1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Italia ka shpëtuar mbi 800 migrantë nga deti brenda 72 orësh

aud/kms/nm (AP, AFP, Reuters, dpa)24 Nëntor 2014

Rojet bregdetare italiane dhe flota ushtarake detare kanë kapur në det prej së enjtes me qindra migrantë nga vendet e Mesdheut qendror. Në Qipro, autoritetet kanë shpëtuar një grup të madh refugjatësh sirianë.

https://p.dw.com/p/1Drwc
Mision Mare Nostrum Itali
Fotografi: picture-alliance/ROPI

Rojet bregdetare italiane dhe flota ushtarake detare kanë kapur në det prej së enjtes me qindra migrantë nga vendet e Mesdheut qendror. Ndërkohë në Qipro, autoritetet kanë shpëtuar një grup të madh refugjatësh sirianë të nisur drejt Evropës.

Misioni i parë i shpëtimit nisi të enjten, kur rojet bregdetare italiane diktuan dhe kapën 520 vetë në pesë varka të ndryshme. Autoritetet italiane në bazë të njoftimit të tyre iu përgjigjen një telefonate emergjence të dërguar nga një celular prej njërës prej varkat, e cila ishte ende në ujërat e Libisë.

Një grup tjetër me afërsisht 78 migrantë u shpëtua nga një anije tregtare në të njëjtën ditë.

Midis së premtes dhe të shtunës, flota ushtarake detare gjithashtu shpëtoi dy varka gome, secila me 90 dhe 100 pasagjerë në bord, midis tyre fëmijë dhe gra shtatzëna. Varkat qenë nisur nga kryeqyteti i Libisë, Tripoli dhe u ndaluan midis 50 dhe 100 km larg bregdetit libian.

Italia i dha fund në tetor misionit të saj të kërkimit dhe shpëtimit "Mare Nostrum", pasi shpëtoi jetët e më shumë se 100.000 migrantëve në më pak se një vit. Operacioni i drejtuar nga BE "Triton" tani ka marrë përsipër misionin e kontrollit të kufijve, i cili ka si objektiv vetëm të ndërmarrë operacione shpëtimi, po të jetë e nevojshme.

Italia e nisi misionin e shpëtimit në det në 2013-ën, pasi më shumë se 360 azilkërkues afrikanë u mbytën kur varka e tyre e tejmbushur u fundos në afërsi të ishullit italian të Lampeduzës. Roma shpenzoi 100 milionë euro në këto operacione.

Qipro shpëton një varkë siriane

Ndërkohë, të dielën, autoritetet qipriote konfirmuan se më shumë se 220 refugjatë nga Siria janë shpëtuar dhe dërguar në bregdetin verior. Pasagjerët në bordin e një varke me flamur të Tanzanisë patën mbetur në det për shumë orë për shkak të motit të keq, që pengoi shpëtimin e tyre.

Në bazë të ministrit turk qipriot të Transportit, Hasan Tacoym anija u ndalua të dielën pasdite. Migrantët u dërguan në Siguri në qytetin bregdetar të Kyrenias në Republikën Turke të Qipros Veriore, ku morën trajtim mjekësor.