1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo ditë historike!

Peter Philipp15 Dhjetor 2006

Një vit pas zgjedhjeve të para të lira në Irak

https://p.dw.com/p/ArJs
Iraku do të qetësohet vetëm kur të frenohet konflikti mes grupeve të popullsisë
Iraku do të qetësohet vetëm kur të frenohet konflikti mes grupeve të popullsisëFotografi: AP

Në 15 dhjetor 2005, irakianët u thirrën në zgjedhjet e para të lira në Irak. Ky hap pritej të shënonte fazën e demokratizimit dhe para së gjithash stabilizimit pas hyrjes së trupave amerikane dhe rrëzimit të diktatorit Sadam Husein. Por stabiliteti politik dhe siguria nuk dallohen kurrkund në Irak edhe një vit pas zgjedhjeve.


15 dhjetori 2005 i kishte të gjitha mundësitë të kthehej në një ditë historike për Irakun: për herë të parë atë ditë u mbajtën zgjedhje vërtet të lira për një një qeveri demokratike afatgjatë. Që prej hyrjes së amerikanëve ishin mbajtur ndërkohë zgjedhje por kurrë ato nuk kishin qenë zgjedhje të rregullta për një periudhë të plotë legjislative.

Një vit më vonë duhet ngritur pyetja nëse këto zgjedhje kanë përmbushur vërtet shpresat e lidhura me to dhe nëse kanë krijuar një sistem afatgjatë politik në vendin me dy rryma. Përgjigja nuk është shumë inkurajuese. Ajo nuk përcaktohet edhe aq nga optimizmi i shtrënguar irakian apo nga politikanët amerikanë sesa nga ngjarjet e përditshme në rrugët e Bagdadit: nuk kalon asnjë ditë në të cilën nuk humbasin jetën dhjetëra njerëz dhe në të cilën qeveria dhe pushtuesit amerikanë nuk dëshmojnë se nuk janë në gjendje të kujdesen për qetësinë dhe rendin dhe t'i garantojnë popullsisë një minimun sigurie.

Në këtë pikë gjatë vitit të kaluar nuk ka ndryshuar thuasje asgjë. Me përjashtim ndoshta të shtimit të gjakderdhjes. Amerikanët i kishin përfytyruar ndryshe gjërat: kur shiitët irakianë pas zgjedhjeve donin të rikonfirmonin në post kryetarin e qeverisë kalimtare Ibrahim Ja'afari në Uashington pati kundërshtime të forta: lideri i partisë shiite irakiane Dava nuk ia kishte dalë gjatë mandatit të tij në krye të qeverisë të pakësonte dhunën. Veç kësaj ai ishte një figurë e vështirë për t'u pranuar nga sunitët dhe kurdët si kryeministër i një Iraku të ri dhe demokratik. Do të duhej një gjysmë viti derisa të bihej dakort për një kryeministër të ri. Nouri al Maliki, kryeministri aktual, akuzohet nga Uashingtoni se nuk bën sa duhet për të përmirësuar me gjendjen e sigurisë në Irak.

Nën trysninë e kritikës së fortë brenda kampit të vet ndaj politikës së saj në Irak Uashingtoni nuk duket të jetë më i gatshëm të tregojë muskujt. Në vend që të ushtrojë trysni mbi Malikin, gjë që në të vërtetë nuk do të kishte shumë dobi, Uashingtoni përpiqet të ruajë një balancë: presidenti amerikan Xhorxh Bush lëvdon kryeministrin al Maliki si njeriun e duhur dhe në të njëjtën kohë pret përfaqësues të grupeve të tjera irakiane. Një vit pas zgjedhjeve Uashingtoni ka filluar të kuptojë se një qetësim i situatës në Irak mund të jetë vetëm atëherë i mundur kur të frenohet konflikti mes grupeve të popullsisë.

Ky konflikt ka një arsye të fortë në faktin që në një demokraci vendosin shumicat. Dhe në Irak në shumicë janë shiitët. Ata janë më shumë se kurdët dhe sunitët të marrë së bashku. Sunitët e kanë të vështirë të heqin dorë nga pretendimet e tyre të deritanishme për pushtet, kurdët nuk duan të vënë në lojë autonominë e tyre të gjerë. Pa repsekt të ndërsjelltë dhe gadishmëri për paqe kjo do të çojë drejt shpërbërjes së Irakut dhe atëherë do të fillojë vërtet kaosi total.

Një tjetër arsye ndodhet në egzistencën e milicëve të armatosur krahas organeve zyrtare të sigurisë, pjesërisht madje edhe në bashkëpunim. Maliki ka deklaruar vërtet shpërbërjen e këtyre milicive por kjo gjë deri tani nuk ka ndodhur.

Një arsye e tretë është ndërhyrja në rritje e fqinjëve për shkak të interesave të përligjura: Irani mbështet shiitët në Irak, Siria dhe Jordani më shumë sunitët. Dhe Arabia Saudite kërcënon tani fare hapur të ndihmojë sunitët nëse SHBA largohen me nxitim nga Iraku duke e lënë atë në fatin e tij.

15 dhjetori nuk është bërë ditë e shënuar në historinë e Irakut.