1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish-ministri Fatmir Mediu kërkon nga deputetët që t’i hiqet menjëherë imuniteti

Arben Muka/ Tiranë5 Qershor 2008

Por kryetarja e Parlamentit thotë se ky proces do të ndodhë vetëm kur të përfundojë raporti përkatës nga grupi i punës

https://p.dw.com/p/EE9Z
Parlamenti i Shqipërisë
Parlamenti i ShqipërisëFotografi: AP

Heqja e imunitetit të ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu ishte në qendër të debateve mes mazhorancës dhe opozitës në seancën plenare të parlamentit ditën e enjte. Opozita kërkoi që heqja e imunitetit të bëhej sa më parë, kjo dhe për vetë presionin ndërkombëtar që po bëhet për hetimin e plotë të tragjedisë së Gërdecit.

Mediu: imuniteti të më hiqet menjëherë

Ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu, prezent në sallë, kërkoi para deputetëve që atij t’i hiqej brenda ditës imuniteti, për t’i lënë rrugë të lirë prokurorisë për hetime.

Leskaj: Shqipëria po kthehet në një Gërdec

Por kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli tha se imuniteti do të hiqej menjeherë sa të vinte në seancë një raport i komsionit përkatës. Për këtë çështje zonja Topalli pati dhe replika të ashpra me deputetin Spartak Ngjela. Kryetarja e grupit parlamentar te PS, Valentina Leskaj u shpreh se rasti i ish-ministrit ishte treguesi që kryeministri dhe qeveria "nuk kanë vullnet për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe Shqipëria për fat të keq po kthehet në një Gërdec".

Një argument tjetër që ndezi debatet mes mazhorancës dhe opozitës gjatë seancës së ditës së enjte ishte dhe çështja e mosshqyrtimit prej një muaji nga parlamenti të dekreteve të presidentit Bamit Topi për pesë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese.