1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Inxhinieri mekanik Markus Reißenweber nga Coburgu

27 Korrik 2010

Markus Reißenweberit i duhet të mendojë gjithmonë në dy orë të ndryshme. Inxhinieri përgjigjet për klientët e firmës në SHBA. Kur ai punon në zyrë, ata janë akoma në gjumë.

https://p.dw.com/p/Mt1F
Inxhinieri Markus Reißenweber.
Inxhinieri Markus Reißenweber në zyrën e tij.

Markus Reißenweber jeton me gruan e tij në Bavari në një vend të vogël jashtë qytetit, me emrin Watzendorf. Nga shtëpia deri në vendin e punës në Coburg i duhet të udhëtojë 20 minuta me makinë. Atje e ka qendrën firma Kapp, për të cilën 29 vjeçari punon prej 4 vjetësh. Kapp prodhon makineri të teknologjisë së lartë për pjesë këmbimi për firmat me emër si Daimler, Volkswagen, apo prodhuesin e traktorëve AGCO Fendt.


Para dorëzimit bëhet kontrolli

Gesichter Deutschlands Porträt MaReP1
Inxhinieri Markus Reißenweber në zyrën e tij.Fotografi: DW

Sapo mbërrin në punë inxhinierin e presin klientët e parë. Ata ose vijnë për t'u njohur me një projekt të ri, ose të kontrollojnë cilësinë e prodhimit të makinerisë, që kanë porositur. Makineria merret në dorëzim, pasi të jetë kontrolluar me saktësi, nëse i plotëson të gjitha kriteret e kërkuara. Shpesh është e nevojshme gjetja e një konsensusi: "Nganjëherë diskutohet shumë, derisa arrijmë në një koncept, të cilin ne nga ana jonë jemi në gjendje ta ofrojmë dhe ta prodhojmë, por që edhe për klientin rezulton si zgjidhja më e mirë."

Gesichter Deutschlands Porträt MaReP2
Kapp furnizon koncernet e mëdha si Daimler Benz me makineri, që prodhojnë pjesë këmbimi për automobilë.Fotografi: DW

Detyra e Reißenweber-it është të shkojë te klientët, për prezantimin e projekteve dhe të makinerive, për të paraqitur alternativa. Ai udhëton shumë. Por atij i pëlqen ky variacion. Monotoni ai nuk njeh, sepse shkon në shumë vende dhe njeh shumë njerëz.

Gesichter Deutschlands Porträt MaReP3
Në ujëvarën e Niagarës në SHBAFotografi: privat

Katër deri gjashtë herë në vit ai shkon për një deri dy javë në SHBA. Klientët në SHBA kanë pretendime të tjera nga gjermanët, amerikanë planifikojnë dhe programojnë ndryshe nga gjermanët. Ata bëjnë plane në afate më të shkurtra dhe reagojnë më shpejt. "Ne gjermanët mendojmë se çfarë mund të bëjmë për një vit, dy, apo tre. Ndërsa amerikani thotë, unë dua të reagoj më shpejt, në një afat më të shkurtër. Dhe n.q.s. ndryshon diçka, atëherë bëhet një tjetër planifikim" - shpjegon Reißenweber.

Jashtë nga qyteti për hir të qetesisë

Me SHBA-në Reißenweber ka kontakt që në kohën e studimeve. Atëherë ka bërë atje një stazh, praktikë. Ai mund ta marrë me mend, edhe që të jetojë atje për disa vjet. Reißenweber e do punën e tij. Për shkak të saj ai duhet të jetë fleksibël. Meqenëse varet prej klientëve ai kurrë nuk mund të thotë se kur mbaron dita e punës.

Por meqë ai dhe bashkëshortja e tij nuk kanë ende fëmijë, ai mund ta harmonizojë mirë profesionin me jetën private. Të dy kanë marrë një banesë me qira në fshat, një vend i qetë dhe idilik, 20 km jashtë Coburgut. Ata e kanë zgjedhur me qëllim fshatin Watzendorf: "Sepse gjen çlodhje dhe qetësi nga rrëmuja e përditshme. Aty sa del nga dera mund të vraposh nëpër fusha dhe të bësh një xhiro me vrap", - thotë Markus Reißenweber.

Markus Reißenweber me gruan e tij.
Markus Reißenweber me gruan e tij.Fotografi: DW

Çmim për mbrojtjen e diplomës

Burri i ri i kushton shumë rëndësi lidhjeve familjare. Ai, prindërit dhe gjyshërit bëjnë shumë për njëri-tjetrin, kur është nevoja. "Në fillim, kjo ishte për mua pak si e pazakontë, por tani jam mësuar dhe më pëlqen shumë", thotë Daniela, gruaja e tij. Ata janë martuar në maj 2009. Njiheshin që në kohën e studimeve. Fillimisht ai nuk ka qenë patjetër student i mirë. Por më vonë gjërat ndryshuan. "Kur unë nisa specializimin në degën time, kur më në fund mundja të bëja atë, që më jepte kënaqësi, atëherë notat e mia u përmirësuan" - tregon inxhinieri. Për diplomën e tij mbi impiantet prodhuese, që kursejnë energjinë, ai fitoi mdaje çmimin e agjencisë për energji të landit Nordrhein Westfalen.

Reißenweber i ndjek me konsekuencë qëllimet e tij. "N.q.s. përjeton një dështim, nuk duhet të trembesh dhe të tërhiqesh. Por të vazhdosh të bësh punën tënde dhe të provosh përsëri. Nuk ka rëndësi se çfarë do të arrish. Dikur do të realizohet me siguri. Dhe ky është fati i të zellshmëve", thotë me buzë në gaz inxhinieri.

Autor: Angelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani