1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ivanoviç: Hendeku mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë është sot më i thellë se kurrë më parë

Bahri Cani17 Shkurt 2009

Intervistë me Oliver Ivanoviç, sekretar në Ministrinë serbe për Kosovën.

https://p.dw.com/p/Gvua
Fotografi: DW 60

DW: Zoti Ivanoviç, si i vlerësoni marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve tani një pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës?


Ivanoviç: "Viti i fundit nuk ka sjellë kurfarë ndryshimesh. Serbët mbeten të vendosur në bindjen se pavarësia nuk ekziston, dhe se ajo vlen vetëm për shqiptarët. Ndërkohë që euforia e shqiptarëve ka kaluar, sepse pas disa muajve e kanë kuptuar se pavarësia nuk hahet. Rezultati i vetëm është që hendeku mes shqiptarëve dhe serbëve është bërë më i thellë se kurrë më parë. Kjo është më e keqja, sepse mungesa e komunikimit mes bashkësive etnike është një problem shumë i madh potencial në periudhën e ardhshme."


DW: Çfarë keni bërë ju, si përfaqësues i serbëve, për tejkalimin e këtij hendeku dhe vendosjen e komunikimit?


"Komunikimi tani nuk është i mundur, sepse serbët janë të rezervuar ndaj çfarëdo kontakti me institucionet e Kosovës. Qëndrimi jonë i prerë është: Me institucionet që përfaqësojnë pavarësinë nuk mund të ketë kontakte. Pa kontakte shtohen mosmarrëveshjet, ndërsa rruga prej mosmarrëveshjeve deri tek kontliktet nuk është e gjatë."


DW: Vlerësimet tuaja për gjendjen e tanishme duken të zeza, po cilat janë parashikimet: Çka i pret serbët dhe shqiptarët në muajt dhe vitet e ardhshme?


Ivanoviç: "Nuk jam optimist i madh, për shkak se nuk ekzistojnë kushtet për investime dhe zhvillim ekonomik. Kriminaliteti dhe korrupsioni janë në një shkallë të lartë, mungesa e stabilitetit politik është e vazhdueshme, ndërsa institucionet janë të dobëta. Në këto kushte askush nuk do të investojë. Pa investime nuk ka punësim, ndërsa pa punë do të rëndohet edhe më shumë gjendja sociale. Shqiptarët po merren tepër me simbolet politike, në vend se të fokusohen në përmirësimin e klimës për investime të huaja."


DW: Nuk jeni përgjigjur në pyetjen se çfarë mund të presin serbët e Kosovës, sepse edhe ata duhet të bëjnë hapa drejt përmirësimit të gjendjes?


Ivanoviç: "Sigurisht, por pasi që serbët janë më pak, përgjegjësia e tyre është më e vogël. Ata janë edhe politikisht të kufizuar, sepse nuk mund të marrin pjesë në institucionet e Kosovës së pavarur. Shqiptarët nuk e kanë ndërmend ta përmirësojnë ofertën politike ndaj serbëve. Ndërkohë që serbët nuk mund t'i përfitojë askush, në qoftë se kushti është njohja e pavarësisë apo insistimi për njohjen e pavarësisë."


DW: Zoti Ivanoviç, ju edhe vet e dini që shqiptarët dhe institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga pavarësia. Ndërkohë që as 54 vendet, që e kanë njohur shtetin e ri, nuk do ta ndryshojnë qëndrimin. Pra çfarë duhet bërë për tejkalimin e kësaj gjendjeje? Qeveria juaj ka kërkuar dialog...


Ivanoviç: "Unë nuk besoj se ekziston një mundësi reale për dialog. Do të ishte mirë që shqiptarët dhe serbët të qetësohen dhe të heqin dorë nga deklaratat e rënda nacionaliste. Për Serbinë është me rëndësi që sa më parë të futet në Bashkimin Evropian, e kjo mund të bëhet për pesë apo gjashtë vjet. Ndërsa shqiptarët duhet të përmirësojnë gjendjen sociale dhe të heqin dorë nga simbolika nacionaliste. Pas pesë apo 10 vjetësh, në pushtet në Serbi dhe në Kosovë do të vijnë elita të tjera, të cilat do të hapin çështjen e statusit, sepse statusi nuk është definitiv. Definitiv mund të jetë vetëm kur ta pranojnë të dyja palët."


DW: Po si mund të arrihet kjo zgjidhje?


Ivanoviç: "Duhet të ulemi dhe të bisedojmë, pa paragjykime dhe kushte. Kjo është për të mirën e stabilitetit, sepse nuk ka stabilitet në Ballkan pa vendosjen e paqes mes shqiptarëve dhe serbëve, si dy grupeve më të mëdha etnike. "


DW: Mungesa e stabilitetit politik është prezente, po sa reale është frika nga destabilizimi i gjendjes së sigurisë?


Ivanoviç: "Destabilizimi i gjendjes në Ballkan është gjithmonë i mundur, e në veçanti në Kosovë e Metohi. Tensionet do të fillojnë në pranverë. Liderët politikët do të përpiqen t'a shfrytëzojnë paknaqësinë sociale. Mund të priten demonstrata, të cilat në Kosovë gjithmonë marrin forma të tjera. Pra niset me paknaqësitë sociale dhe përfundohet me kërkesa politike."