1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Juncker: BE ndodhet në një krizë ekzistenciale

AUD (afp, dpa)14 Shtator 2016

Presidenti i Komisionit Evropian, Juncker e sheh BE në një krizë ekzistenciale. Shtetet anëtare flasin tepër shpesh vetëm për interesat e tyre nacionale, tha ai në një fjalim për gjendjen e BE.

https://p.dw.com/p/1K1pY
Frankreich Straßburg EU Parlament Jean-Claude Juncker
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Seeger

Dalja nga BE e Britanisë së Madhe nuk është për Presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker fillimi i një procesi shpërbërjeje të Evropës. Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për vendimin e britanikëve, "por Bashkimi Evropian nuk ndodhet i kërcënuar në stabilitetin e tij", tha Juncker në fjalimin e tij për gjendjen e BE para Parlamentit Evropian në Strasburg. Disa zhvillime megjithatë të lënë të kuptosh se "pjesërisht ne kemi të bëjmë me një krizë ekzistenciale të BE".

Junckeri i kritikoi qeveritë e BE se u japin shumë shpesh interesave nacionale përparësi: "Numri i sektorëve në të cilët ne punojmë me solidaritet është tepër i vogël." Ai paralajmëroi që kjo çon ujë në ullirin e populistëve. "Populizmi nuk zgjidh probleme - përkundrazi: populizmi krijon probleme." Dy ditë para takimit të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive për të ardhmen e Bashkimit Evropian Junckeri kërkoi "një pasqyrë të ndershme të gjendjes" dhe më tepër përpjekje kundër papunësisë dhe për një Evropë më sociale.

Plani dhe financimi

Për ta kapërcyer rënien ekonomike në Evropë, Junckeri do ta dyfishojë programin e investimeve të nisur në vitin 2014: në vend të 315 miliardë eurove brenda tri vjetëve, deri në vitin 2020 tani do të investohen 630 miliardë euro, tha Presidenti i Komisionit Evropian. I ashtuquajturi plan Juncker do të nxisë me një pjesë të vogël të parave publike para së gjithash investimet private. Kapitali fillestar ishin 21 miliardat në "Fondin Evropian për Investime Strategjike" (EFSI).

Frankreich Straßburg EU Parlament Jean-Claude Juncker
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Seeger

Negociata të reja me Kanadanë për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë Ceta Junckeri i përjashtoi në fjalën e tij. "Garancitë, për të cilat kemi nevojë mund të precizohen dhe të negociohen në parlamente", tha ai. "Por negociata të reja nuk mund të ketë". Ceta është marrëveshja "më e mirë dhe më e përparuar tregtare" që ka lidhur ndonjëherë BE, tha Juncker. Në shtetet anëtare të BE kritikohet para së gjithash ngritja e gjyqeve të arbitrazhit për zgjidhjen e konflikteve.

Nuk do të ketë treg të brendshëm sipas dëshirës

Në lidhje me negociatat e daljes së Britanisë së Madhe nga BE, Juncker tha se Britania e Madhe nuk mund të ketë akses në "një treg të brendshëm (të BE) sipas dëshirës së saj". Aksesi i papenguar në hapësirën ekonomike evropiane do t'i ofrohet qeverisë britanike vetëm kur ajo të pranojë qarkullimin e papenguar të qytetarëve.

Të premten, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE do të mblidhen në Bratislavë për të vendosur piketat për një riorientim të BE. Pikërëndesat, sipas Presidentit të BE, Donald Tusk do të jenë para së gjithash çështjet e sigurisë dhe mbrojtja e kufijve.