1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish-zëvendëskancelari dhe kryetar i Partisë Socialdemokrate Gjermane, Franc Myntefering po rikthehet në politikë

Sabine Kinkarc8 Shtator 2008

Pas largimit në nëntor të vitit të kaluar, nga të gjitha postet politike, për shkak të së shoqes së sëmurë rëndë, Mynteferingu synon të kryesojë sërish PSDGJ.

https://p.dw.com/p/FDSj
Franc Myntefering
Franc MynteferingFotografi: AP

Një zemër të madhe prej gurabije i dhuruan Franc Myntefehringut javën e kaluar, në angazhimin e tij elektoral shokët e degës socialdemokrate të partisë në Bavari. Dhe ky ishte më tepër një simbol. Ky ishte angazhimi i parë i madh pas kthimit në skenën politike. Partia e do Mynteferingun, dhe ai e do partinë.

"Unë u mendova se çfarë mund të bëj për të ndihmuar (në mënyrë që PSDGJ të marrë sërish veten). Më e rëndësishmja në krye, i thashë vetes. Pra, të shkoj dhe të jap ndihmën time."

Mynteferingu sinjalizoi kthimin e tij. 68-vjeçari nuk donte të bënte më sehir. Që prej më shumë se 40 vjetësh ai është anëtar i PSDGJ, ka qenë kryetar i partisë dhe ministër në Berlin dhe zëvendëskancelar. Anëtar i Bundestagut ai ishte në vitet 1975-1992 dhe sërish prej vitit 1998. Për Gerhard Shrëderin Myntefehringu organizoi fushatën elektorale, e cila e solli në pushtet koalicionin kuq e gjelbër. Ai konsiderohet si njëri nga mbrojtësit e Agenda 2010, planit reformues të Gjermanisë dhe asaj ai i përmbahet deri më sot:

"Me këtë Agenda ne kontribuam që papunësia të ulet në 3 milionë. E kjo është diçka për të cilën ne mund të jemi krenarë. Ai që hesht për të dhe bën, sikur kemi të bëjmë me diçka që mund ta lëmë mënjanë, ai gabohet shumë."

Kjo ishte një goditje me spont ndaj kryetarit të partisë, Kurt Beck, me të cilin Mynteferingu nuk është dakord për shumë gjëra. Mynteferingu konsiderohej në parti gjithmonë si njeri i kompensimit. Këtë ai e vërtetoi edhe si sekretar i përgjithshëm i partisë, në vitet 1999 deri 2002, kur ndërmjetësoi kaq me sukses midis krahëve të ndryshëm të partisë, duke bërë që partia të përcillte një pamje të panjohur të bashkuar. Më pak sukses kishte Mynteferingu në përpjekjen për t'i imponuar së majtës në parti mendimin e tij si kryetar partie. Pasi dështoi me propozimin e tij për sekretarin e përgjithshëm të partisë në nëntor 2005, Mynteferingu dha dorëheqjen nga kryesia e partisë. Tani ai kërkon të kthehet sërish në krye:

"Ai që do të udhëheqë në politikë, ai duhet edhe të jetë në gjendje që ta mbajë flamurin. Që edhe njerëzit të shohin se ku të çon rruga. Por duke thënë qartë se ku vete kjo rrugë. Dhe të mos e anashkalojë këtë rrugë."