1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Janjiq: Rama mund të sjellë një frymë të re

Bahri Cani10 Nëntor 2014

Intervistë me Dushan Janjiq, koordinator i panelit, ku do të flasë kryeministri Edi Rama. Vizita e Ramës në Beograd mund të sjellë një frymë të re pozitive në raportet shqiptaro – serbe.

https://p.dw.com/p/1DjnL
Fotografi: DW/B. Cani

Deutsche Welle: Zoti Janjiq, çfarë mund të pritet nga viztia e Edi Ramës në Beograd?

Dushan Janjiq: Në opinion nuk ka ndonjë interesim dhe debate tepër të mëdha rreth kësaj vizite. Por personalisht mendoj se vizita është shumë e rëndëishme, jo vetëm për faktin që në Beograd vjen një kryeministër i Shqipërisë, gati pas shtatë dekadash. Kjo dëshmon se qeveritë e dy vendeve po kthehen drejt ardhmërisë – pra drejt bashkëpunimit në rajon. Kjo vizitë, me nënshkrimin e disa marrëveshjeve, duhet të hapë komunikimin mes këtyre vendeve dhe duhet të hapë rrugën e bashkëpunimit ekonomik. Nuk mendoj se brenda një nate do të ndodhë dicka spektakolare, por kjo vizitë do të ketë mesazhe dhe efekte shumë të rëndësishme pasuese.

DW: Cili do të jetë mesazhi kryesor i kësaj vizite?

Dushan Janjiq: Mesazhi kryesor është që qeveritë dhe në radhë të parë qeveria serbe dhe Aleksandar Vuciq do të përcaktohen shumë qartë për rrugën euroatlaktike. Pra për integrime euroatlantike. Ky mesazh nuk do të dëgjohet, por vetë vizita dhe normalizimi i mëtejmë i raporteve me Kosovën do të nënvizojnë këtë mesazh. Këto mesazhe shpjegojnë edhe nervozizëm dhe tensionimet shumë të madhe të Rusisë në prag të kësaj vizite. Efekti tjetër është bashkëpunimi mes ekspertëve dhe shoqatave të ndryshme nga Shqipëria dhe Serbia. Më duhet të them se në Serbi dihet shumë pak për Shqipërinë, ndërsa në Shqipëri dihet më shumë për Serbinë. Shqiptarët kanë një qëndrim më pozitiv ndaj Serbisë, ndonjëherë madje qëndrim më pozitiv se unë. Ndaj është shumë me rëndësi që në Serbi të vjen një person si Rama: me energji, edukim dhe komunikim të drejtpërdrejtë. Ai mund të jetë një promovues shumë i mirë për përmirësimin e raporteve mes vendeve tona.

DW: Për çfarë nervozizimi dhe tensionimesh të palës ruse e keni fjalën?

Dushan Janjiq: E kam fjalën për një presion shumë të pranishëm që kjo viztië të mos realizohet. Vizita është dashur të ndodhë para një viti, por nuk është realizur. Më pas kemi pasur edhe deklarata të diplomatëve rusë dhe disa politikanëve prorusë në Serbi, me mesazhet se neve nuk na duhet bashkëpunimi me Shqipërinë, se Shqipëria po ndërton Shqipëri të madhe dhe se në këtë rajon do të kemi konflikte të përhershme. Kjo do të thotë se BE nuk do të mund të përhapej në këto rajone pa pasur pasoja të rënda.

DW: Sa do ta ngarkojë çështja e Kosovës këtë vizitë?

Dushan Janjiq: Kryeministrat do të përpiqen që cështjet për të cilat nuk janë dakord t'i lënë anash. Por nuk do të kenë sukses të plotë sepse normalizimi I raporteve Kosovë – Srerbi, është pjesë e agjendës evropiane për normalizimin e gjendjes në këtë rajon. Rama ka mbështetur Marrëveshjen e Brukselit. Por dallimi mbetet që Shqipëria e njeh Kosovën ndrsa Serbia jo. Mendoj se kjo vizitë do të ketë efekt pozitiv drejt normalizimit të raporteve. Për këtë me siguri që nuk do të flitet hapur, por këto do të jenë efektet anësore.

DW: Ju edhe vetë jeni pjesë e organizimit të kësaj vizite, sepse keni organizuar në forum ku Rama do të mbajë një fjalim. Cili ishte qëllimi juaj?

Dushan Janjiq: Ne kaherë si Forum për Marrëdhënie Etnike jemi të përfshirë në dialog dhe në përpjekjet për shensionimin e gjendjes. Për ne është me rëndësi të theksohet: bashkëpunimi është shumë i rëndësishë dhe kemi shumë interesa të përbashkëta. Të jem shumë i hapur: bashkëpunimi i serbeve dhe shqiptarëve si dhe i Serbisë dhe Shqipërisë - duke përfshirë këtu edhe normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – ka për Ballkanin Perëndimor të njëjtën peshë sikur edhe raportet gjermano – franceze për Evropën Perëndimore, e më pas për krijimin e Bashkimit Evropian. Ndaj jam i bindur se përmes këtyre projekteve të inicuara në Berlin, do të vazhdojmë rrugën e normalizimit dhe do të krijojmë një lloj Beneluksi ballkanik.