1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish-presidenti izraelit Katzav dënohet për përdhunim

30 Dhjetor 2010

Procesi kundër Moshe Katzavit zgjati shumë. Tani ai përfundoi me një vendim të fortë: ish-presidenti izraelit u gjykua fajtor për përdhunim. Dënimi mund të shkojë deri në 16 vjet burg.

https://p.dw.com/p/zrep
Ish-presidenti izraeli Mosche Katzav.
Ish-presidenti izraeli Mosche Katzav.Fotografi: AP

"Fajtor!" - në thuajse të gjitha pikat e akuzës. Më siguri Moshe Katzav nuk e kishte pritur këtë. Vetëm akuza e ngacmimeve para dëshmitarëve nuk arriti të provohej. Gjykata e shpalli atë fajtor për aktin penal të përdhunimit në dy raste si dhe për ngacmime seksuale të vartëseve. Sipas gjykatësit në vitet 1990 ai ka përdhunuar një punonjëse, kur ishte ministër i Turizmit. Veç kësaj në kohën që mbante postin e presidentit të vendit, ka abuzuar dhe ngacmuar seksualisht dy vartëse.

Brohoritje para sallës së gjyqit

Ronnit Amiel, kryepaditësja në proces, iu drejtua pas shpalljes së vendimit të gjykatës viktimave, të cilat kishin marrë pjesë si dëshmitare në proces: "Ne, që ju njohëm gjatë procesit dhe pamë se sa të guximshme dhe të vendosura ishit, ju përshëndesim sot". Me këto fjalë prokurorja u shprehu tri viktimave respektin. "Ne jemi të bindur se mesazhi që u jepet nga kjo sallë gjyqi të gjithë viktimave të abuzimeve është: mos heshtni!"

Kur njoftimet e para të shpalljes fajtor dolën nga salla e gjyqit, para dyerve të gjykatës shpërthyen brohoritjet. Atje ishin mbledhur disa dhjetra gra me në duar pankarta ku kërkonin drejtësi për viktimat e abuzimeve seksuale dhe përdhunimeve.

Tronditje në familjen e Katzavit

Shumë të zhgënjyer reaguan mbështetësit e ish-presidentit. Djali i tij Ariel, i cili e kishte shoqëruar në gjyq bashkë me avokatët, deklaroi pas shpalljes së vendimit se kjo ishte një goditje e rëndë për familjen e tij. "Megjithatë ne do të vazhdojmë të jemi krenarë për babain tonë, presidentin e tetë të shtetit Izrael." Me ndihmën e Perëndisë, i gjithë kombi do të mësojë, që babai i tij nuk është fajtor, vazhdoi Ariel Katzav. Edhe mbrojtësit ligjorë të Katzavit e kritikuan vendimin e tre gjykatësve në Tel Aviv dhe njoftuan se do të ankimojnë.

"Dëshmi për një sistem drejtësie funksionues"

Specialisti për çështjet ligjore në radion izraelite Moshe Negbi, e vlerësoi shpalljen e Katzavit fajtor si dëshmi të shtetit ligjor në Izrael. "Pa dyshim kjo është një ditë e vështirë për Katzavin, por duhet thënë se është edhe një ditë e madhe për demokracinë izraelite."

Është dëshmuar se në Izrael të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe as qytetari numër një i vendit nuk trajtohet ndryshe. Së dyti me këtë vendim është mbrojtur dinjiteti dhe liria e gruas. Ky është një sinjal i rëndësishëm, që u jep grave guxim për t'u mbrojtur.

Në të njëjtën linjë e përshëndetën vendimin e gjykatës edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe liderja e opozitës Tzipi Livni. Pas shpalljes fajtori ish-presidentit 65-vjeçar iu desh të dorëzonte pasaportën. Ai nuk mund të largohet nga vendi. Masa e dënimit nuk është bërë ende e ditur, por ajo shkon nga 4 deri 16 vjet heqje lirie.

Autor: Bettina Marx / Eliana Xhani
Redaktoi: Pandeli Pani