1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këmishëkuq apo plaçkitës?

25 Maj 2010

Pas trazirave në Tajlandë, Bangkoku u kthye të hënën në gjendje normale. Ndërkohë ka filluar kërkimi i shkaktarëve të dëmeve.

https://p.dw.com/p/NVuT
Qendra e Bangkokut në flakë pas trazirave
Qendra e Bangkokut në flakë pas traziraveFotografi: AP

Në një kohë që dëmet për shkak të shpërndarjes me dhunë të manifestimit të protestës të këmishëkuqve dhe vrapimit të mëpasëm në amok të zjarrvënësve nuk janë regjistruar plotësisht, autoritetet hetimore po punojnë nën presion që të identifikojnë dorasit. Qeveria vazhdon të flasë për terroristë, të cilët e kishin planifikuar prej kohësh shkatërrimin e qytetit dhe kishin pritur për këtë vetëm rastin më të përshtatshëm.

Por dëshmitarët okularë përshkruajnë një pamje tjetër. Piya Tantivachyanon, menaxheri i një rrjeti kioskash të këmbimit të parave bën përgjegjës për një pjesë të madhe të dëmeve, hajdutët:

"Natën, kur iu vu flaka gjysmës së qytetit, shumë njerëz i mësynë Supermarketit Big C, në kryqëzimin Rajaprasong. Disa u futën brenda, disa dolën jashtë. Ata morën me vete të gjitha ato që ishin në gjendje t'i mbanin. Të gjithë dolën të veshur me këmisha dhe këpucë të reja. Pati nga ata që vodhën madje edhe lodra fëmijësh. Dhe që thanë: këtu gjithsesi nuk ka polici. Unë mund t'i marr të gjitha ato që dua. Njeri doli jashtë dhe tha:'Oh, harrova këpucët Adidas. Duhet të kthehem prapë dhe t'i marr."

Edhe dyqani i këmbimit të parave të Piyas u plaçkit dhe iu vu flaka. Por fqinjët e patën shuar zjarrin dhe para gjithsesi në dyqan nuk ruheshin. Gjithçka tjetër megjithatë plaçkitësit e morën:

"Siç duket edhe në regjistrimet e kamerës sime të përgjimit, ata morën vetëm ato gjëra që mund t'i mbanin me lehtësi dhe që kishin një lloj vlere për ta. Pastaj ata i vunë flakën dyqanit, për të humbur gjurmët."

Pasoja mbi bizneset

Nata e dyqaneve që digjeshin në Bangkok do të ketë pasoja të tjera negative, thotë Piya. Shumë turistë në të ardhmen do të qendrojnë larg. Që tani biznesi i këmbimit të parave, i cili jeton në radhë të parë nga turistët, ka rënë në nën 10 përqind.

"Unë e pyeta njërin nga këmishëkuqtë: pse u vutë flakën të gjithave? Ti je motoçiklist. Po t'i djegësh të gjitha, atëherë këtu nuk vijnë më turistë dhe ti nuk bën më biznes."

Shumë sipërmarrës të vegjël kanë kërkuar tani ndihma financiare nga qeveria, për dëmet që u shkaktuan nga shpërndarja e dhunshme e protestës.

Midis dyqaneve që u dogjën ishin jo vetëm qendra tregtare luksoze si "Central World", por edhe shumë ndërtesa me qindra dyqane të vogla. Për shumicën e pronarëve të këtyre dyqaneve, ato qenë baza e vetme e jetës. Mallrat e shkatërruara nga zjarri ose të vjedhura nga plaçkitësit do të thotë për shumicën një humbje financiare, e cila mund të kompensohet me shumë vështirësi.

Autor: Bernd Musch-Borowska/Dodi, Auron

Redaktoi: Elert Ajazaj