1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iraku në zgjedhje kombëtare

aud (rtr, afp)1 Maj 2014

Irakenët votojnë për herë në zgjedhje kombëtare, që prej tërheqjes së trupave amerikane më 2011 nga vendi. Kryeministri Nouri al-Maliki po kërkon një mandat të tretë mes akteve më të rënda të dhunës që po përjeton vendi.

https://p.dw.com/p/1Bris
Al Maliki duke votuar
Fotografi: ALI AL-SAADI/AFP/Getty Images

Votuesit dolën të mërkurën (30.04.2014) në votime në të gjithë Irakun, pas një fushate të elektorale disamujore, në të cilat Bagdadi dhe qytete të tjera kryesore të Irakut u mbuluan me postera e flamuj të palëve konkuruese. Më shumë se 20 milionë vetë kanë të drejtë të votojnë në këto zgjedhje. Më shumë se 9000 kandidatë konkurojnë për 328 vende në parlament.

Sipas parashikimeve, asnjëra nga partitë nuk pritet të marrë një shumicë në parlament dhe megjithëse aleanca Shteti Ligjor e al-Malikit pritet të marrë më shumë vota, do të jetë i vështirë formimi i një qeverie.

Kryeministrin Nouri al-Maliki, i cili e mban postin e tij prej dy mandatesh, e kritikojnë se ka qenë i interesuar vetëm për të konsoliduar pushtetin e tij. Sipas kritikëve, ai nuk i ka përmirësuar shërbimet publike në një kohë kur Iraku vuan nga probleme të shumta ekonomike. Al Maliki-in, i cili vjen nga shumica shiite e Irakut, e kritikojnë gjithashtu se ka nxitur tensionet përçarëse, duke e margjinalizuar popullatën sunite të vendit.

Pasi dha votën në Bagdad, al Maliki u tha reporterëve: "Fitorja jonë është e sigurt, por po presim të shohim përmasat e saj."

Dhunë e skajshme në fushatën elektorale

Ditët e fundit janë karakterizuar nga sulme ndaj qendrave të votimit dhe aktiviteteve elektorale. Nga të shtënat dhe shpërthimet e bombave ditët e fundit, veçanërisht në Bagdad, por edhe në Veriun dhe Perëndimin jo stabilë të vendit, kanë humbur jetën më shumë se 80 vetë. Disa pjesë të provincës Anbar, ku ndodhet qyteti i Faluxhas, i kontrolluar nga grupe militante, nuk do të votojnë.

Votues në Irak
Votues në IrakFotografi: SABAH ARAR/AFP/Getty Images

Më shumë se 750 vetë janë vrarë gjatë muajit prill. Kjo është gjakderdhja më e madhe që ka ndodhur në Irak që prej dhunës në vitet 2006-2007, viktimë e së cilës ranë mijëra vetë.

63 vjeçari al-Maliki e lidh shpërthimin e dhunës me luftën civile në Sirinë fqinjë. Ai i ka akuzuar Arabinë Saudite dhe Katarin se mbështesin kryengritësit.

Procesi i formimit të qeverisë pas zgjedhjeve mund të jetë një proces i gjatë. Pas zgjedhjeve kombëtare të vitit 2010 u deshën nëntë muaj deri në formimin e qeverisë së re, e cila kishte mbështetjen e mijëra ushtarëve amerikanë të stacionuar në vend.