1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Integrim i dështuar?

Nadja Baeva21 Nëntor 2005

Gjithmonë e më shumë gjermanë nga Rusia duan të kthehen në atdhe

https://p.dw.com/p/Ar2E
Të shpërngulurit mësojnë gjermanisht
Të shpërngulurit mësojnë gjermanishtFotografi: AP

Që nga fillimi i viteve 50-të në Gjermani kanë ardhur gjiithsej mbi dy milionë rusë me prejardhje gjermane. Shumica kanë arritur të integrohen, por ka edhe disa, që janë dorëzuar para kësaj sfide, dhe tani kanë dëshirë të kthehen përsëri në vendin e tyre, në Rusi, Kazakistan dhe Ukrainë, edhe pse në këto vende kushtet e jetesës nuk janë të përsosura.

Dita e sotme është për David Iben e mbarë, sepse megjithëse është mbasdite, ende nuk i është dashur të marrë insulinë. Ka raste që sheqeri është kaq i lartë, saqë pa marrë medikamente që në mëngjes, nuk ka rrugëdalje. Përveç diabetit, 56-vjeçari i ardhur nga Rusia ka edhe probleme me shpinën dhe kockat. Ai ka qenë i sëmurë qysh në Rusi, por këtu gjendja është keqësuar.

"Në fillim as që më shkonte në mend, që dikur do të kthehesha në Rusi, por gjatë viteve të fundit vendimi u bë gjithnjë e më serioz," – rrëfen David Ibe. "Djali i vogël sapo ka përfunduar shkollën dhe është martuar. Tani që fëmijët kanë dalë nga shtëpia, duam të kthehemi. Duam të vdesim në atdheun tonë."

Shtatë vjet më parë kur së bashku me familjen u shpërngul për në Bon, gjithçka ishte në rregull. David dhe Maria Ibe e përvetësuan shpejt gjermanishten. Ata nuk flasin perfekt, por mjafton sa për t’u marrë vesh. Maria Ibe punon si pastruese. Edhe i shoqi ka punuar deri para pak kohësh, por tani gjendja shëndetësore është keqësuar. Por asnjëri prej tyre nuk arriti të ambjentohej tërësisht në atdheun e ri.

"Këtu jam e huaj. Kam ende komplekse që nuk e di dhe nuk kam për ta ditur kurrë gjermanishten si vendasit," – thotë Maria Ibe. "Përveç kësaj, jemi gjithmonë në tension, kemi frikë se mos bëjmë gabim me ndonjë dokument. Po harrove të paguash ndonjë faturë, përfundon menjëherë në rrugë. E tëra më ka lodhur shumë."

Në afërsi të Novosibirskut ndodhet fshati ku ata kishin shtëpinë me oborr dhe bagëti. David Ibe ishte shofer kamioni, ndërsa e shoqja punonte si kopshtare. Në vitet 90-të jeta në Rusi ishte e vështirë për gjithkënd. Pagat mbeteshin pa paguar për muaj të tërë. Për shkak të prejardhjes së tyre gjermane ata edhe në Rusi trajtoheshin si të huaj. Në këto rrethana, oferta e nënshtetësisë gjermane ishte tepër joshëse:

"Kujtonim se jeta e këtushme do të ishte më e lehtë. Është e vërtetë. Por këtu nuk jam askushi," – ankohet David Ibe. "Askush nuk interesohet për ty. Ndërsa në fshatin tim, mund të dilja dhe të bisedoja me fqinjët, atje të gjithë më njohin. Nuk kam më të afërm në Rusi, por dua të kthehem në fshatin tim."

Bashkëpuntorët e organizatës bamirëse "Heimatgarten" (Oborri i Atdheut) mund të tregojnë shumë histori të tilla. Projekti i "Arbeiter Wohlfahrt Bremerhaven" është hapur për të ndihmuar refugjatët e luftës gjatë riatdhesimit. Gjithmonë e më shumë gjermano-rusë po kërkojnë tani ndihmë tek shoqëria. Për këtë shkak në tetor shoqata hapi një vend pune. Zafar Sharaxhabovi që merret me këshillimin e kthyesve sqaron, se nuk dihet se sa njerëz janë kthyer faktikisht. "Nuk duhet harruar që ata janë mësuar me regjime autoritare. Frika nga shteti u ka hyrë deri në palcë. Prandaj edhe nuk i lajmërojnë organet përkatëse para, se të shpërngulen."

Të paktën 300 familje kanë kërkuar vetëm tek Sharaxhovi ndihmë, atyre u mungojnë paratë për t’u kthyer. Nga përvoja e gjatë e refugjatëve, organizata "Heimatgarten" e di zgjidhjen: "Shumica e familjeve marrin ndihma sociale, mesatarisht nga 1200 Euro në muaj. 3.000-5.000 Euro u nevojiten për t’u kthyer e për të filluar jetën normale, për të zënë një banesë me qira dhe për të gjetur punë. Kjo do ta lehtësonte sistemin social nëpër komuna dhe bashki dhe të gjithë do të ishin të lumtur."

Por nuk është kaq e thjeshtë. Nuk ka ligji që t’i lejojë nëpunësit t’u japin të shpërngulurve që duan të kthehen, një paradhënie për ndihmën sociale të disa muajve. Shteti gjerman nuk është i detyruar t’u paguajë shtetasve qendrimin jashtë shtetit. Prandaj edhe kërkesa të tilla rrefuzohen nga organet zyrtare. Familja Ibe nga Boni nuk ka marrë ende përgjigje. Ata kanë shpresa që mund të kenë sukses. Gjendja shëndetësore e David Ibes, nga dita në ditë do të bëhet më e keqe. "Natën fle vetëm dy tre orë," – rrëfen ai. "Të gjitha mendimet vërtiten aty. Në vendlindjen time në Novosibirsk. Po të m’i jepnin paratë të sot, që nesër do të shkoja të çregjistrohesha dhe pasnesër do të largohesha. Jam i gatshëm ta dorëzoj nënshtetësinë gjermane, vetëm për t’u larguar prej këtu. Ardhja në Gjermani paskish qenë gabim: "Guri i randë në vendin të vet."