1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Junta birmaneze detyron refugjatët të lënë strehimoret shtetërore dhe të rikthehen në shtëpitë e tyre të shkatërruara

Bernd Musch-Borowska31 Maj 2008

OKB-ja u bën thirrje ushtarakëve në Birmani t'i japin fund dëbimit të refugjatëve nga strehimoret e emergjencës. UNICEF-i starton në Birmani aksionin „Sërish në Shkollë".

https://p.dw.com/p/EASZ
Një kamp ngritur për të pastrehët nga cikloni Nargis
Një kamp ngritur për të pastrehët nga cikloni NargisFotografi: AP

Sipas njoftimeve të mediave mijëra njerëz që ishin larguar nga zonat e prekura nga cikloni dhe ishin vendosur në rrethinat e Rangunit u detyruan të largohen prej strehimoreve shtetërore dhe të rikthehen në shtëpitë e tyre të shkatërruara. Vetëm në provincën e Kyauktanit, në afërsi të Rangunit, u shpërbënë 39 strehimore emergjence të ngritura nga shteti. Banorëve iu dhanë disa drunj bambuje dhe materiale të tjera ndërtimi për të riparuar shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave të UNICEF-it trupat e ushtrisë shpërndanë dy kampe të mëdha refugjatësh në Labuta dhe Bogalai. Junta synon me këto hapa kthimin në normalitet, shkruante gazeta tajlandeze

„Bangkok Post." Një punonjës i qeverisë citohej me fjalët, se të prekurit janë më të sigurt në shtëpitë e tyre, se sa nëpër kampe refugjatësh, ku presin ndihma.

Organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch u bëri thirrje ushtarakëve në Birmani t'i japin fund dëbimit të refugjatëve nga strehimet e emergjencës.

Edhe OKB-ja kërkoi që kthimi i të prekurve në fshatrat e shkatërruara krejtësisht të mos bëhet i nxituar, sepse organizatat e ndihmave humanitare do ta kenë edhe më të vështirë që të depërtojnë në këto zona për t'u ardhur në ndihmë:

Anapame Rao Singh, punonjëse e UNICEF-it në Bangkok tha: „Për ndihmësat ndërkombëtarë ata do të jetë praktikisht të padukshëm dhe nuk mund të arrihen lehtë. Kjo mund të çojë shpejt në përhapjen e një vale të re sëmundjesh dhe në një katastrofë tjetër."

OKB-ja mendon se deri tani prej ndihmave ka përfituar vetëm 41% e banorëve në zonat e prekura nga katastrofa. Edhe pse në zonën e deltës së Irravadit po lejohet të depertojnë gjithnjë e më tepër punonjës të organizatave humanitare ndërkombëtare, pengesat burokratike vazhdojnë të jenë të shumta.

UNICEF-i ka filluar ndërkohë një aksion për rindërtimin e shkollave të dëmtuara në Birmani. Prej ciklonit Nargis mendohet se janë shkatërruar rreth 4000 shkolla fillore që do të thotë se rreth 1 milionë fëmijë nuk kanë mundësi që të shkojnë një herë për një herë në shkollë. Për aksionin „Sërish në Shkollë" UNICEF-i deklaroi se për gjashtë muajt e ardhshëm i nevojiten rreth gjashtë milionë euro.