1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Italia nuk kontrollon shërbimet sekrete të vendeve mike në territorin e saj

Bernd Rigert7 Mars 2006

Komisioni i posaçëm i Parlamentit Evropian mori të hënën në pyetjen shefin e shërbimit sekret italian, Nicolo Pollari në lidhje me informacionet e palës italiane për veprimet e CIA-s në luftë kundër terrorit

https://p.dw.com/p/ArBw
Egjiptiani Abu Omar, kidnapuar prej CIA-s në Milano
Egjiptiani Abu Omar, kidnapuar prej CIA-s në MilanoFotografi: dpa

Nicolo Pollari, shefi i shërbimit sekret italian, luajti rolin e të paditurit. Jo, jo institucioni që ai drejton nuk e di tamam se çfarë bëjnë shërbimet sekrete mike, si p.sh. CIA, në territorin italian. Fundja më në fund këto janë çështje sekrete dhe hetimet janë sekrete. Pas përfundimit të dëgjimit të Pollarit deputeti liberal gjerman, Alexander Alvaro, u shpreh se ky të krijonte përshtypjen se në Itali qenka relativisht e paqartë nëse në vend operojnë shërbime sekrete të vendeve mike apo jo, duke shtuar se nuk mund të përfytyrojë që shërbimet sekrete veprojnë sot vërtet si nëpër romanet kriminale. Alvaro thotë se deklaratat e shefit të shërbimit sekret italian nuk ishin shumë bindëse: "Unë dyshoj, ose të paktën më duket relativisht e dyshimtë, që pasi shërbimet sekrete ranë dakord për një bashkëpunim më të ngushtë pas ngjarjeve të 11 shtatorit, ato nuk këmbejnë informacione në lidhje me të ashtuquajturën luftë kundër terrorit."

Prokuroria italiane akuzon rreth 20 agjentë të CIA-s se kanë qenë të implikuar në grabitjen e një qytetari egjiptian. Komisioni i BE-së dëshiron të dijë nëse shërbimet sekrete të vendeve mike, veprojnë sipas qejfit edhe në vende të tjera të BE-së: "Më duket e tmerrshme, në qoftë se edhe në vende të tjera do të ndodhte në mënyrë të ngjashme. Në qoftë se p.sh. në Gjermani do të kishte një numër agjentësh të shërbimeve të ndryshme sekrete, të cilët vepronin si t'u vinte për mbarë dhe jashtë çdo kontrolli, p.sh. duke rrëmbyer qytetarë, dhe për të gjitha këto shërbimi sekret gjerman nuk do të kishte asnjë lloj ideje."

Javën e ardhshme komisioni i posaçëm i BE-së do të marrë në pyetje gjermanin Khaled al Masri, i cili u rrëmbye prej agjentëve të CIA-s në Maqedoni ose në Shqipëri dhe u çua për t'u marrë në pyetje në Afganistan.

Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës deklaroi javën e kaluar në Straßburg, se pas hetimeve të tij Evropa është një shesh ku mund të livadhisin të gjitha shërbimet sekrete të mundshme.