1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ishinger: Zhvillim i mëtejshëm dhe jo struktura paralele apo të tjera

17 Korrik 2009

Intervistë me diplomatin gjerman Volfgang Ishinger me rastin e konsultimeve të fundit gjermano-ruse në Mynih

https://p.dw.com/p/IrZz
Volfgang Ishinger, drejtuesi i konferencës së sigurisë të MynihutFotografi: picture-alliance/ dpa

Presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedjev ka kërkuar pak kohë më parë që marrëdhëniet ndërkombëtare të funksionojnë sipas një koncepti të ri për sigurinë. Sipas këtij koncepti, marrëdhëniet duhet të ndërtohen jashtë blloqeve dhe aleancave ushtarake, por mbi bazën e parimeve të tilla si transparenca dhe barazia. Lidhur me këtë temë dhe aspekte të tjera, Andreas Brenner bisedoi me drejtuesin e konferencës së sigurisë në Mynih, Volfgang Ishinger:


Pyetjes se pse po nguron Perëndimi që ta mbështesë konceptin e ri të sigurisë të paraqitur një vit më parë nga presidenti i Rusisë, Medvedjev, Wolfgang Ishinger i përgjigjet:


"Nuk besoj se mund të thuash se Perëndimi po nguron me të vërtetë. Në fazën e parë, pas paraqitjes së këtij koncepti u desh të kalonte pak kohë, deri sa u kuptua, se cili është thelbi i kësaj kërkese. Por besoj se pikërisht në javët dhe muajt e fundit është vënë në lëvizje një proces në OSBE. Në BE u zhvilluan diskutime intensive. Tani po vihen sërish në lëvizje procese të ndryshme midis Rusisë dhe NATO-s. Pra mendoj se tani mund të thuhet se këto reflektime janë bërë bazë e një procesi dialogu të strukturuar midis Rusisë dhe organizatave perëndimore. Dhe për mendimin tim kjo është një punë e mirë, sepse besoj se është e rëndësishme, që t'i marrim shumë seriozisht shqetësimet ruse.


EU Flaggen vor Europa Asien Karte
Flamuj të vendeve evropiane dhe harta e Evropë-Azisë në sfond.Fotografi: European Communities, 1995-2002

Përsa i përket mënyrës së kuptimit të konceptit të presidentit rus në Perëndim, Ishinger shprehet:


"Unë e kuptoj thelbin e kërkesës ruse, që Rusia ka krijuar bindjen se mënyra si zbatohen marrëveshjet e viteve '90, Karta e Parisit, Akti Themelor NATO- Rusi i vitit 1997- praktimi i këtyre marrëveshjeve sot u jep përparësi SHBA, Perëndimit, NATO-s, dhe është më tepër në disfavor të interesave ruse."


Pyetjes se a do të ishte e mundur të realizohet ajo që kërkon Rusia, një strukturë si të thuash paralele sigurie me NATO-n dhe OSBE-në, Volfgang Ishinger i përgjigjet:


"Të mundura janë shumë gjëra. Pyetja që shtrohet është: çfarë ka kuptim dhe çfarë na çon më tej? Besoj se është më mirë po të flasim për një zhvillim të mëtejshëm të strukturave, se sa të flasim për struktura paralele dhe të tjera. Në 20 vitet e fundit ne kemi arritur shumë gjëra në strukturën evropiane të sigurisë. Ne kemi Kartën e Parisit të vitit 1990, vitin e ardhshëm ajo mbush 20 vjet. Për fat të keq ajo thuajse nuk merret më fare në konsideratë. Kemi Aktin Themelor midis NATO-s dhe Rusisë të vitit 1997, kemi Këshillin NATO- Rusi,aktualisht po punojmë për një riformulim të Marrëveshjes midis BE dhe Federatës Ruse. Në OSBE po vrasim së bashku mendjen si mund t'i zhvillojmë më tej punët. Pra unë jam për një zhvillim të mëtejshëm të këtyre strukturave dhe unë personalisht jam shumë i hapur, nëse si rezultat i një dialogu të tillë intensiv do të qendrojë një dokument i ri parimor apo jo. Marrëveshjet duhet të miratohen nga parlamentet dhe kjo mund të marrë shumë kohë. Pra këtu janë në diskutim edhe çështje taktike, jo vetëm çështje të rëndësishme përmbajtësore."

Autorë: Andreas Brenner / Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj