1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohen shkaktarët e trazirave në Mitrovicë

Bekim Shehu9 Janar 2009

Përfaqësues nga politika shqiptare dhe ajo serbe kanë kërkuar nga prania ndërkombëtare në Kosovë që të përfundojnë sa më shpejt hetimet lidhur me incidentet e fundit në Mitrovicë.

https://p.dw.com/p/GVAq
Shtëpi e shkatërruar në MitrovicëFotografi: DW

Hetimet për ngjarjen e Mitrovicës janë duke vazhduar, por ende nuk është gjetur fajtori. Pas trazirave shqiptarët dhe serbët fajësuan njëri tjetrin për incidentet ku pati edhe të lënduar nga armët e zjarrit. Në deklarimet e para pas incidenteve, udhëheqësit politikë kosovarë akuzuan serbët dhe Beogradin si nxitës të trazirave. Ndërsa serbët e veriut dhe Beogradi thanë se ishin shqiptarët ata që provokuan dhunë. Megjithatë të dyja palët pajtohen në një pikë. Ata kërkojnë nga autoritetet ndërkombëtare përgjegjëse për sigurinë zbardhjen e rasteve.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të serbëve të veriut, Dragan Veliq, konstaton se kalimi i përgjegjësive nga UNMIK-u tek misioni EULEX, ka shkaktuar një vakum në sektorin e sigurisë dhe kjo ka bërë që akoma të mos dihet se kush ishte fajtori për ngjarjet në Mitrovicë. Veliq: "Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t'i zbulojnë nxitësit e trazirave dhe në radhë të parë presim që këtë ta bëjë UNMIK-u, por edhe misioni EULEX-i, i cili në fillim të mandatit ka premtuar se do të garantojë stabilitet në Kosovë. Kemi dëgjuar shumë zëra që thonë se trazirat kanë për synim ndarjen e veriut. Unë them se, nëse dikush synon që përmes trazirave të arrijë ndonjë zgjidhje, e cila mund t'i ngjajë edhe ndarjes, atëherë ky është një projekt shumë i rrezikshëm që nuk do të sjellë kurrfarë zgjidhje".

Përfaqësuesit e serbëve të veriut kanë frikë se ngjarjet në Mitrovicë mund të provokojnë skenare të ngjashëm edhe në vendbanimet e tjera serbe në Kosovë. Ata kërkojnë forcimin e masave të sigurisë nëpër vendbanimet serbe. Forca të shtuara të sigurisë ka në veri të Kosovës por jo nëpër vendbanimet e tjera me shumicë serbe, sepse sipas organeve të rendit nuk ka të dhëna se rrezikohet siguria e enklavave serbe në rajonet tjera të Kosovës.

Ekperti për çështjet e sigurisë, Lulzim Peçi thotë se përgjegjësia për dhunën në Mitrovicë duhet kërkuar tek Beogradi zyrtar: "Serbia e ka pranuar deklarativisht misionin EULEX, por në anën tjetër është shumë e interesuar që ta diskreditojë këtë mision, sepse diskreditimi i EULEX-it, nënkupton edhe diskreditim të qeverisjes në Kosovë dhe në anën tjetër Serbia përmes kësaj strategjie tenton që zonën e veriut ta bëjë një zonë me status të veçantë që më vonë të kemi dhe deri tek ndarja" thotë Lulzim Peci.

Organet e rendit thonë se hetimet për ngjarjet e fundit që ndodhën në Mitrovicë janë në rrugë të mirë. Për ta shkaktarët e trazirave janë të njohur për policinë, por nuk japin shumë detaje. Sipas tyre shumë shpejt do të ketë arrestime.