1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jepen çmimet për fituesit e konkursit vjetor "Rinia hulumton" në Gjermani

30 Maj 2005

Presidenti gjerman, Horst Köhler dhe Ministrja gjermane e arsimit, Edelgard Buhlmann kanë shpërndarë çmimet më të dalluarve nga 218 shkollarë gjermanë të landeve të ndryshme, që kanë arritur të futen në finalen e konkursit "Rinia hulumton." "Rinia hulumton" është konkursi më i madh në shkallë evropiane. Ai përfshin shkencat natyrore, respektivisht, matematikën dhe lëndët teknike. Mosha e konkuruesve fillon nga 14 deri në 21 vjeç, ndërkohë që projektet shkencore janë të hapura. Diapazoni është i gjerë; nga projekte të thjeshta me vlerë praktike deri në zbulime si një lloj myshku i rrallë, i cili mund të kapë gjallesat më të vogla

https://p.dw.com/p/Ar3c
Presidenti gjerman, Horst Köhler
Presidenti gjerman, Horst KöhlerFotografi: AP

Në konkursin në lëndën e biologjisë skuadra "Trëndafili i egër kundër herpesit" lufton të fitojë çmimin prej 1500 eurosh.

"Ne kemi arritur të gjejmë deri tani se çajrat, para së gjithash
çaji i trëndafilit të egër, ai i mendrës dhe çaji i gjelbër kinez janë shumë të efektshëm kundër hepresit. Kjo do të thotë që kur dikush ka një plasje në buzë, mund të vendosë mbi pjesën e fryrë një qeskë çaji, por pasi ky të jetë zier."

Milan, Laura dhe Kirsten kanë disa muaj që pasditet i kalojnë në laborator dhe para kompjuterit duke eksperimentuar me kulturat qelizore. Janë mjaft krenarë për rezultatet e arritura. Ndoshta krahas mjetit për të luftuar Herpesin në buzë, mund të kenë gjetur edhe ndonjë ide të re për të luftuar sidën.

Shkollarët 16 dhe 17- vjeçarë nuk janë të emocionuar për shkak të ceremonisë së dhënies së çmimit, por sepse aty do të jetë edhe presidenti gjerman. Horst Köhler është tutor i konkursit kombëtar
"Rinia hulumton" dhe ai do të vijë t'i shohë më parë punimet e të rinjve para se të ndajë çmimet.

Por ora e mësimit me presidentin gjerman shumë shpejt i afrohet fundit. Ai i jep dorën të rinjve pjesëmarrës dhe ngjitet në skenë për ndarjen e çmimeve.
Në Dortmund janë mbledhur 1200 të ftuar. Prindër, mësues dhe shkencëtarë gjermanë. Presidenti gjerman Köhler në fjalimin e tij bën thirrje për nxitjen e gjurmimeve shkencore dhe arsimit, si strategji e rëndësishme për të ardhmen në Gjermani.

"Kështu jeni edhe ju, të dashur shkencëtare e shkencëtarë të rinj. Shembuj dhe ambasadorë për atdheun e ideve, ashtu siç dëshiroj t'a shoh vendin tonë. Por para së gjithash në mendjet tuaja qëndron e ardhmja jonë. Ne kemi besim tek ju dhe unë kam një parandjenjë shumë të mirë për këtë."

Ndërkohë filloi edhe seria e shpërndarjes së çmimeve. Njëri pas tjetrit ngjiten në skenë, shkencëtarët e rinj me kostum apo fustane mbrëmjeje. Të gjithë janë në qendër të vëmendjes, por vetëm njëri mund të dalë fitues për secilën lëndë, vëren Markus Giftthaler, i cili zë vendin e parë nga shkencat gjeografike:

"Nuk kisha menduar kurrë që do të dilja i pari në shkallë vendi.Kur je aty lart dhe ka mbetur vetëm çmimi i parë pa u dhënë dhe ti ose fiton ose jo, atëherë fillon të dridhesh nga pak. Emocioni rritet dhe në fund kur ke dëgjuar lajmin ke nevojë për nja 15 minuta, për të kuptuar çfarë ka ndodhur me të vërtetë: Po, ti je fitues!"

Markus është nga Bavaria dhe i do yjet. Për konkursin ai ka modifikuar një teleskop në mënyrë të tillë që nga stacioni i vëzhgimit të yjeve në shkollë, të mund të bëjë analizat e tij.

Kirsten, Laura dhe Milan nga Hessen zunë vendin e katërt në lëndën e biologjisë.
"Me siguri që po të kishim zënë një vend më të mirë nuk do të kishte qenë keq. Por thjesht fakti që vlerësohesh me çmim është i mrekullueshëm."