1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Incidente të para në fushatën zgjedhore në Maqedoni

9 Mars 2009

Incidentet e para në fushatën zgjedhore për zgjedhjet presidenciale dhe lokale në Maqedoni janë interpretuar si sinjal negativ për vendin nga analistët politikë.

https://p.dw.com/p/H8eI
Tri kandidatët për president të Maqedonisë: Ivanov, Boskovski dhe Frckoski
Tri kandidatët për president të Maqedonisë: Ivanov, Boskovski dhe FrckoskiFotografi: Petr Stojanovski

Kërcënime në fushatën zgjedhore në Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale dhe lokale të 22 Marsit janë cilësuar si një test për demokracinë në Maqedoni. Ndërkombëtarët kanë kërkuar nga pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore që të ta organizojnë fushatën në mënyrë të qetë, demokratike dhe pa incidente. Duke patur parasysh incidentet e armatosura në zgjedhjet e fundit, Maqedonia mori notë negative nga Komisioni Evropian. Për këtë shkak Maqedonisë nuk iu caktua data për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Por vetem një javë pas fillimit të fushatës, kanë ardhur ankesat e para për paraqitjen e dhunës dhe frikësimin e qytetarëve.

Kandidati i pavarur për president shteti, Lube Boshkovski, ka informuar se simpatizues të VMRO-DPMNE- së kanë hyrë në shtabin e tij zgjedhor dhe kanë kërcënuar personat që janë ndodhur aty. Ai në shenjë proteste për incidentin e ndodhur ka anuluar mitingjet për një ditë.

Incidentet do të pengojnë anëtarësimin në BE dhe NATO

Analisti politik Veton Latifi vlerëson se incidentet në këto zgjedhje janë të patolerueshme. Sipas tij, funksionimi i demokracisë dhe nevojat e ruajtjes minimale të kritereve të demokracisë nuk pranojnë prezencën e dhunës, dhe frikësimit në fushatë zgjedhore.

Kandidati për president, Ljube Boskovski përshëndet konkurentët e tij Imer Selmani, Agron Buxhaku und Gorge Ivanov
Kandidati për president, Ljube Boskovski përshëndet konkurentët e tij Imer Selmani, Agron Buxhaku und Gorge IvanovFotografi: Petr Stojanovski

“ Nëse këto incidente tolerohen nga institucionet e shtetit duhet ta kemi të qartë se të njëjtat nuk do të tolerohen nga ndërkombëtarët. Çdo incident i mundshëm në këto zgjedhje për Maqedoninë do të thotë fund i aspiratave për integrim në NATO dhe BE në një të ardhme të afërt.''

Gjithnjë sipas analistit Veton Latifi, dështimi i këtyre zgjedhjeve në aspektin e rregullsisë, do të thotë dështim total i funksionimit të demokracisë dhe sistemit politik në Maqedoni.


Kriza ekonomike mundëson shfaqjen e dhunës dhe incidenteve


Për incidente kanë informuar edhe shtabet e partive politike shqiptare, sipas të cilave materiali propagandues është shkatërruar nga simpatizuesit e oponentëve politikë.

Sociologu Samet Abdullahu shpreh mendimin se ka ardhur koha që më në fund në Maqedoni t'i thuhet stop përdhunimit të së drejtës së votuesit, për ta shprehur në mënyrë të lirë dhe të qetë përcaktimin e tij politik. Imponimi me dhunë i ofertës politike bie ndesh me vlerat e një sistemi pluralist, thotë ai.

“Dhuna dhe kërcënimi janë diametralisht në kundërshtim me parimet demokratike. Qytetarët nëse kërcënohen për të pranuar një ofertë politike në kuadër të fushatës zgjedhore, kjo flet për faktin se ajo ofertë politike imponohet. Një gjë e tillë nuk duhet toleruar, sepse ajo flet se në Maqedoni nuk ka ambjent të shëndoshë politik. Edhe pse partitë politike shprehen kundër incidenteve, në fushatw prapëseprapë ato janë më përgjegjëse për ndodhjen e tyre.”

Shfaqjen e dhunës dhe incidenteve në fushatë, sociologu Samet Abdullahu i shpjegon edhe përmes prizmit të krizës së përgjithshme ekonomike në Maqedoni. Gjithnjë e më shumë është në rritje numri i të rinjve të papunë, që shumë lehtë për premtime punësimi aktivizohen si simpatizues të flaktë të partive politike dhe të njëjtit janë në gjendje të bëjnë edhe aso veprime që janë në kundërshtim jo vetëm me demokracinë, por edhe me etikën dhe moralin, vlerëson sociologu.

Në Kodin Zgjedhor të Maqedonisë janë bërë ndryshime për dënimin e personave, të cilët pengojnë zhvillimin e rregullt të procesit zgjedhor. Në varësi nga incidenti dhe pasojat e tij të drejtpërdrejta në zgjedhje, dënimet variojnë prej tre deri shtatë vjet heqje lirie.


Autor: Fatos Musliu/Shkup

Redaktor : Auron Dodi