1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irani fillon sot (09.02.) pasurimin e uraniumit në sasi të lartë

9 Shkurt 2010

Irani informoi edhe zyrtarisht Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore në Vjenë se të martën do të fillojë prodhimin e pasurimit të uraniumit në sasi të lartë

https://p.dw.com/p/LvwY
Fotografi simbolike - Irani dhe fuqia atomike
Fotografi simbolike - Irani dhe fuqia atomikeFotografi: AP Graphics

Duke filluar nga dita e sotme (09.02.2010) Irani e ka seriozisht. Drejtuesi i agjencisë bërthamore iraniane, Ali Akbar Salehi njoftoi në televizionin shtetëror se nga dita e martë do të fillojë me prodhimin e pasurimit të uraniumit në sasi të lartë në vendin e vet.

Në foto, Ali Akbar Salehi
Në foto, Ali Akbar SalehiFotografi: ISNA

"Në mënyrë që në perëndim të mos krijohet përshtypja se ne nuk jemi të aftë që të bëjmë pasurimin në 20 për qind të uraniumit, Presidenti Ahmadinexhat na urdhëroi ta bëjmë këtë", sqaroi Salehi.

Ky hap ishte urdhëruar nga Presidenti Mahmud Ahmadinexhat të dielën gjatë një panairi. Më parë kishin dështuar të gjitha përpjekjet për një marrëveshje ndërkombëtare për pasurimin e uraniumit jashtë shtetit. Sipas presidentit iranian marrëveshja ka dështuar para së gjithash për shkak të mungesës së bashkëpunimit të perëndimit. Ahmadinexhat tha se mbetet edhe më tej i hapur për negociata. Po ashtu u paralajmërua se Irani do të ndërtojë brenda një viti e gjysëm dhjetë impiante të reja për pasurimin e uraniumit.

Bota perëndimore është gjithnjë e më skeptike për synimet e Iranit që të bëj pasurimin e uraniumit në sasi të lartë. Edhe pse Irani flet për qëllime paqësore dhe hulumtuese, bashkësia ndërkombëtare trembet se Teherani është duke punuar fshehurazi në prodhimin e një bombe atomike. Këtë shqetësim e ka edhe Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu GuttenbergFotografi: AP

"Unë kam dëgjuar nga pjesëmarrësit të cilët bartin përgjegjësinë në Këshillin e Sigurimit se Këshilli i Sigurimit shihet në parim si organi i cili duhet të paraqesë hapat e ardhshëm. Sa i përket kësaj çështje në bordin e anijes duhet të jenë të gjithë. Në këtë mes kemi nevojë edhe për kinezët dhe rusët dhe mund të ndodh që aty - këtu duhet dhe mund të ashpërsohen edhe njëherë masat e sanksioneve."

Sanksione paralajmëruan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca. Ato duan të punojnë bashkarisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për sanksione më të ashpra kundër Iranit. Ministri francez i Mbrojtjes Hervé Morin tha pas një takimi me homologun e tij amerikan Robert Gates në Paris se nuk ka mbetur zgjidhje tjetër përveç ndërmarrjes së masave të tjera. Ngjashëm u shpreh edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates. Ai tha se bashkarisht duhet shtuar tani presionin ndaj Iranit:

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert GatesFotografi: AP

"Me vazhdimin e presionit ndërkombëtar iranianët duhet të rikthehen në tryezën e bisedimeve. Bëhet fjalë që të zgjidhim këtë problem që Irani të mos ketë armë atomike".

Sipas të dhënave të zëdhënësit Ulrich Wilhelm qeveria gjermane është tashmë e gatshme për masa më të ashpra kundër Iranit.

Përmes provokimit të tij ndoshta Ahamdinexhati ka krejt tjetër qëllim: kritikët besojnë se përmes këtij hapi ai dëshiron të shmang problemet e brednshme politike. Në përvjetorin e revolucionit në Iran të enjten mund të ketë protesta të reja të opozitës. Në raste të tilla është mirë që vëmendja e perëndimit të fokusohet diku tjetër.

Autor: Jana Demnitz / Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica