ISG: Nuk ka ndarje të Kosovës
28 Shkurt 2008"Roli im do të jetë të siguroj garantimin e të gjitha të drejtave dhe mundësive të jetesës për të gjitha grupet, e veçanërisht për komunitetin serb", tha Peter Feith duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një konferencë shtypi pas takimit të ISG-së (International Steering Group) në Vjenë. Ai shtoi se Grupi Ndërkombëtar i Drejtimit ka marrë për këtë mbështetjen e nevojshme nga udhëheqësit e Kosovës. Feith theksoi, se ISG-ja nuk do të lejojë as dhunën dhe as krijimin e ndonjë institucioni paralel sigurie në territorin e Kosovës.
Pesëmbëdhjetë vendet pjesëmarrëse në ISG ishin të përfaqësuara në takimin e Vjenës. Ky grup do të mbikqyrë të gjitha aktivitetet nga jashtë në shtetin më të ri evropian. Qëllimi është zbatimi i propozimeve të parashtruara një vit më parë nga ndërmjetësuesi i OKB-së, Martti Ahtisaari. Në propozimin e tij parashikuar ndërtimi i një shteti të pavarur demokratik të Kosovës me të drejta të veçanta për minoritetin serb.
Ky forum i ri do të drejtohet nga i ngarkuari i BE-së për Kosovën, diplomati holandez Pieter Feith. ISG-ja do të zëvendësojë Grupin e Kontaktit që ekzistonte deri më sot për Kosovën i përbërë nga SHBA, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Rusia. Rusia si aleate e Serbisë, që e kundërshton pavarësinë e Kosovës, e bojkton këtë forum të ri. Vendet pjesëmarrëse në ISG: nga BE-ja dhe NATO-ja si dhe Zvicra, Finlanda dhe Japonia, nënvizuan, se duan të mbështesin zhvillimin e Kosovës drejt një "shteti multietnik dhe demokratik.