1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Italiani më i mirë i zonës - Drini Sakollari

21 Korrik 2010

Në Shqipëri ishin të paktë ata që e njihnin Drinin Sakollarin për përmetar. Ai preferonte të thoshte që ishte nga Vlora. Sot pak njerëz e dinë që ai nuk është italian.

https://p.dw.com/p/ONwM
Drini Sakollari "Italiani" nga Përmeti, që u rrit në Vlorë
Drini Sakollari "Italiani" nga Përmeti, që u rrit në VlorëFotografi: Anila Shuka

Një racion spageti me kërpudha porosit klienti i porsaardhur. “Me kënaqësi”, thotë Drini Sakollari dhe i thërret nga tarraca e lokalit kuzhinieres. “Machst du bitte eine Spaghetti mit Champigons!” Pastaj i sjell myshteriut një kupëzë me ullinj dhe bukë të bërë vetë. “Pane e vino” është italiani më i mirë i zonës”, shkruajnë në internet klientët për lokalin e Drinit. Pak njerëz e dinë që piktura e vajit që zë gati një faqe muri në të majtë nuk është nga bregdeti i Puljas, por nga vreshtat e Radhimës. “Aty kam bërë stazhin pasi mbarova maturën në Vlorë”, thotë Drini.

Ai është mësuar me intervista. Nganjëherë vijnë gazetarët e televizioneve që i kanë selitë përreth për t'i marrë “gastronomit italian” ndonjë koment për futbollin ose modën italiane. “Të them ç'të duash për futbollin italian, që nga vitet 70-të e deri më sot, por italian nuk jam”, u thotë ai. Por gazetarëve nuk u intereson prejardhja e Drinit, ata vazhdojnë intervistën.

Berlini është i vetmi qytet që i përshtatet të gjitha mënyrave të jetesës," - thotë Drini
Berlini është i vetmi qytet që i përshtatet të gjitha mënyrave të jetesës," - thotë DriniFotografi: picture-alliance / Lou Avers

Pyetja e urryer

Nga je? Sa herë që ia bënin këtë pyetje në Shqipëri, Drini zihej ngushtë. Po të thoshte nga Përmeti, e dinte që do ta pyesnin për familjen. Ç'të thoshte? "Gjyshi im ishte dënuar me dhjetë vjetë agjitacion e propagandë. Babai e nëna, që të dy mësues, kanë punuar vetëm një vit. E pastaj i kishin internuar,”- rrëfen ai.

Për t'i shpëtuar pyetjes ai e vazhdoi shkollën e mesme në Vlorë, tek halla, e cila e kishte të shoqin oficer. Aty e tutje, kur e pyesnin se nga ishte, thoshte nga Vlora. Gënjeshtra ecte, derisa takonte ndonjë përmetar, që nuk ia besonte. Drini s'dinte ku të futej. “Të mohosh origjinën brenda vendit tënd është kulmi”, thotë ai.

Në Lisin e Bënjës – ku ai u lind para gati 50 vjetësh e ku u detyrua të kthehej mbas stazhit e thërrisnin me emër: “Kulak njëri, kulak tjetri. Vinin më lexonin edhe veprat e Enver Hoxhës. Ata ishin për vete gati analfabetë”, rrëfen Drini për krerët e kooperativës. Në zërin e tij ndjehet përçmim.

Një torturë psikike për 20-vjeçarin e atëhershëm. Me ndihmën e dajës ai e ndërron atë me një fizike: Fillon punën si minator në Valias pranë Tiranës. “Tani, të më japësh një milionë Euro nuk futem në nëntokë, në Valias. Sepse një shok më ka vdekur para syve. Veçse kur më tha ruaju Drini dhe e mbuloi dheu.” Kur u hapën ambasadat në vitin 1990, Drini ishte nga të parët që nuk ngurroi të kapërcente kangjellat. Për çudinë e tij aty gjeti edhe shumë kolegë të tjerë të tij. “Gati një e treta ishin nga Valiasi”.

Porta e Brandenburgut
Porta e BrandenburgutFotografi: dpa Zentralbild

 

Nga pjatalarës në shef

Dëshira e tij kishte qenë Amerika. Por ashtu u zhvilluan punët dhe ai mbeti në Berlin. Në kryeqytetin gjerman jeton tani me të shoqen dhe dy djemtë dhe falënderon fatin që e la aty. “Kam parë shumë vende në botë, por si Berlini s'ka. Berlini është i vetmi qytet që i përshtatet të gjitha mënyrave të jetesës," - thotë Drini.

Njëra është ajo e Drinit. Karriera e tij në Gjermani përputhet me stereotipin për emigrantët: "Fillova të laja pjata, pastaj dola në bar, nga bari kalova në pica, pastaj u bëra kamerier. Kur u bëra kamerier mendova se jam i aftë dhe thashë: Të bëhem edhe unë njëherë shef. Dhe hapa këtë lokalin.” - Drini qesh me vete dhe shkon tek tryeza e klientit që sapo ka përfunduar të ngrënit: “Espresso, Cappuccino, Grappa – Çfarë do të pini. Ju qeras shtëpia”.

Autor. Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi