1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish-kryeministri portugez Hoze Manuel Barroso u zgjodh president i ri i Komisionit të BE-së

Bernd Riegert22 Korrik 2004

Parlamenti Evropian e miratoi kandidaturën e ish-kryeministrit portugez Hoze Manuel Barroso si president i ri i Komisionit të BE-së me 60% të votave. Barroso do të fillojë nga puna më 1 nëntor. Deri në fund të muajit gusht ai pritet të marrë vendim në lidhje me ekipin e 24 komisarëve të BE-së dhe të detyrave me të cilat ata do të ngarkohen.

https://p.dw.com/p/ArGq
Presidenti i ri i Komisionit të BE-së
Presidenti i ri i Komisionit të BE-sëFotografi: AP

Askush nuk e donte atë në fillim. Asnjë prej grupeve të përfaqësuara në parlament nuk e kishte propozuar. Edhe kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së mundën të binin dakord vetëm pas një takimi të nivelit të lartë. Hoze Manuel Barroso ishte si të thuash rrota rezervë. Për këtë ai nuk sjell me vete premisat më të mira për të qenë një president i sukseshëm i Komisionit të BE-së, që është posti më i fuqishëm në BE. Politikani konservator nga Portugalia bëri gjithsesi që në fillim të qartë, se nuk do të bëhet zar i shteteve të caktuara.

Barroso i hodhi poshtë kërkesat e Francës, Britanisë së Madhe dhe para së gjithash të Gjermanisë për emërimin e superkomisarëve dhe theksoi se do të shfrytëzojë të gjitha të drejtat që i japin marrëveshjet e BE-së. Ai nuk do të lejojë që të hyjë në diskutime për kompetencat e direktivave. Në këtë mënyrë ai ia preu shpresat qeverisë gjermane që me emërimin e Günter Verheugenit si superkomisar, të emëronte si të thuash në zëvendës-president de facto. Kjo i sjell pikë plus Barrosos tek vendet e vogla të BE-së. Por konflikti me vende të tilla si Gjermania duket se është tashmë i programuar.

Barroso do të kujdeset për zhvillimin ekonomik dhe financa të qëndrueshme. Po ashtu ai do ta përdorë me fleksibilitet paktin e stabilitetit ndaj vendeve që e shkelin atë, si p.sh. Gjermania. Barroso arriti që ta nxirrte Portugalinë prej deficitit duke zbatuar kërkesat e komisionit të BE-së.

Juristi Barroso ka ndër mend ta drejtojë komisionin me rigorozitet, sikurse bën me qeverinë portugeze. Por këtë me siguri do ta ketë të vështirë, sepse komisarët që përfaqësojnë vendet e tyre, kanë secili huqet e veta.

Parlamenti Evropian votoi për herë të parë fshehtazi për presidentin e Komisionit të BE-së. Para votimit pati diskutime dhe debate, të cilat shpesh u ngjanin një operete të keqe. U tha madje se grupet e partive të përfaqësuara në Parlamentin Evropian kishin rënë që më përpara dakord se kujt do t'ia jepnin votën.

Barroso iu shmang me marifet pyetjeve për marrëdhëniet e BE-së me SHBA. Ai vetë ishte përkrahës i luftës në Irak. Sa i përket anëtarësimit të Turqisë në BE, ai është pozitiv. Po ashtu Barroso është përkrahës i zgjerimit të marrëdhënieve të BE-së me vendet mesdhetare.