1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohet më shumë se sa vetëm gjeste kortezie - Bushi duhet të përqafojë iniciativën e vizonarit Blerit për Afrikën

Daniel Sheshkevic8 Qershor 2005

Presidenti i SHBA Bush do të verë në dispozicion gati 680 milionë dollarë si ndihmë humanitare shtesë për kontinentin afrikan. Këtë Bush e deklaroi të martën në Uashignton në kuadër të vizitës së kryeministrit britanik Toni Bler. Por ky i fundit kërkon më shumë. Bler dëshiron që vendet e pasura të grupit G8 në takimin e nivelit të lartë të tyre që zhvillohet së shpejti në Skoci të shprehin gatishmërinë për një rritje zemërgjerë të ndihmës së zhvillimit për Afrikën.

https://p.dw.com/p/ArP1
Bler dhe Bush në Uashington
Bler dhe Bush në UashingtonFotografi: ap

Afrika ndodhet në udhëkryq. Për herë të parë qysh prej disa dekadash kontinenti i zi tashmë ka një shans historik për të dalë nga qarku i mallkuar i urisë, i mjerimit dhe i dhunës. Rritja e vazhdueshme e kuotës së zhvillimit së fundi me rreth 4% dhe rritja e kërkesës për produktet afrikane janë shkëndija shprese. Këmbë të mbathura me këpucë, ujë i pastër i pijshëm dhe një çati mbi kokë të gjitha këto për miliona njerëz të këtij kontinenti papritur janë bërë të prekshme.

Bashkësia ndërkombëtare me të ashtuquajturat qëllime të mileniumit i ka dhënë fjalën Afrikës. Por që premtimet për një jetë dinjitoze të njerëzve në vitet e ardhëshme të bëhen realitet dhe në mënyrë që Afrika e ndodhur në udhëkryq të ndjek drejtimin e duhur janë të nevojshme si pëprjekjet brenda rajonit ashtu edhe ndihmat nga jashtë. Përpjekjet me forcat e veta në radhë të parë janë në dorë të një qeverisjeje të mirë, duke mos shpërdoruar burimet e çmuara ekzistuese, duke luftuar korrupsionin dhe duke çuar përpara reformat për krijimin e strukturave demokratike në ekonomi dhe në shoqëri.

Sa i përket ndihmës së huaj tani duhet të shfrytëzohet shansi që po troket në derë dhe Afrika duhet të çlirohet prej barrës shtypëse të borxheve që në disa vende të kontinentit e mbysin çdo iniciativë qysh në filiz. Kryeministri Toni Bler në këtë drejtim ka marrë përsipër një iniciativë që vlen për t´u përshëndetur dhe ndëkrohë po përpiqet që samitin e G8 që zhvillon punimet në korrik në Skoci ta kthejë në një gur themeli të ndihmës për Afrikën.

Bler dëshiron që 33 vendeve më të varfëra në zhvillim t´i falen borxhet që kanë ndaj Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Përveç kësaj duhet të hartohet një lloj plani Marshall në bazë të të cilit ndihma e zhvillimit të vendeve të pasura për Afrikën të dyfishohet deri në vitin 2015. Në këtë mënyrë do të mund të prekershin edhe sukseset e para në luftën kundër Sidës dhe barra e borxheve mund të ulej dukshëm gjë që do t´i jepte një shans të vërtetë zhvillimi Afrikës.

Deri tani në këtë pikë presidenti i SHBA Bush ka qëndruar indiferent kundrejt britanikut Bler. Sa i përket faljes së borxheve nga Banka Botërore Bush është skeptik, sepse kjo do të pakësonte mundësitë e financimit të projekteve për zhvillimin.

Britania e Madhe ka propozuar gjithashtu që një pjesë e faljes së borxheve të financohet përmes shitjes së arit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Por një gjë të tillë Bush e hedh poshtë duke marrë parasysh këtu interesat e shteteve federale që prodhojnë ar në Perëndim të Amerikës. Këto shtete i frikësohen uljes së çmimit të arit.

Bush deri tani nuk e ka përfillur as propozimin për dhënien e kredive shtetërore të vendeve të industrializuara në mënyrë që këto të japin ndihma financiare shtesë. Një gjë e tillë nuk është e mundur në bazë të së drejtës buxhetore, kështu i deklaroi Bushi presidentit të Afrikës së Jugut Mbeki gjatë vizitës së fundit të tij në Uashington.

SHBA me ndihmën e zhvillimit që përbën vetëm 0.18% të produktit bruto në vend janë të fundit në listën e vendeve të industrializuara. Krahasuar me shumat që jep Amerika për luftën në Irak dhe pasojat e saj, fondi prej 16 miliardë dollarë i ndihmës për zhvillimin është qesharak. Ndërsa 500 milionë eurot e vëna në dispozicion së fundi për të uriturit në Etiopi dhe Eritre ishin vetëm një gjest xhentëllmeni dhe asgjë më shumë.

Vetëm trajtimi i miliona njerëzve të prekur nga virusi i Sidës në Afrikë kërkon çdo vit rreth 12 miliardë dollarë, sipas përllogaritjeve të Organizatës Botërore të Shëndetsisë. Nëse Bush vërtetë e ka për zemër Afrikën, atëherë ai duhet që fjalët t´i kthejë në vepra. Amerika është një vend i pasur dhe Bushi një president, pretendimi moral i të cilit për të drejtuar deri më sot është bazuar kryesisht në fondamentin ushtarak. Një iniciativë zemërgjerë në favor të Afrikës do t´i bënte mirë Bushit edhe për një ofensivë mbarëbotërore përzemërsie në mënyrë që ai të përmirësojë imazhin. Në këtë drejtim Bushi mund të mësojë shumë prej britanikut Bler.