1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ismail Hanija nominohet për postin e kryeministrit palestinez

Sebastian Engelbrecht21 Shkurt 2006

Autoriteti autonom palestinez kërcënohet nga kriza financiare. Izraelitët shprehen për ndërprerjen e menjëhershme të të ardhurave financiare për palestinezët

https://p.dw.com/p/ArMN
Ismail Hanija
Ismail HanijaFotografi: AP

Partitë politike duhet të pozicionohen pesë javë para zgjedhjeve në Izrael. Shumica e re e Hamasit në Parlamentin palestinez sfidon kandidatët izraelitë, të cilët që tani duhet të dalin me qëndrime të qarta. Benjamin Netanjahu nga Partia Likud konfirmoi të hënën qëndrimin e ashpër të kryeministrit. Olmert është për ndërprerjen e menjëhershme të të ardhurave financiare për palestinezët që sigurohen nga taksat dhe doganat. Bëhet fjalë për të holla që grumbullohen nga izraelitët për popullatën palestineze.

Benjamin Netanjahu mbështet planet e kryeministrit Olmert: "Eshtë plotësisht absurde që një shtet t'i jap para një qeverie, e cila ka sqaruar se ka për qëllim të zhduk këtë shtet. Kjo është absurde. Kjo është një politikë e strucit, i cili vendos kokën në rërë dhe dëshiron të ketë qetësi. Struci në të vërtetë ka qetësi, ai nuk dëgjon fare zhurmat e kafshëve grabitqare, të cilat dalin nga kaçubet përreth gjatë kohës që ai mban kokën në rërë", nënvizon Netanjahu.

Edhe për të majtën izraelite shumica e Hamasit tek pala palestieneze është një goditje prapësuese. Megjithatë për kryetarin e Partisë Meretz, Josi Beilin sanksionet e paralajmëruara të qeverisë izraelite kundër autoritetit autonom palestinez janë shumë të hershme. Parlamenti në Ramallah dhe Gazë është rikonstituuar por ende është e paqartë, se cilat parti do të jenë pjesëmarrëse në qeverinë e ardhshme, sqaron Beilin në radion izraelite.

Beilin i sheh shkaqet për fitoren e Hamasit në qëndrimin e deritanishëm refuzues të qeverisë izraelite. Izraeli është dashur ta marrë gjatë muajëve të kaluar si partner më serioz presidentin e palestinezëve Mamud Abaz dhe të negocioj me të: "Ne i kemi thënë krejt botës: kush nuk flet me presidentin Abaz një ditë do të ketë punë me Hamasin. Kjo është ajo çfarë ndodh sot. Nuk ka dyshim se ky është një lajm i keq për popullin e Izraelit dhe për vet palestinezët. Ne e kemi dobësuar Abazin dhe e kemi kthyer atë në një zog pule në vend që të bisedojmë me të. Edhe dje e pardje ai përsëriti thirrjen: flisni me mua. Këtë e përsëriti edhe sot dhe nuk gjeti prapë përgjigje", sqaron Beilin.

Shimon Peres, ish-kryeministër i Izraelit dhe bartës i çmimit Nobel për paqe e konsideron shumicën e Hamasit si një 'katastrofë'. Ai tërheq vëmendjen njëkohësisht se marrëveshje paqësore izraelito-palestineze e Oslos është ende në fuqi. Përveç kësaj Mahmud Abaz është ende përgjegjës për politikën e jashtme dhe bisedimet me Izraelin dhe jo kryeministri i ardhshëm, lideri i Hamasit Ismail Hanija.

Ndërkaq vet Hanija reagon i përmbajtur ndaj kërcënimeve me sanksione nga qeveria izraelite: "Topi ndodhet në palën izraelite dhe jo në atë palestineze. Në vend se të fillojnë me sanksione ndëshkuese kundër popullit palestinez izraelitët duhet ta shohin situatën drejt dhe mos të ndërrmarrin hapa të tillë", thekson Hanija.