1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irani injoron ultimatumin e Këshillit të Sigurimit

1 Shtator 2006

Një ndër temat që dominon në komentet e shtypit gjerman është sot çështja e Iranit pasi Teherani injoroi ultimatumin e Këshillit të Sigurimit që skadoi më 31 gusht për ndërprerjen e procesit të pasurimit të uranit

https://p.dw.com/p/AroA
Irani nuk respekton ultimatumin e OKB
Irani nuk respekton ultimatumin e OKBFotografi: AP
Citojmë së pari nga artikulli i së përditshmes së Maincit "Allgemeine Zeitung": "Pas skadimit të ultimatumit të OKB-së vënë udhëheqjes në Teheran shansi do të ishte vetëm një luftë, për t´i ndalur iranianët. Por kjo s´duhet të ndodhë. Politika duhet të vazhdojë me mjete të tjera, sepse tek e fundit ekziston rreziku i një konfrontimi ushtarak që i tejkalon kufijtë e Gjirit Persik", tërheq vëmendjen "Allgemeine Zeitung". Çështja që shtrohet nga disa antarë të Këshillit të Sigurimit është vendosja e sanskioneve ndaj Iranit. Por deri më sot Rusia dhe Kina kanë shfaqur rezerva për një masë të tillë. Lidhur me këtë gazeta "Frankfurter Rundschau" shtron një sërë pyetjesh: "Çdo mendim për vendosjen e sanksioneve bart me vete rrezikun e një shkallëzimi që mund të vazhdojë mekanikisht. Ai që bën hapin e parë duhet të jetë i përgatitur për të ndërmarrë edhe hapin pasues. Por çdo të thotë hap pasues? Rritje e izolimit të Iranit, deri në embargon e plotë ekonomike kundër prodhuesit të katërt të naftës në botë? Apo dikur goditja ushtarake ndaj tij? Ai që nis rrugën delikate të sanksioneve duhet të paktën të ketë mendime realiste, në mënyrë që të arrijë qëllimin e vërtetë politik. Ky konsiston në garantimin, që programi atomik iranian të përdoret vetëm për qëllime civile. Ndoshta duhet që ShBA dhe Irani të bisedojnë direkt për këtë, pa parakushte dhe klauzola", komenton "Frankfurter Rundschau". Komentatori i "Ostsee Zeitung" që del në Rostok analizon rolin që duhet të luajë Perëndimi lidhur me konfliktin atomik me Iranin: "Perëndimi duhet të pranojë kompromise më të mëdha, sepse nuk është në gjendje të përballojë një Irak të dytë. Këtë e di mirë Ahmedinexhadi. Oferta për pasurimin e uranit në Rusinë fqinje, që Iranit nuk i garanton kontrollin sovran ndaj furnizimit të vetë me energji, duhet të përmirësohet. Gjithashtu Perëndimi mund të ofrojë garanci të zgjeruara për sigurinë, që janë me rëndësi ekzistenciale për Iranin pas dislokimit të trupave të ShBA në Irak dhe në Afganistan. Ende nuk është mbyllur dritarja e zgjidhjeve diplomatike, ndaj një ultimatum i shkelur s´jep shkas për luftë", nënvizon "Ostsee Zeitung". Për gazetën bulevardeske "Bild Zeitung"që botohet në Hamburg është i nevojshëm një qëndrim më i vendosur i bashkësisë ndërkombëtare: "Diktatori i Teheranit, Ahmedinexhad, do të ndërtojë bombën e vet atomike dhe nuk i përfill ato që vendos OKB-ja, të pkatën kështu duket! Por pavarësisht të gjitha kërcënimeve që vijnë nga Teherani, Irani është i thyeshëm! Përmes një lufte? Jo, sepse shtrohet pyetja kush duhet të sulmojë? (...) Përmes bojkotit ekonomik? Po! Nëse sanksionet zbatohen shpejt, ashpër dhe prerazi pa rrugë të ndërmjetme! Sepse Irani, i pasur me naftë, është megjithatë i varur prej importeve. Madje edhe benzinën atij i duhet ta blejë në masën 40 për qind jashtë vendit, pasi i mungojnë rafineritë. Vetëm një përzierje e sanksioneve të rrepta dhe të menjëhershme me gatishmërinë për bisedime mund ta bëjë regjimin mysliman që t´i vërë vërë gishtin kokës. OKB-ja duhet t´i kursejë fjalët e pafundme dhe të veprojë shpejt", thekson "Bild Zeitung". Pikërisht pavendosmërisë dhe ec e jakeve në OKB u referohet edhe komentatori i gazetës së Hanoverit "Neue Presse": "Edhe pas skadimit dje të ultimatumit Ahmedinexhadi duhet të jetë i qetë. E ç´mund t´i ndodhë atij në këtë gjendje turbullie që është tani Këshilli i Sigutimit? ShBA kërkojnë sanksione, tek të cilat s´ka besim askush, rusët dhe kinezët për shkak të lidhjeve ekonomike me Iranin s´janë të interesuar për ndëshkime, ndërsa evropianët i hedhin zjarrit qumësht konsensusi, sepse iranianët janë të pasur me naftë dhe gaz. Edhe sikur forumi i OKB-së të bjerë dakord për masa të rrepta, çdo të ndodhë nëse Irani vazhdon të mos ndryshojë qëndrim? Potenciali kërcënues është konsumuar, goditja ushtarake? Këtë nuk e dëshiron askush. Ahmedinexhadi prej kohësh e ka sjellë bashkësinë ndërkombëtare pikërisht aty ku donte ai. Tani s´mbetet gjë tjetër veçse të negociohet me të", nënvizon "Neue Presse".