1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Josipoviq: Evropa është shtëpia jonë e përbashkët

Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti17 Qershor 2013

"Nga anëtarësimi në BE i të gjitha vendeve në Evropën Juglindore do të përfitojnë të gjitha vendet dhe të gjithë popujt", thotë presidenti kroat Ivo Josipoviq, në një intervistë ekskluzive me Deutsche Welle.

https://p.dw.com/p/18rIB
.
Fotografi: DW

Deutsche Welle: Zoti president Josipoviq, 1 korrik i vitit 2013 është një ditë historike për Kroacinë dhe Bashkimin Evropian. Në çfarë mase do të ndikojë anëtarësimi i Kroacisë dhe shtyrja e kufijve të BE-së në Ballkan rajon dhe tek vendet fqinje?

Ivo Josipoviq: "Unë mendoj se do të ketë reflektim vetëm pozitiv. Nga njëra anë kjo do të tregojë se Evropa pranon ato vende të cilat i plotësojnë me të vërtetë kushtet, të cilat reformohen dhe tregojnë se ato janë në gjendje të marrin pjesë në një treg të madh që quhet BE. Dhe jo vetëm në treg, por edhe vlera të tjera të tilla si paqja dhe bashkëpunimi. Më duket se Kroacia gjithashtu do të jetë në një pozicion për të ndihmuar fqinjët e tyre, teknikisht dhe politikisht, për të përmbushur dëshirën e saj që edhe fqinjët t'i bashkohen BE-së. Për Kroacinë kjo është me interes strategjik. Shpesh harrohet se arsyeja themelore e ekzistimit të BE-së është në të vërtetë paqja dhe bashkëpunimi, dhe pastaj vijnë të tjerat. Ne e shohim anëtarësimin e të gjitha vendeve të Evropës Juglindore si një proces të madh paqësor nga i cili do të përfitojnë të gjitha vendet dhe të gjithë popujtë."

Kroacia premton se do të ndihmojë fqinjët e saj në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Në të njëjtën kohë, ne e dimë se negociatat e pranimit të Kroacisë kanë qenë shpesh të bllokuara nga vendi i juaj fqinj, Sllovenia. A shihni ndonjë potencial të mundshëm për një rol të tillë Kroacisë në raport me Bosnje dhe Hercegovinën, Serbi dhe Malin e Zi?

Ivo Josipoviq: "Jo, kjo me siguri që nuk do të ndodhë. Ne në Parlament kemi miratuar një deklaratë në të cilën thuhet në mënyrë eksplicite se çështjet e hapura, që për fat të keq ende ka shumë, nuk do të përdoren apo të keqpërdoren në negociatat e pranimit."

Në foto, presidenti kroat Ivo Josipoviq gjatë bisedës me DW
Në foto, presidenti kroat Ivo Josipoviq gjatë bisedës me DWFotografi: DW

Para ca kohësh Ju keni vlerësuar se mes Kroacisë dhe Serbisë "nuk ka epokë të raporteve të ngrira". Megjithatë është fakt se ende ekzistojnë çështje të pazgjidhura. Si i vlerësoni Ju marrëdhëniet aktuale mes Zagrebit dhe Beogradit?

Ivo Josipoviq: "Unë do të bëja një dallim në mes të marrëdhënieve të përgjithshme në mes të dy shteteve dhe ndoshta disa mosmarëveshjeve për shkak të kësaj apo asaj deklarate. Nëse ne shikojmë në marrëdhënien tona dhjetë apo madje edhe pesë vjet më parë dhe bëjmë krahasimin e tyre me marrëdhëniet e tanishme atëherë unë mendoj se dallimet janë të dukshme dhe të mëdha. Bashkëpunimi në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur kohët e fundit është shumë intensiv dhe këto janë çështjet më të rëndësishme politike dhe morale, jo vetëm në marrëdhëniet midis shteteve por edhe në raport ndaj qytetarëve. Me Serbinë kemi të hapur çështjen e kufirit në Danub. Për këtë diskutohet dhe kjo nuk është një temë e "nxehtë" e cila mund të krijojë tensione. Nëse do të jetë e nevojshme çështja do të kalohet në një arbitrazh ose në Gjykatën Ndërkombëtare....Ne gjithashtu kemi çështjen e kthimit të refugjatëve, e cila është e rëndësishme për Serbinë dhe Kroacinë. Pastaj është çështja e pronave si dhe kthimi i vlerave artistike të plaçkitura gjatë luftës në Kroaci. Shumë prej tyre janë kthyer, disa prej tyre janë ende në kërkim. Ka probleme të ndryshme personale të qytetarëve dhe të dy vendet janë të detyruara të punojnë që të bëjnë me të lehtë jetën për qytetarët e tyre. Ka dallime edhe në mënyrën se si ne e shohim historinë. Këto dallime në një masë edhe do të vazhdojnë të ekzistojnë. Me këtë ne duhet të pajtohemi por kjo nuk guxon të na pengojë që të shohim nga e ardhmja dhe të ndërtojmë ura më të mira dhe më cilësore se ato që kanë ekzistuar përpara."

Në fund zoti Josipoviq, si kryetar i vendit më të ri anëtar të BE-së, cili do të jetë mesazhi i juaj më 1 korrik 2013 për fqinjët tuaj, ish Republikat e Jugosllavisë?

"Mesazhi im është që Evropa është shtëpia jonë e përbashkët."