1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iraku ende pa qeveri

Bjoern Blaschke17 Prill 2006

Përpjekjet për krijimin e një qeverie irakiane po vazhdojnë, por pa sukses të dukshëm. Një seancë e parlamentit e planifikuar për ditën e hënë u shty, në mënyrë që partitë politike të kenë më shumë kohë për të rënë dakord me njëra tjetrën. Problemi kryesor është ndarja e posteve.

https://p.dw.com/p/AqqM
Ibrahim Al Xhafari, kryeministri aktual i Irakut
Ibrahim Al Xhafari, kryeministri aktual i IrakutFotografi: AP

Katër muaj mbas zgjedhjeve për parlamentin e parë të rregullt që nga rrëzimi i regjimit të Sadam Huseinit në arenën politike në Irak nuk ka shumë lëvizje. Mbi një muaj mbas seancës kushtetuese të Shtëpisë së Lartë, të hënën do të duhej të zhvillohej mbledhja e dytë e 275 parlamentarëve të zgjedhur nga populli irakian. Por në momentin e fundit kjo seancë u shty për shkak mosmarrëveshjes mes fraksioneve partiake për ndarjen e posteve.

Problemi kryesor është posti i kryeministrit. Kryeministri aktual, Ibrahim al Xhafari, është njëri nga kandidatët e propozuar nga shumica, Aleanca Fetare Shiite." Por kurdët, sunitët dhe irakianët jofetarë janë kundër zgjedhjes së Al Xhafarit: Ai nuk ka sjellë asnjë përparim për Irakun, si në aspektin ekonomik e as në atë të sigurisë, ankohen ata. Al Xhafari këmbëngul që është zgjedhur nga populli për t’u bërë kryeministër.

Ambasadori irakian në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Samir Sumaidaie, ka thënë ndërkohë për kanalin televiziv CNN se ka gjasa që Al Xhafari të zëvendësohet nga një kandidat tjetër po nga radhët e partisë së tij. "Jam optimist, pasi së pari ekziston konsens që qeveria të përfaqësojë unitetin kombëtar. Kjo do të thotë që çdo qeveri duhet ketë mbështetje të gjerë. Prandaj edhe po punohet me zell për arritjen e kompromisit aq të nevojshëm," – ka thënë Sumaidaie.

Por problemi nuk qendron vetëm tek posti i kryeministrit. As Këshilli Presidencial, që duhet të ngarkojë kryeministrin me krijimin e qeverisë, nuk është krijuar ende. Kryetari i shtetit dhe dy përfaqësuesit e tij, një shiit, një sunit dhe një kurd nuk janë zgjedhur, po ashtu edhe kryetari i parlamentit.

Populli e sheh veten pa një përfaqësi funksionale, ekspertët e lidhin këtë me rritjen e dhunës. Gjatë natës duke u gdhirë e hëna u sulmua një stacion policor në lagjen sunite Asamija në Bagdad. Në mbështetje të policisë kishte ndërhyrë një milici shiite, gjë që i kishte bërë banorët sunitë të rrëmbenin armët.

Vetëm gjyqi kundër Sadam Huseinit po vazhdon në ritmin e dëshiruar, megjihëse seanca e 21-të të hënën ishte e shkurtër. Edhe kjo u shty për të mërkurën (19.4.).