1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ishinger: BE-ja do ta njohë Kosovën

Anila Shuka18 Dhjetor 2007

Misioni i BE-së duhet të marrë përsipër vetëm ato detyra që nuk i bëjnë dot kosovarët, thotë Ishinger.

https://p.dw.com/p/Cd9K
Wolfgang Ischinger në intervistën me Deutsche Wellen
Wolfgang Ischinger në intervistën me Deutsche WellenFotografi: Anila Shuka

DW: Zoti Ishinger, Këshilli i Sigurimit do të trajtojë të mërkurën (19.12.) çështjen e Kosovës. Çfarë mund të dalë prej këtij takimi?

Ishinger: Nuk pres që anëtarët e Këshillit të Sigurimit të arrijnë një marrëveshje. Nga pikëpamja e anëtarëve të KS-së, situata nuk do të ketë ndryshuar në krahasim me atë në qershor - korrik, kur aty dështoi pakoja e Ahtisaarit. Unë do të habitesha në se do të kishte një marrëveshje për statusin e Kosovës.

DW: Cili është roli që duhet të luajë Bashkimi Evropian në një rast të tillë?

Ishinger: Është shumë e rëndësishme që BE-ja ta ruajë pozicionin e saj udhëheqës, të cilin e mori gjatë negociatave të Troikës. BE-ja tani duhet të jetë aktive dhe me rol drejtues në procesin e pavarësimit të Kosovës dhe të dërgojë edhe sinjalet e duhura ndaj Serbisë.

DW: Jo të gjitha vendet e BE-së e mbështesin pavarësinë e Kosovës. A jeni optimist që brenda gjashtëmujorit të ardhshëm BE-ja do të jetë në gjendje ta njohë Kosovën?

Ishinger: Sigurisht që po. Bashkimi Evropian arriti javën e kaluar të jepte një sinjal shumë të qartë për vendosmërinë dhe unitetin brenda tij për ta marrë seriozisht çështjen e Kosovës. Natyrisht që do të ketë disa vende që do të kenë probleme në aspektin politik dhe juridik me pavarësinë e Kosovës. Por e rëndësishme është që edhe këto vende e miratuan misionin civil të BE-së në Kosovë.

DW: A ekziston një bazë e qartë juridike për misionin e BE-së?

Ishinger: Nuk shoh ndonjë problem për legjitimitetin e këtij misioni. Baza juridike është 1244. Bashkimi Evropian bëri një ofertë, dhe jam shumë i sigurtë që ajo do të pranohet.

DW: Cila do të ishte këshilla juaj ndaj misionit të BE-së në Kosovë?

Ishinger: Ajo do të marrë vetëm ato detyra përsipër, që nuk mund të merren vetë nga kosovarët. Ne nuk duam që të edukojmë kosovarët, por duam që të ndihmojmë Kosovën që të ecë me këmbët e veta. Prandaj misioni i ardhshëm evropian duhet të përqendrohet vetëm në ato detyra, të cilat Kosova ende nuk mund t'i përmbushë me forcat e veta.

DW: A mendoni, se serbët mund të largohen në se vendet e BE-së do ta njohin pavarësinë e Kosovës?

Ishinger: Shpresoj që jo. Do të doja t'u bëja thirrje serbëve në Kosovë se natyrisht është dëshira dhe qëllimi i Bashkimit Evropian, që serbët në Kosovë të kenë një të ardhme të sigurtë. Prandaj edhe ne kemi 16000 ushtarë atje dhe japim shumë para që në Kosovë të përmirësohen kushtet e jetesës edhe për serbët. Ne nuk duam që të ketë një eksod të serbëve, duam që Kosova të mbetet shumëetnike. Ky është qëllimi evropian.