëri me dy ose tri klasa në sistemet sociale dhe është detyrë e politikës të ruajë këtë ekuilibër.

Diskutim fantazëm

Prof. Herbert Brücker nga Instituti për Studime të Tregut të Punës në Nürnberg e konsideron një pjesë të madhe të këtij debati retorikë të ndezur nga politika: "Në Gjermani nuk ka abuzim me sistemet sociale." Janë gjetur vetëm 195 raste ku ekziston dyshimi për abuzim. Pavarësisht nga kjo, vendimi i sotëm do të thotë se në Gjermani gjithçka mbetet siç është. Gjatë këtij viti numri i përfituesve të ndihmës sociale tek bullgarët dhe rumunët është rritur vërtet me 66 për qind por në përqindje ata janë megjithatë nën kuotën e gjermanëve apo të huajve të tjerë që marrin ndihmën për të papunët Hartz IV, thotë Prof. Brücker. Ai tërheq vëmendjen edhe për faktin që shuma që arkat e pensioneve dhe sigurimit shëndetësor marrin nga kontribuesit rumunë dhe bullgarë është më e vogël se ajo që duhet t'u paguajë imigrantëve nga këto vende arka e ndihmës sociale. Instituti i tij ka konstatuar se rumunët përkundër paragjykimeve të përhapura, janë të integruar veçanërisht mirë në tregun gjerman të punës.