1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jugu dhe lindja e Detit Mesdhe mbeten me shkallë të lartë migrimi

19 Tetor 2005

Komisioni Evropian planifikon një fond për gjendjet emergjente të emigrimit ilegal. Një propozim konkret do t'i prezantohet autoriteteve në Bruksel në mars të vitit 2006.

https://p.dw.com/p/ArCz
Të huaj, fëmijë, në kërkim të azilit.
Të huaj, fëmijë, në kërkim të azilit.Fotografi: dpa

Fratini ka reaguar ndaj një kërkese të ishullit Malta, ku herë pas here zbarkojnë grupe të mëdha të migrantëve ilagalë, të cilët nisen me anije nga Afrika Veriore. Qendra hulumtuese e financuar nga Bashkimi Evropian, CARIM ndërkohë ka prezantuar në Bruksel raportin e saj të parë vjetor për migracionin në hapësirat e Detit Mesdhe. Në të thuhet se shtetet në jug dhe lindje të Detit Mesdhe mbeten edhe më tej vende me shkallë të lartë migrimi. Njëkohësisht atje arrijnë rregullisht njerëz, të cilët planifikojnë të kalojnë pastaj në vendet evropiane.

Parë nga aspekti statistikor, në bazë të raportit të qendrës hulumtuese CARIM, ky fenomen kuptohet vështirë. Në vitin 2001, në Gjermani jetonin gati dy milionë turq edhe pse 1 milionë e 195 mijë kanë ardhur në Gjermani kryesisht në vitet e 60-ta dhe 70-ta. Pothaujse 900 mijë nënshtetas turk kanë lindur në Gjermani, por nuk kanë fituar automatikisht nënshtetësinë gjermane, pas ndryshimit të ligjit në vitin 1999. Vetëm pak prej tyre kanë të drejtën e dynënshtetësisë.

Si mund të shmangen katastrofat humanitare?

Ngjarjet e fundit në Marok dhe eksklavat spanjolle Ceuta dhe Melilla, treguan se sa shpejt mund të shkaktohen katastrofa të rënda humanitare. Andaj Komisioneri për drejtësi i Bashkimit Evropian, Franko Fratini së shpejti do të vendosë kontakt me qeveritë në Spanjë dhe Itali, për të biseduar për problematikën e refugjatëve, njoftoi një zëdhënës i Fratinit në Bruskel.

Ndërkohë, për politikën ndaj refugjatëve të Bashkimit Evropian dhe dramën e refugjatëve në eksklavat spanjolle Ceuta dhe Melilla, është shprehur edhe komisionerja për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, Benita Ferrero Valdner. E pyetur nga Deutsche Welle për zhvillimet e fundit që po ndodhin në portat e Evropës Valdner tha:

"Njëherë dua të them se natyrisht, që ishte tragjike si është vepruar me një pjesë të refugjatëve nga Maroku. Por dua të ju them po ashtu, se ne edhe pse kemi patur gjithmonë refugjatë, kjo formë masive e migrimit është në të vërtetë e re dhe duhet thënë se me siguri që këtu ka masa të gjithanshme të kriminalitetit të organizuar. Eshtë plotësisht e qartë, se e tërë kjo është shumë e organizuar dhe ne e shohim, që përmes saj po shtohet presioni për migrim. Nëse në disa vende janë përforcuar masat e kontrollit, atëherë rrymat e refugjatëve ndërrojnë kahjen e tyre dhe në këtë rast kemi të bëjmë me Marokun", u shpreh Valdner.

Duhet bërë dallim midis migrimit legal dhe atij ilegal

Ndërkohë Maroku ka dëbuar pothuajse të gjithë refugjatët afrikan. Më tepër se 2500 emigrantë ilegalë nga shtetet e Afrikës perëndimore dhe qendrore, janë dërguar përmes komunikacionit ajror në vendlindjet e tyre. Agjensitë e lajmeve njoftojnë, se një pjesë e afrikanëve e kanë ndjerë veten të lehtësuar, që janë kthyer në atdhe pas dështimit të planit të tyre. Nga ana tjetër, shtypi spanjoll informon, se disa refugjatë kanë protestuar zëshëm kundër dëbimit të tyre.

Komisionerja për politikën e jashtme të BE-së Benita Ferrero Valdner, thekson se duhet bërë dallim mes migrimit legal dhe ilegal:

"Duhet bërë një dallim mes migrimit legal dhe ilegal për shkak se nuk mundet që këtu të vijnë valë të mëdha të migrimit ilegal dhe siç e thashë edhe më parë: duhet patur parasysh edhe kriminalitetin e organizuar. Besoj që në këtë mes, mund të kundërndikohet vetëm në aspektin afatgjatë. Nga njëra anë përmes luftimit të varfërisë, nga ana tjetër përmes forcimit të kontrolleve kufitare dhe shpërbërjes së bandave të trafikimit ilegal", tha Benita Ferrero-Valdner.