1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irakianët ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar

Peter Philipp31 Janar 2005

Edhe nëse pjesëmarrja nuk ishte mbi 70 për qind, siç njoftoi fillimisht komisioni zgjedhor irakian, suksesi i zgjedhjeve të para parlamentare irakiane nuk diskutohet. Terroristët nuk ia dolën të ndalonin shumicën e irakianëve që të merrnin pjesë në zgjedhje. Rreth 14 milionë shtetas ishin thirrur të zgjidhnin në 5.200 qendra votimi 275 deputetët e asamblesë kombëtare të përkohshme. Rezultati përfundimtar parashikohet të dihet më e herëta pas një jave.

https://p.dw.com/p/ArQn
Zgjedhje të lira në Irak
Zgjedhje të lira në IrakFotografi: AP

Zgjedhje ka pasur në Irak shpesh, por përfundimet e tyre, veçanërisht gjatë sundimit të Sadam Huseinit, ishin të parashikueshme dhe u afroheshin kufirit të 100 për qind. Prandaj nuk do të kishte qenë aspak befasuese sikur këtë herë shumica e irakianëve të kishin thënë "jo, faleminderit" dhe të mos kishin marrë pjesë në zgjedhje.

Kjo sepse në dallim nga zgjedhjet e mëparshme këto zgjedhje lidheshin me rrezik të madh personal dhe nuk kishte e as nuk ka garanci se ato do të ndryshojnë diçka në Irak. Irakianët vetëm mund t'i përgëzosh. Respekt, sepse i përbuzën rreziqet dhe shkuan drejt kutive të votimit, me një pjesëmarrje që do ta kishin zili shumë demokraci të konsoliduara.

Ky është ndryshimi i madh midis këtyre demokracive dhe Irakut, i cili edhe pas zgjedhjeve gjendet mjaft larg demokracisë. Në disa shtete evropiane dhe në Amerikën e veriut votimi shihet si "detyrë qytetare" bezdisëse, në Irak votimi ishte shprehje e qartë e dëshirës për përfshirje në vendimet politike. Një shpresë sigurisht, por edhe bindja se pa angazhim vetjak kjo shpresë nuk realizohet kurrë.

Kjo vlen veçanërisht për deri tani të diskriminuarit në Irak. Janë këta në radhë të parë shiitët, pastaj kurdët. Për të parën herë shumica shiite pa mundësinë për të kërkuar me anë të zgjedhjeve pjesën e vet në pushtet, dhe ajo e shfrytëzoi këtë rast. Edhe kurdët e dinin se çfarë mundësie po u paraqitej. Pa këto dy grupe në Irakun e ardhshëm nuk funksionon asgjë.

Dhe tani vijnë dyshuesit dhe argumentojnë se këto zgjedhje nuk kanë vlerë sepse sunitët thuajse nuk kanë marrë pjesë. Edhe me respektin më të madh për mospjesëmarrjen me arsye të sunitëve, prej frikës: A i zhvlerëson kjo zgjedhjet në tërësi? As që mund të thuhet, sepse sidoqoftë sunitët janë vetëm një pakicë prej 20 për qind, dhe një pjesë e atyre që nuk votoi në fakt nuk donte të votonte, pasi nuk e pranon dot faktin që me këto zgjedhje do të thyhet përfundimisht dominimi sunit.

Shumica e sunitëve irakianë me siguri që ishte frikësuar nga terrori i ekstremistëve nga radhët e veta dhe nga terroristët e "importuar" të llojit Moussab al-Zarqawi. Nuk mund t'ua marrësh për keq që nuk votuan. Çdo qeveri e ardhshme duhet të kujdeset që edhe këta irakianë të përfitojnë nga normalizimi i vendit, prej një normalizimi që do të kërkojë shumë kohë, i shoqëruar me vështirësi dhe viktima të tjera, sepse radikalët dhe fanatikët ende ekzistojnë.

Megjithatë shumica e irakianëve me të drejtë vote i kundërshtoi haptas këta ekstremistë. Një mandat i qartë për parlamentin dhe qeverinë e zgjedhur në mënyrë të lirë, e që do të krijohet tani. Por refuzimi i ekstremistëve nuk do të thotë se është pranuar pushtimi amerikan. Ky hë për hë sigurisht që do të vazhdojë. Por sa më shumë irakianë shprehen politikisht dhe tregohen të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë, aq më shumë afrohet fundi i pushtimit. Zgjedhjet ishin hapi i parë i rëndësishëm në këtë drejtim.