1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshill apo Komision? Në Gjenevë debatohet mbi të ardhmen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut

Joakim Shubert-Ankenbauer13 Prill 2005

Në Gjenevë po diskutohet mbi të ardhmen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, kjo pasi Sekretari i Përgjithshmëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan hodhi idetë e tij mbi këtë çështje. Përfundimi i këtij debati nuk dihet ende

https://p.dw.com/p/ArPl
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi AnanFotografi: AP

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan u shpreh qartë javën e shkuar në Gjenevë. Komisionit i ka ardhur fundi, një Këshill për të drejtat e njeriut do të ishte një fillim i ri.

"Unë ju lutem urgjentisht shteteve anëtare, që parimisht të bien dakord për një Këshill të tillë. Detaje si shtrirja, mandati dhe përbërja e tij, mund të diskutohen më pas. Me këtë ne tregojmë se OKB-ja çështjen e të drejtave të njeriut e merr po kaq seriozisht, si sigurinë dhe zhvillimin"-tha Kofi Anan.

Disa pika themelore Kofi Anan i ka sqaruar qysh tani. Këshilli do të ketë selinë e tij përbri Këshillit të Sigurimit, dhe Këshillit për ekonominë dhe shoqërinë. Ai duhet të jetë vazhdimisht në fuksionim dhe anëtarët e tij do të duhet të zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me plotësimin e kriterit të dy të tretave te shumicës.

Diskutimi është i hapur dhe mjaft intensiv. Zëdhënësi i Amnesty International në Gjenevë, Peter Splinter shprehet se është shumë herët të thuhet nëse po qartësohen frontet pro apo kontra Këshillit të ri:
"Këshilli është një ide e re dhe interesante. Por Amnesty synon të njohë detajet, çfarë mandati do të ketë ai, si do të funksionojë ky këshill."

Rezervat kundrejt propozimit të Kofi Ananit ndeshen shpesh në Gjenevë, por më së shumti ato bazohen në faktin, se shumë vende nuk duan të zhvillojnë një debat të izoluar nga reforma e përgjithshme e OKB-së. Edhe një votë të qartë pro apo kundra Këshillit nuk mund të gjesh në Gjenevë. Debati rrotullohet rreth një pike themelore: Si do të vëzhgohet dhe mbështetet situata e të drejtave të njeriut nga OKB-ja. Ambasadori kinez në Kombet e Bashkuara, Zukang Cha për këtë shprehet:
"Çelësi për një reformë është që të ndryshojë praktika e deritanishme e politizimit të të drejtave të njeriut, e cila shprehet në atë, që vende të caktuara atakohen me emër dhe akuzohen. Zgjidhja nga kjo situatë është: mënjanimi i konfrontimeve dhe nxitja e kooperimit.

Po qe se ky problem nuk zgjidhet, kështu shprehet përfaqësuesi kinez, nuk ka kuptim zgjedhja e një organi të ri. Këtë qëndrim e ndesh shpesh tek vendet aziatike dhe afrikane. Duhet përmendur këtu që shembulli i Kinës, tregon se si mund të argumentohen me qëllim të dyja anët e medaljes. Kina është zëdhënëse e një grupi shtetesh, pjesëtarët e të cilëve duan të mbrohen nga rezolutat kritike, por vetë i shkelin herë pas here masivisht të drejtat e njeriut.

Përfaqësues të shteteve afrikane vendosin në qendër të debatit problemin e zhvillimit. Ky nuk është marrë aq në konsideratë edhe nga reforma e propozuar, thotë Naela Gabr, ambasadore e e Egjiptit, zëdhënëse e Unionit afrikan.
"Sipas pikëpamjes së Unionit, zvogëlimi i varfërisë është mjeti më efektiv dhe preventiv. Deklarata e Vjenës thekson se varfëria është shkelje e të drejtave të njeriut. Unioni do të parapëlqente që komisoni të mbetej ky që
është."

Si kundërmodel për Këshillin e vogël paraqitet një hapje e komisionit për të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara. I ngarkuari për të drejtat e njeriut i qeverisë gjermane, Tom Königs, sheh disa avantazhe në këtë drejtim, por Gjermania nuk ka shprehur ende qëndrimin e saj përfundimtar.
Tom Königs thotë:
"Duhet të pranohen më shumë se më parë mbrojtës të të drejtave të njeriut, aktivistë e shtete në këtë organ. Atyre që shkelin të drejtat e njeriut duhet t'u tregohen jo vetëm rregullat, por u duhet bërë thirrje edhe për kooperim."